ZPS-ja kërkon që Pjetër Shalës t’i vazhdohet paraburgimi, akuzohet për krime lufte

Aktuale

ZPS-ja kërkon që Pjetër Shalës t’i vazhdohet paraburgimi, akuzohet për krime lufte

Më: 14 janar 2022 Në ora: 11:36
Pjetër Shala

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka kërkuar nga gjykata që Pjetër Shalës që po akuzohet për krime lufte t’i vazhdohet masa e paraburgimit.

Sipas prokurorisë, vazhdimi i paraburgimit ndaj tij mbetet e nevojshme.

Kjo është bërë e ditur përmes shkresës së publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Sipas ZPS-së, gjyqtari i procedurës paraprake konstatoi më parë dyshimin e bazuar se i akuzuari ka kryer krime brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara, ekzistencën e rrezikut të arratisjes, arsyet e artikulueshme për të besuar se i akuzuari do të pengojë mbarëvajtjen e procedurës penale dhe do të përsërisë ose tentojë të përsërisë veprat penale.

Tutje, në shkresë thuhet se gjyqtari ka konstatuar më parë që kushtet e lirimit të propozuara nga i akuzuari  zbusin në mënyrë të pamjaftueshme rreziqet e Nenit 41 dhe se vazhdimi i paraburgimit të të akuzuarit është proporcional.

Sipas ZPS-së, asnjë rrethanë nuk ka ndërhyrë që nga vendimi për rishikimin e paraburgimit që mund të ndryshojë këto gjetje, të cilat vazhdojnë të jenë të vërteta në të gjitha aspektet.

“Në fakt, rreziqet e nenit 41(6)(b) janë rritur me avancimin e fazës paragjyqësore të procedurës”, thuhet në këtë shkresë.

Ndryshe, Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, raporton Betimi për Drejtësi.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat