Tërhiqet Beogradi, nuk ka referendum në Kosovë - merret tjetër vendim

Aktuale

Tërhiqet Beogradi, nuk ka referendum në Kosovë - merret tjetër vendim

Më: 15 janar 2022 Në ora: 21:54
Foto ilustrim, veriu i Kosovës

(E plotësuar) - Komisioni i Zgjedhjeve në Serbi vendosi të shtunën që serbët nga Kosova do të mund të votojnë në referendumin e Serbisë për gjyqësorin, në disa qytete në jug të saj.

Kryetari i këtij komisioni, Vladimir Dimitrijeviç, tha se serbët e Kosovës do të mund të votojnë në Kurshumli, Novi Pazar, Rashkë e Vranjë, katër komuna në jug të Serbisë që shtrihen jo larg kufirit me Kosovën.

Ky vendim u publikua pak orë pasi parlamenti i Kosovës mbështeti vendimin e qeverisë, për të mos lejuar hapjen e qendrave të votimit në Kosovë, për referendumin e Serbisë mbi ndryshimet kushtetuese, që mbahet të dielën, transmeton VOA.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti thirri mbledhje të jashtëzakonshme të parlamentit, një ditë pasi bashkë me presidenten, Vjosa Osmani dhe kryetarin e parlamentit, Glauk Konjufca, refuzuan thirrjet e diplomatëve perëndimorë për të lejuar mbajtjen e referendumit edhe në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë.

Me 76 vota për, parlamenti miratoi një rezolutë sipas së cilës mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë, "cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, është në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe me normat e praktikat ndërkombëtare".

Autoritete thanë se qytetarët serbë, me shtetësi të dyfishtë, mund të votojnë përmes postës apo zyrës ndërlidhëse të Serbisë në Prishtinë.

Të dielën me 16 janar, Serbia mban një referendum për ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe Beogradi ka paralajmëruar “pasoja afatgjata” nëse Prishtina nuk lejon mbajtjen e tij në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë.

Shefi i grupit parlamentar të Listës Serbe, Igor Simiç, tha se ndalimi i referendumit është “kulmi i veprimeve antiserbe të qeverisë së kryeministrit Kurti”.

Diplomatët e Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian krahas thirrjeve që të lejohet mbajtja e referendumit, u kërkuan qeverive të Kosovës dhe Serbisë “që të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Është e rëndësishme që të dyja qeveritë të arrijnë përparim drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që hap perspektivën evropiane dhe rrit qëndrueshmërinë rajonale”, thuhej në një deklaratë të përbashkët të diplomatëve perëndimorë, që shprehën keqardhjen që “qeveria e Kosovës nuk ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë të grumbullojë fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë për referendumin e së dielës” duke ju referuar praktikës së mëhershme të grumbullimit të votave për zgjedhjet e Serbisë nga misioni i OSBE-së.

Policia e Kosovës tha të shtunën se ndaloi në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dy kamionë me fletëvotimet për referendumin e Serbisë.

Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë tha se i ka njoftuar autoritetet ndërkombëtare lidhur me këtë çështje, ndërsa kritikoi Misionin e Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë që “nuk mori përsipër materialin e referendumit, por as nuk është paraqitur në Merdarë, ku është dashur ta marrë materialin, siç është bërë çdo herë deri më tani në proceset e mëparshme zgjedhore”.

Misioni i kësaj organizate në Kosovë tha të shtunën se kishte qenë i gatshëm për grumbullimin e votave, por për këtë nevojitet pëlqimi i të gjitha palëve dhe në mungesë të tij kjo ishte e pamundur.

Kosova, nuk e ka penguar pjesëmarrjen e serbëve lokal në zgjedhjet e Serbisë, por autoritetet thonë se ka dallim ndërmjet zgjedhjeve dhe çështjeve të brendshme të një vendi, siç është referendumi i së dielës në Serbi.

Beogradi vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve në shkëmbim të integrimeve evropiane.

***

Beogradi zyrtar është tërhequr nga mbajtja e referendumit kushtetues në Kosovë, pasi Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën që s’e lejon një gjë të tillë.

Komisioni Republikan i Zgjedhjeve në Serbi mori vendim që serbët e Kosovës mund të votojnë në referendumin e nesërm në disa qytete të Serbisë.

Sipas këtij vendimi në 45 vendvotime do të shtohen emrat e votuesve nga Kosova të cilët do të mund të votojnë në referendumin për ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë në fushën e drejtësisë.

Votuesit serbë nga Kosova do të mund të votojnë në vendvotimet në Kurshumli, Novi Pazar, Rashkë dhe Vranjë, shkruajnë mediat serbe.

Në Vranjë kanë mundësi vote serbët nga komuna e Vitisë, Gjilanit, Kamenicës dhe Novobërdës, derisa në Novi Pazar ata nga Istogu, Klina, Peja, Gora, Prizreni dhe Rahoveci.

Serbët nga Fushë Kosova, Lipjani, Prishtina, Ferizaj, Shtërpca dhe Obiliqi do të votojnë në Kurshumli, derisa ata nga Vushtrria, Zveçani, Zubin Potoku, Mitrovica dhe Leposaviqi në Rashkë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat