“Vëllazëria” PDK - Lista serbe, dhe aleanca Vuçiq – Thaçi! / A mos jeni për referendum që e ndan Kosovën?!

Aktuale

“Vëllazëria” PDK - Lista serbe, dhe aleanca Vuçiq – Thaçi! / A mos jeni për referendum që e ndan Kosovën?!

Nga: Idriz Morina Më: 16 janar 2022 Në ora: 14:39
Hashim Thaçi dhe Vuçiq, si duket kanë lidhur një aleancë tejkohore!?

Për herë të parë në Kosovë një parti politike, madje jo e vogël, por që ka udhëhequr me qeveritë e Kosovës më shumë se çdo parti tjetër, hyri në aleancë të hapur me Listën serbe!

Aleancën e shpalli çuditërisht me shumë bujë një ekspert i drejtësisë, të premten, i cili do të duhej të ishte njëri nga apologjetët më të mëdhenjë të Kushtetutës së Kosovës.

Abelard Tahiri, që i ka shërbyer aq gjatë Thaçit, ende të gjithë përkushtimin e tij intelektual ia dedikon si rob i devotshëm atij, Njeriut që askush më shumë se ai nuk akuzohet për pjesëmarrje në organizim të vrasjeve politike dhe me karakter politik, të kundërshtarëve dhe rivalëve edhe brenda llojit.

Abelard Tahiri, nëse e ka meritu një “doktoratë” për shërbim ndaj krimit apo me shpresë për pastrim të krimit, tashmë e meriton edhe një “doktoratë” për mbrojtje të interesave serbe në Kosovë.

Si dihet ndoshta një ditë këtë ‘doktoratë’ do ta merrë si dekoratë në Serbi, për mbrojtjen me përkushtim të interesave të saja!

Abelardi nuk është vetëm!

Abelard Tahiri nuk ishte i vetëm në këtë ndërmarrje. Nëse ai do ta kishte bërë këtë pas vendimit të partisë, nuk do të binin të gjitha ‘gjynahet’ mbi supet e tij. Por, Partia Demokratike, kryetari i saj Memli Krasniqi zgjodhën të heshtnin. Ky mund të shihet edhe si një inkursion ndaj udhëheqjes së Krasniqit, i cili nuk bëzani edhe pas deklarimeve të Tahirit, edhe pas bojkotimit të Rezolutës për mbështetje të veprimeve të institucioneve në dobi të ruajtjes së sovranitetit.

Të bojkotosh një seancë të atillë është baraz me pajtimin se sovranitetin në veri nuk duhet ta ketë Kosova, e atje s’ka kush tjetër ta bëjë këtë veç Serbisë.

Një aleancë e plotë dhe në përputhje me aleancën Thaçi-Vuçiq, e cila po çonte drejt copëtimit të Kosovës, shpërbërjes së shtetit.

Për dallim nga Abelard Tahiri, një ikonë intelektuale e PDK-së, intelektuali prof.Dr.Arsim Bajrami, pavarësisht shërbimit që i ka bërë Thaçit dhe të tjerëve nuk ka rënë dhe as tash nuk ra në këso niveli të paskrupulltë, të daljes kundër atdheut, për shkak se ke pranuar të jesh rob vullnetar i Thaçit.

Arsim Bajrami madje e ka argumentuar shumë qartazi pse referendumi i Serbisë në Kosovë është antikushtetues.

Edhe ish-këshilltari i Kadri Veselit, Dr.Blerim Latifi ju gëzua mos mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë!

Nuk është në pyetje Abelardi, vetëm pse i shërben Thaçit dhe të keqes, por ku mbetet nga sot dinjiteti i tij shkencor, madje është në pyetje nëse e ka pasur ndonjëherë dinjitetin e duhur shkencor dhe etikë!

Çka meriton Memli Krasniqi?!

Po çka meriton Memli Krasniqi?! Ai ndoshta e kuptoi përfundimisht se çka do të thotë të jesh një kryetar kukull, dhe se sa e vështirë është të menaxhosh me një parti, ku zëri i bashkuar i grupeve kriminale, është më i fuqishëm se çdo ide për pavarësi dhe sovranitet!

Ata shpëtimin e vetvetes e kanë primar, të lirisë së tyre, parave dhe të pasurive të tyre të panumërta e të pafundme!

Ai duhet ta kuptojë se tashmë ka hyrë në një robëri të re!

PDK-ja e tij (grupimi i tij), dëshmoi se ka një “vëllazëri” shumë më të madhe se sa me partitë simotra shqiptare. Ajo u nda nga rezoluta për mbrotjtje të sovranitetit nga Serbia dhe iu bashkua bojtkotimit nga Lista serbe!

Sigurisht që edhe disa deputetë të tjerë, edhe figura të PDK-së nuk mund të pajtoheshin me këto qëndrime të gabuara, të atyre që u mblodhën rreth Abelard Tahirit, dhe të një imitimi te keq të vetë politikave të Thaçit!

Ndoshta Abelard Tahiri dhe mbështetësit e ndarjes së Kosovës, po e presin një pyetje për një tjetër ndryshim Kushtetues:

A mos jeni për një referendum që e ndanë Kosovën!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat