Kërcënimi i Vuçiqit për shqiptarët dhe “Quintin” / Do ta pret një ferr i vërtetë!

Aktuale

Kërcënimi i Vuçiqit për shqiptarët dhe “Quintin” / Do ta pret një ferr i vërtetë!

Nga: Idriz Morina Më: 13 janar 2022 Në ora: 19:29
Forcat speciale të Kosovës duke shfaqur gatishmërinë e tyre

“A jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”. Kjo pyetje nuk mund të shtrohet në një territor sovran.

Ajo do të mund të shtrohej sikur Serbia ta kishte hequr nga preambula e saj, qëndrimin kushtetues, se Kosova dhe Metohia janë pjesë integrale të shtetit serb!

Në disa raste kam shkruar, se në gjithë të menduarit politik në Kosovë nën ‘regjimin e të menduarit hashimian’, mediat dhe politika në masë të madhe e kishin infektuar të menduarit shqiptarë dhe racional, duke provuar të prodhojnë mendësi të njerëzve pa atdhe.

Duke mos menduar për atdheun, shumë prej tyre nuk do të mendonin as për shtetin. Sa më pak që mendohej për shtetin dhe atdheun, gjërat rridhnin për të keq në politikën e Kosovës.

Politikat nënshtruese

Hashim Thaçi me grupin e tij, kultivoi politikën e nënshtrimit ndaj kërkesave të Serbisë, e gjitha në emër të një presioni ndërkombëtar! Disa trysni mund të ishin të vërteta, por shumë prej tyre do të mbesin vetëm spekulime.

Albin Kurti, duhet ta ndjekë siç e kam ravijëzuar në disa raste portretin e Presidentit Rugova, modelin heroit të antiobediencës. Rugova nuk mund ta pranonte një rol obedient karshi çdo force, për të dëmtuar interesat shqiptare dhe të shtetit të tyre, madje as atëherë, kur ai ishte thjesht “Shtet paralel”!

Albin Kurti, megjithatë ka bërë një kompromis, duke ua lejuar serbëve të Kosovës që të përgjigjen në pyetjen e parashtruar nga Serbia, “A jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”

Serbët e Kosovës e kanë Kushtetutën e tyre, të Republikës së Kosovës. Ata serb që e ndiejnë nevojën për përgjigje në këtë pyetje, duke e gëzuar të drejtën e dyshtetësisë që Serbia ua njeh, mund të shkojnë në Serbi dhe të përgjigjen masivisht.

Përgjigja e Albin Kurtit nuk e ka kënaqur Borellin, shefin e diplomacisë së BE-së, pasi sipas kushteve të Kryeministrit të Kosovës, që serbët të votojnë me postë apo në përfaqësinë e Serbisë në Prishtinë, është e pamjaftueshme.

“Në të kaluarën votat janë grumbulluar me ndihmën e misionit të OSBE-së. Qytetarëve duhet t’iu jepet mundësia për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar”, ka shkruar Borell në tviter duke e zbuluar kundërshtimin e Kryeministrit për votim të organizuar, hapjen e qendrave të votimit.

Për çfarë të drejte për votim flet Borell? Kur ia ka ndaluar Kosova serbëve të votojnë në zgjedhjet në Kosovë? Asnjëherë. Borell nuk mund të operojë ndaj Kosovës apo të ushtrojë trysni, duke sjellur modelet e të kaluarës, të dështuara në përmbushjen e sovranitetit.

Albin Kurti e ka bërë të pakënaqur edhe shtetin serb, pasi Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Serbisë dhe ish-eksponent i lartë i regjimit okupues dhe gjenocidal të Serbisë në kohën e Sllobodan Millosheviqit, Velko Odalloviç e ka theksuar në kundërshtimin e tij, po atë që e përmban Kushtetuta serbe, se Kosova është pjesë e territorit unik të saj.

“Ai po mundohet ta detyrojë Serbinë t’i drejtohet me një kërkesë të veçantë, sikur të ishte diaspora. Kjo është e papranueshme për ne. Territori është unik, është i joni, deshi ai apo jo, le të gjendet ai në botën e vet”, ka thënë Odalloviq.

Pra, ajo që kërkon Borelli nuk dallon shumë prej arsyetimit të Odalloviçit, që mori pjesë në dhunimin sistematik të të drejtave të shqiptarëve.

Kërcënimi i Vuçiqit

Ndërsa, tonet agresive të Vuçiqit janë të papranueshme edhe për qytetarët, i cili kërcënon hapur, jo vetëm Kosovën, por edhe kuintin, në krye të së cilës është SHBA-ja.

“Është shumë më e rrezikshme që po përgatiten për referendumin, e kjo është që të mos lejohen serbët të votojnë. Kjo do të shkaktojë pasoja të gjera... Pasojat do të jenë shumë më të rënda dhe më të gjera sesa shqiptarët dhe QUINT-i e imagjinojnë për momentin”, ka deklaruar Vuçiq.

Pra, kjo prani e agresivitetit serb, e natyrës vulgare, edhe pse nuk mund të bëjë asgjë, si punë fëmijësh, është për ta goditur të paktën në aspektin diplomatik, ndërsa Kosova duhet t’ua konfiskojë çdo material për pseudokushtetutën serbe.

Diplomati amerikan Xhefri Hovenier e ka përgjigjen e qartë për këtë çështje, të dhënë që në intervistimin e tij nga Senati amerikan para se të konfirmohej ambasador në Kosovë: “Kosova e kontrollon në tërësi shtetin e saj”!

Pra, të dielën Kosova, Qeveria dhe institucionet tjera të saj, duhet ta përmbushin këtë argument të ambasadorit amerikan, se ne e kontrollojmë territorin dhe shtetin në tërësi.

Për më tepër për diplomacinë amerikane dhe perëndimore përgjithësisht Kosova tashmë është shtet i konsoliduar, prandaj Serbia nuk mund të përdorë asnjëllojë karremi-mashtrues për ta ngatërruar kredibilitetin e shtetit të Kosovës.

Asnjë vend sovran në botë nuk e lejon mbajtjen e zgjedhjeve, e lëre më të votimit për pyetje kushtetuese, aq më tepër që si në këtë rast, që të votohet për një Kushtetutë që siç thamë në fillim, e deklaron Kosovën pjesë të saj.

Nuk janë dy Kosova, dhe as dy gjendje, fluide, që sipas Borellit mund të lejohet votimi për një Kushtetutë antiKosovë!

Pse Spanja i burgosi shtetasit e saj dhe liderët katalon, për referendumin e mbajtur në Kataloni që kishte qëllim pavarësimin e saj?

Borell duke kërkuar që të veprohet si në të kaluarën, po e mohon aktualitetin e Kosovës, sovranitetin.

Nëse kanë ndodhur në të kaluarën shkelje të sovranitetit, kur shteti udhëhiqej nga njerëz që nuk donin t’ia dinin as për Kushtetutë dhe ligje, kjo anarki nuk mund të lejohet në pafundësi.

Borell me këtë deklaratë dhe presion po e risjellë në vëmendje, se Kosova ka pranuar të hyjë në bisedime me Serbinë, duke i mbikëqyrur një organizëm ndërkombëtar që ka status neutral ndaj Kosovës. Pra, vet BE-ja dhe diplomacia që Borell e përfaqëson nuk e njeh sovranitetin e Kosovës, duke qenë konform statusit që mbajnë pesë shtetet e BE-së.

Prandaj, nga ky këndvështrim ai mbetet neutral!

Grupet kriminale, Veselinoviç dhe Radojçiq

Presidenti i Serbisë, është zotuar se do të ketë pasoja “...shumë më të rënda dhe më të gjera sesa (ato) imagjinojnë për momentin”, Kosova dhe kuinti, SHBA, Britani e Madhe, Gjermani, Francë dhe Itali.

Në kë po aludon në këtë kërcënim Vuçiqi, në çfarë force, përveç se në atë ruse. Shqiptarët nuk janë kah e bëjnë fare mall Rusinë. Duke e pasur Amerikën përkrah, Bondstillin dhe tani komandën Operative të Njësive speciale në Shqipëri, janë të gatshëm pa hezitim, për çfarëdo sfide.

Nëse Vuçiqi po mendon të provokojë dhunë dhe përgjakje në veri nëpërmjet bandave të Vselinoviçit dhe Radojçiqit, të kombinuara me ndihmën e forcave speciale ruse, sërish e ka gabim! Do ta presë një ferrë i vërtetë!

Ai mund ta provojë që ta mbajë referendumin me bandat e krimit ndërkombëtar serb, Zvonko Veselinoviçin dhe Millan Radojçiqin, e Listës serbe, por si duket, bazuar në kërcënimin retorik, nuk është i sigurt nëse mund ta bëjë këtë po nëpërmjet këtyre njerëzve.

Nëse Radojçiqi dhe Veselinoviçi marrin pjesë në një tentativë të atillë, atëherë Vuçiqi do të dal i implikuar hapur, se ata eksponentë që SHBA-ja i ka futur në Listë të zezë, po i përdor për qëllime politike dhe shtetërore. Kjo do ta bënte të pashmangshme përfshirjen e Vuçiqit në listën e zezë të SHBA-ve dhe do t’i hapte rrugë sanksioneve ndaj tij dhe vetë shtetit.

Por, ai mund të jetë në hall se tashmë është në listën e zezë, dhe se po mundohet që duke e përdorur trysninë ndaj Kosovës ta ndryshojë statusin e tij në raport me Listën e zezë të SHBA-ve!

Nëse ka një përpjekje të re të serbëve për dhunë në veri, Kosova duhet ta përdorë gjithë aparatin shtetëror, për të mos lejuar asnjë pengesë në funksionimin e rendit kushtetues!

Kërcënimet e Vuçiqit do të mbesin thjesht një histori e pashkruar sa i përket mosmabjtjes së referendumit antikushtetues!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat