Ministri Mehaj viziton familjen e Nuhi Berishës

Aktuale

Ministri Mehaj viziton familjen e Nuhi Berishës

Më: 11 janar 2022 Në ora: 20:28
Pamje nga vizita

Pas vizitës në familjen e Rexhep Malës, ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj ka qëndruar në konakun e familjes së Nuhi Berishës, në 38-vjetorin e rënies së tij heroike në përballje me forcat serbe.

Në një postim në Facebook, ministri Mehaj ka shkruar se Nuhi Berisha, kishte trimëri dhe guxim të jashtëzakonshëm për t’i dalë në ballë regjimit të atëhershëm dhe se me këto virtyte ai ishte e do të jetë shembull i kontributit dhe sakrificës për atdhe.

“Janë bërë 38 vjet nga rënia Nuhiut, në përleshje me forcat serbe, në natën ndërmjet 11 e 12 janarit të vitit 1984. Nuhiu ishte halë në sy për forcat paramilitare serbe, që nga mosha e re si student ai ishte revolucionar i cili do t’i shërbente Lëvizjes çlirimtare të shqiptarëve.  Ne gjithmonë do të udhëhiqemi nga ideali dhe atdhedashuria të cilën Nuhiu me shokë e kanë mbjellë në ne.  Lavdi e përjetshme të pavdekshmit, Nuhi Berisha”, shkruan Mehaj.

Ndërmjet 11 e 12 janarit 1984, Rexhep Malaj 33-vjeç, pa u bërë tetë muaj që u lirua nga burgu i rëndë nëntëvjeçar, bashkë me shokun e tij Nuhi Berisha i cili asokohe ishte student 23-vjeç dhe pjesëmarrës i demonstratave 1981, ranë heroikisht në luftim me forcat serbe në “Kodrën e Trimave” në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat