Manovrime të reja nga Beogradi, ky është tentimi i fundit nga serbët

Aktuale

Manovrime të reja nga Beogradi, ky është tentimi i fundit nga serbët

Më: 15 janar 2022 Në ora: 12:43
Mbrëmë Policia e Kosovës ka ndaluar në ora 21:40 në Merdar një veturë dhe dy kamionë me targa të Serbisë

​Mesazhe telefonike për pjesëmarrje në referendum të Serbisë janë dërguar në telefon të qytetarëve serbë të Kosovës. Media ka siguruar mesazhin e dërguar nga Komisioni Zgjedhor Republikan i Serbisë, përmes të cilit njoftohen se do të votohet në postë.

Profesori universitar Arben Hajrullahu, duke e komentuar këtë dhe ndalimin e mbrëmshëm me material të referendumit në Merdar, ka deklaruar se qëllimi i Vuçiqit nuk është mbajtja e referendumit, por provokimi i Kosovës dhe marrja e rolit të viktimës.

Një mesazh telefonik, i dërguar nga Komisioni Zgjedhor Republikan i Serbisë, bëhet thirrje që të dielën, më 16 janar të votohet përmes Postave të Serbisë.

“Komisioni Zgjedhor Republikan i Republikës së Serbisë njofton qytetarët serb që jetojnë në Kosovë dhe Metohi se për ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë mund të votojnë edhe përmes Postës së Serbisë, të dielën me 16 Janar 2022. Për fletëvotimet do të njoftoheni paraprakisht!”, thuhet në mesazhet që i kanë dërguar te qytetarët serbë në Kosovë.

Profesor Hajrullahu thekson se kjo lë të nënkuptohet se “Postat do të shndërroheshin në vendvotime, gjë e cila do të shkelte sovranitetin e Republikës së Kosovës po ashtu."

“Vuçiqi po mundohet që në minutën e fundit ta shndërrojë Postën e Serbisë, e cila në Kosovë operon ilegalisht në qendra të votimit, duke e kamufluar kështu mbajtjen e këtij referendumi. Kushtetuta e Republikës së Kosovës, konventat ndërkombëtare dhe praktikat e aplikueshme për të gjitha vendet demokratike janë e vetmja mënyrë me të cilën qytetarët serbë të Kosovës do të ushtrojnë të drejtën për të shprehur mendimin e tyre në Referendumin e nesërm”, ka deklaruar Hajrullahu.

Mbrëmë Policia e Kosovës ka ndaluar në ora 21:40 në Merdar një veturë dhe dy kamionë me targa të Serbisë, me materiale për mbajtjen e referendumit të Serbisë.

Duke komentuar ngjarjen, eksperti i sigurisë Agim Musliu, ka thënë se Serbia dhe shërbimet sekrete të saj janë të interesuara që territorin e Kosovës ta shndërrojnë në një konflikt të mundshëm, gjë e cila i konvenon edhe Vladimir Putinit, i cili po përballet me kriza në fqinjësinë e vet dhe në vet Rusinë.

“Edhe Beogradi edhe Moska kanë probleme të brendshme dhe të jashtme. Shërbimet sekrete serbe kanë marrëveshje me shërbimet sekrete ruse që t’i koordinojnë veprimet subverzive për t’i ndihmuar njëra-tjetrës”, ka thënë Agim Musliu.

Musliu më tej shton se “Inskenimet e janë pjesë e traditës së veprimeve sekrete serbe deh referendumi është një rast i mirë për inskenime si këto”.

Ai më tej ka shtuar se, mu në përvjetorin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, do të mbahet referendumi në Serbi.

“Imagjinojeni sa aktive janë shërbimet ruso-serbe. Më 16 janar 2018 e vranë Ivanoviqin vetëm pse nuk pajtohej me ta, kurse me 16 janar 2022 provojnë ta krijojnë një konflikt në Kosovë. Natyrshëm që kjo e tërheq pastaj vëmendjen e Perëndimit në Kosovë dhe e largon vëmendjen nga Kazakistani apo Ukraina, ku pritet pushtimi i Ukrainës nga Rusia”, ka thënë Agim Musliu.

Lidhur me qëllimet e përbashkëta ruso-serbe, profesor Arben Hajrullahu thekson se Kosova dhe institucionet e sigurisë duhet të jenë të vëmendshme lidhur me këtë.

“Është botërisht e ditur se Putini kërkon vatra krize, prandaj Kosova dhe institucionet e saj duhet të jenë të vëmendshme që siguria e vendit mund të kërcënohet. Ne nuk guxojmë ta lejojmë zhvillimin e provokimeve të cilat më së shumti mund të shkojnë në të mirë të Vuçiqit dhe të Putinit. Dihet se ata janë aleatë dhe bashkëveprojnë”, ka përfunduar profesori universitar Arben Hajrullahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat