Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ks nëpërmjet një postimi në Facebook ka treguar përshtypjet e tij nga takimi me Ambasadorin e ri amerikan në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier.
Kurti ka thënë se ambasadori Hovenier e njeh mirë Kosovën dhe është i lidhur me shtetin tonë qësh nga vitet e luftës dhe ato para shpalljes së pavarësisë.
“Na njeh shumë mirë, dhe kjo është shumë mirë, natyrisht. Ambasadori i ri amerikan në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier, është i lidhur me Kosovën në momentet e rëndësishme të historisë sonë të re: në vitet e luftës drejt çlirimit të vendit (1998-1999), dhe në ato drejt shpalljes së pavarësisë së shtetit (2007-2008)”, u shpreh kryeministri.
Ai theksoi se me ambasadorin kanë diskutuar për shumë çështje, derisa premtoi bashkëpunim të ngushtë për të gjitha temat.
“Përgjatë karrierës 31 vjeçare, si diplomat i ShBA-ve ka shërbyer nga Kroacia në Greqi, nga Panamaja në Paraguaj e Peru, nga Berlini në Ankara, ndërsa ka punuar edhe për OKB-në e OSBE-në. I dëshirova mirëseardhje, i urova suksese dhe ju falënderova përzemërsisht. Diskutuam hapur, për shumë çështje; do të bashkëpunojmë ngushtë, për të gjitha temat.
Partneriteti dhe aleanca jonë me ShBA-të mund të zgjerohen e thellohen”, përfundoi kryeministri.