Lufta për karrige, Agim Veliu godet Lumir Abdixhikun dhe Ekrem Hysenin

Aktuale

Lufta për karrige, Agim Veliu godet Lumir Abdixhikun dhe Ekrem Hysenin

Më: 15 janar 2022 Në ora: 21:38
Agim Veliu, Ekrem Hyseni dhe Lumir Abdixhiku

Agim Veliu, i cili po pretendon se është kryetar i LDK-së në Podujevë, ka thënë se në partinë e tij “kryetarllëkun” e jep Kuvendi, e jo komandimet. Përmes kësaj deklarate Veliu goditi kryetarin e partisë së tij, Lumir Abdixhikun dhe kryetarin e LDK-së në Podujevë, Ekrem Hysenin.

Veliun s’e la Abdixhiku të kandidojë për kryetar, e Hyseni s’mundi të bëhet kryetar i Podujevës sepse e mundi Shpejtim Bulliqi.

Tash pas zgjedhjeve, meqë karrigia e kryetarit të Podujevës u bë e pamundur, ju sulën asaj të kryetarit të degës në Llap.

Humbja e Podujevës, hapi fronte të reja brenda LDK-së në Llap. Duket se pas shkarkimeve, Veliu ende synon fitore në gara politike. Sot, Veliu nga Gjermania e quajti vetën kryetar të LDK-së në Podujevë.

Menjëherë pas kësaj, Ekrem Hyseni, tha se se këtë post e mban vetë, pasi është ngarkuar nga Kryesia e LDK-së.

“Kryetar i LDK-së në Podujevë jam unë, jam emëruar nga Kryesia Qendrore e LDK-së”, ka thënë Hyseni.

E lidhur me këtë çështje, Veliu ka thënë se në LDK nuk ka kryetar me komandime. Sipas tij, kryetarin e zgjedh dhe shkarkon vetëm Kuvendi i Degës.

“Kryetar me komandime në LDK nuk ka pasur kurrë. Kryetarin e degës në LDK e zgjedh Kuvendi i Degës, i cili i ka 101 delegatë dhe vetëm Kuvendi është legjitim në bazë të statutit kryetarin e degës, por edhe me shkarku kryetarin e degës nëse është e nevojshme”, është shprehur Veliu.

“Asnjë organ tjetër i LDK-së nuk ka të drejtë ta emërojë apo shkarkojë kryetarin… sepse nëse kështu veprohet kalohet në një lloj anarkie, e që LDK-ja s’e ka pasur për traditë asnjëherë”, ka thënë Veliu.

Tutje, Veliu nga Gjermania tha se Ekrem Hyseni mund ta quajë vetën kryetar, por nuk është legjitim.

“Në një proces të ardhshëm zgjedhor, kushdo që zgjidhet kryetar nga organi kompetent i LDK-së, ai e ka mandatin ta udhëheqë degën. E jo me komandime, ai (Ekrem Hyseni) po e quan vetën, mund ta quajë vetën por nuk është kryetar legjitim”, ka thënë Veliu.

Ish-kryetari i Podujevës ka thënë se LDK-ja fillimisht duhet të mbajë zgjedhje të brendshme në disa degë tjera që tradicionalisht kanë pasur rezultate të dobëta në zgjedhje. Podujeva, sipas tij, për shkak të rezultateve të mira, nuk është dashur të trajtohet siç është trajtuar.

“Unë besoj që përpara Podujevës, janë disa degë tjera që tradicionalisht kanë pasur rezultate të dobëta në procese zgjedhore. Podujevën në çdo proces zgjedhor e ka fituar LDK-ja. Në një proces zgjedhor nuk kemi dalë mirë as ne. Por, nuk ka qenë radha të fillohet me masa e shkelje në degën më të fuqishme të LDK-së, nuk ka qenë e nevojshme”, ka thënë Veliu.

“Kryesia aktuale e LDK-së e ka marr një vendim të kundërligjshëm në shkelje të statutit. Unë kam parashtruar një ankesë por nuk kam marrë përgjigje. Para disa ditëve ju kam drejtuar LDK-së me një letër, ua kam përcjell edhe ankesën time, kam kërkuar ta kem një përgjigje për atë se çfarë kanë vepruar ata”, ka thënë Veliu.

Gjitashtu, Veliu tregoi edhe rolin e tij në zgjedhjet e fundit të LDK-së në Podujevë, si kryetar i saj.

“Është e vërtetë që nuk kam punuar kundër LDK-së, nuk e kam dëmtuar. Një grup i caktuar ka pasur një kërkesë që unë të mos përfshihem në atë proces, sipas vlerësimit të tyre, ata kanë menduar se nëse unë përfshihem mund t’i dëmtoj ata. Unë e kam respektuar vullnetin e tyre, nuk e kam dëmtuar LDK-në, kam vepruar ashtu siç ka qenë kërkesa e tyre dhe në fund të procesit LDK-ja nuk pati sukses, për të cilën mua më vjen shumë keq sepse kanë qenë rrethana të favorshme”, ka thënë Veliu.

“Mirëpo, mosmenaxhimi i duhur, mosnjohja e duhur e LDK-së, distancomi nga e kaluara, një distancim i pashembullt që ka ndodhur në atë proces zgjedhor, mohimi i punës 30-vjecare të LDK-së, duke u thirrur në vizion të ri, grup i ri… dhe më vjen keq…”, tha Veliu.

E krejt në fund, në pyetjen se a do të fitonte kundrejt Shpejtim Bulliqit nëse do të garonte në Podujevë, Veliu u shpreh pozitivisht i bindur.

“Unë Shpejtim Bulliqin sa herë të dal në garë me të, jam i bindur se e mundi”, shtoi Veliu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat