​Abdixhiku pyet Kurtin: Çfarë vlere të shtuar i jep rezoluta për të ndaluar referendumin serb?

Aktuale

​Abdixhiku pyet Kurtin: Çfarë vlere të shtuar i jep rezoluta për të ndaluar referendumin serb?

Më: 15 janar 2022 Në ora: 15:45
Lumir Abidixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abidixhiku, ka pyetur kryeministrin Albin Kurti se çfarë vlere të shtuar i jep miratimi i rezolutës në Kuvend për të ndaluar mbajtjen e referendumit serb në Kosovë.

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, Abdixhiku tha se mbajtja e referendumit është i papranueshëm që cenon dhe integritetin territorial të Kosovës dhe rendit kushtetues. Por sipas tij, seanca e sotme është vetëm dramë e kryeministrit për populizëm.

Abdixhiku: Çfarë vlere të shtuar i jep rezoluta ndalimit të referendumit serb

“E paqartë mbetet nevoja e kësaj seance. Nxjerrja e një rezolute rekomanduese për qeverinë. Këtë s’mundem të kuptoj dot. Pasi së pari kryeministri ka detyrim dhe obligim kushtetues të zbatojë në plotëni dhe pa hezitim të gjitha mekanizmat që të sigurojë këtë rend kushtetues në Republikën e Kosovës. Edhe sikur të kishte një rezolutë tjetër këtu në Kuvend është Kushtetuta që ia ndalon një rekomandim të tillë. [...] A ka diçka rezoluta që të ofron si mjet që përgjegjësia kushtetuese dhe definimi i rolit tënd kushtetuese nuk ta jep. A ka diçka shtesë që Kuvendi duhet të ofrojë ty si kryeministër që nuk mundesh ta zbatosh rendin kushtetues në tërë territorin e Kosovës. A të duhen mjete, të duhem forca shtesë, duhet shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, çka të shton si vlerë të shtuar rezoluta”, tha ai.

Deputeti Abdixhiku tha se Kosova ka arsye të dyfishtë për të refuzuar mbajtjen e referendumit serb në territorin e vendit tonë.

Abdixhiku: Kosova ka arsye të dyfishtë për të refuzuar këtë referendum

“Kjo tendencë është praktikë e papranueshme ndërkombëtare dhe është praktikë në kundërshtim me parimet bazike të demokracisë dhe relacionet që shtetet sovrane tregojnë ndaj njëra-tjetrës. Në rastin specifik të referendumit të Serbisë, mohon integritetin territorial të Kosovës, rendin kushtetues dhe me referendum kërkon të dëshmojë shtrirjen e sovranitetit serb mbi Kosovën bëhet edhe më i papranueshëm. Prandaj Kosova ka arsye të dyfishtë për të refuzuar këtë referendum”, shtoi ai.

Megjithatë, Abdixhiku kritikoi Kurtin për mos unitet me bashkësinë ndërkombëtare për këtë vendim.

Abdixhiku: Refuzimi i referendumit është shoqëruar me përplasje me komunitetin ndërkombëtar në Kosovë

‘Është e shoqëruar me përplasje me komunitetin ndërkombëtar në Kosovë, në veçanti me shtetet e QUINT-it. Një qeveri që i trajton problemet me kohë do të kishte me veti edhe komunitetin ndërkombëtar edhe moslejimin e referendumit. Se kjo qeveri s’mundet të sjellë asnjëherë zgjidhje të mira kjo veçse po bëhet e ditur dhe e zakonshme. Ajo sikur shijon tensionin dhe përplasjen me faktorët ndërkombëtarë. Në muajt në vijim kjo përplasje mund të bëhet më e theksuar. Prandaj kryeministër më lejo që t’i kujtoj disa fjalë të një burri të madh shqiptar që nuk lejonte të krijonte asnjëherë dilema të tilla për popullin e vet, por i mbante edhe popullin edhe aleatët bashkë. ‘Drejtimi i shtëpisë pa miqtë është i pamundshëm’. Ibrahim Rugova, 16 tetor 1998”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat