Haradinaj përfundon dëshminë në Hagë: Kundërshtimin e kemi ndaj qasjes që ka prokuroria dhe jo ndaj gjykatës

Aktuale

Haradinaj përfundon dëshminë në Hagë: Kundërshtimin e kemi ndaj qasjes që ka prokuroria dhe jo ndaj gjykatës

Më: 14 janar 2022 Në ora: 11:01
Nasim Haradinaj

(E plotësuar 11:34) - Ish-nënkryetari i Organizatës së veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj a ka thënë se kundërshtimin e kanë ndaj qasjes që sipas tij po ndjek Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe jo ndaj Dhomave të Specializuara. Ai ka përfunduar dëshminë e tij para trupit gjykues.

Në ditën e katërt të dëshmisë së tij derisa i është përgjigjur pyetjeve të avokatit mbrojtës Toby Cadman, Haradinaj ka thënë se gjykatën e kupton si legjitime.

Haradinaj: Kundërshtimin e kemi ndaj qasjes që ka prokuroria jo ndaj gjykatës

“Kundërshtimin e kemi vetëm ndaj qasjes që ka prokuroria, jo ndaj gjykatës, gjykatën e kuptoj si të mirëfilltë, të rregullt dhe legjitime”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka përsëritur se para gjykatës duhet të dalin të gjithë ata që kanë kryer krime ndërsa ka kundërshtuar funksionimin e gjykatës në mënyrë një etnike.

Haradinaj: Nuk duhet të ketë seleksionim

“Mendoj që çdo njëri që ka kryer krim është meritor dhe e meriton dhe duhet të sillet para drejtësisë, pse të seleksionohen këta”, ka shtuar ai.

Avokati Cadman ka përmendur masakrat dhe krimet e Serbisë të kryera në Kosovë dhe e ka pyetur Haradinajn nëse është në dijeni për to.

Haradinajt nuk i lejohet të përgjigjet për të përfshirët në masakrat ndaj shqiptarëve

Avokati Cadman: A jeni në dijeni të një incidenti që ka ndodhur me datë 28 shkurt deri më 1 mars që njihet si Masakra e Qirezit, viti 1998, që njihet si Masakra e Qirezit. Parapara se të përgjigjeni do të lexoj një listë datash sepse pyetja është e njëjtë në lidhje me të gjitha këto data më 1 prill 1999 dhe 25 maj 1998 në dy incidente të ndryshme që është Masakra e Lybeniqit, më 15 janar 1999 që njihet si Masakra e Reçakut, më 5 mars 1999 një sulm kundër Prekazit në të cilin forcat serbe vranë Adem Jasharin dhe 60 anëtarë të familjes së tij, dhe më 27 prill 1999 ajo që njihet si Masakra e Mejës ku 300 shqiptarë dyshohet se janë vrarë nga forcat serbe. A mund të shihni tani listën e emrave?

Haradinaj: Po, jam në dijeni

Avokati Cadman: A mund të shihni tani listën e emrave, pa i përmendur emrat, a mund të më thoni nëse besoni se ndonjë prej këtyre personave të kësaj liste kanë qenë të përfshirë në ndonjërën prej këtyre masakrave?

Prokurori: Kundërshtim, nuk ka lidhje me kundër pyetjet.

Gjykatësi Smith: Pranohet kundërshtimi.

Avokati Cadman: Në këtë proces gjyqësor keni dëgjuar dëshminë e një dëshmitari të prokurorisë, zonja Zdenka Pumper e cila i ka konfirmuar trupit gjykues se prokuroria nuk po heton kryesit serbë të krimeve, mund të ju pyes si ju bënë kjo ju që të ndjeheni?

Haradinaj: Jo vetëm mua që ndjehem keq, por të gjithë çka janë në Kosovë dhe shpresoj jo vetëm shqiptarët, por të gjithë ata të cilët me të vërtetë duan drejtësi ndjehen keq, edhe serbët, edhe nacionalitet e tjera sepse ka viktima nga të gjithë.

Avokati mbrojtës ka pyetur Haradinaj për arsyet të cilat e kanë shtyrë të ndërmarrë veprimet që lidhen me dokumentet që kishin arritur në zyrat e OVL-UÇK në shtator të vitit 2020.

Haradinaj: Të gjitha veprimet lidhur me dokumentet i kam bërë për hir të interesit publik

“Zotëri avokat, krejt kjo për çka unë kam bërë dhe po akuzohem këtu, arsyeja nëse i kam bërë këto dhe këtë sa e kam bërë ka qenë vetëm transparenca dhe interesi publik dhe të tregoja se si po ndjehemi edhe ne si veteran edhe opinion publik, në fund të fundit unë e kam dhënë jetën për këtë popull dhe për demokracinë, prandaj kur shoh që mu kanë shkelë këto, kjo është për hir të transparencës dhe interesit publik asnjë send tjetër dhe njëanësisë që ka kjo prokurori”, ka thënë Haradinaj.

Edhe njëherë, Haradinaj ka thënë se asnjëherë nuk ka publikuar apo fotografuar dokumentet.

Pas përfundimit të dëshmisë së Haradinajt, derisa në gjykim është duke u paraqitur çështja e mbrojtjes, do të fillojë dëshmia e Rashit Qalajt i cili tashmë e ka lexuar betimin e dëshmitarit.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

LIVE: Nasim Haradinaj vazhdon dëshminë në Speciale

Ka nisur seanca ndaj Gucatit e Haradinajt në Hagë.

Vazhdon edhe sot seanca ndaj Gucatit e Haradinajt në Hagë

Edhe sot pritet të vazhdojë seanca gjyqësore ndaj ish krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Gjatë ditës së djeshme, ish-nënkryetari i OVL-së së UÇK-së Nasim Haradinaj, para trupit gjykues tha se ai asnjëherë nuk ka publikuar dokumente me përmbajtje të ndjeshme, siç pretendohet nga gjykata.

Ndërsa, Gucati është detyruar që të largohet nga salla për arsye shëndetësore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat