Miftaraj: Ky Kryeprokuror nuk i duhet Drejtësisë në Kosovë

Aktuale

Miftaraj: Ky Kryeprokuror nuk i duhet Drejtësisë në Kosovë

Nga: M.L. Më: 16 janar 2022 Në ora: 19:27
Ehat Miftaraj

Ditë më parë, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në takimin e parë të mbajtur për vitin 2022, vendim për shpalljen e konkursit për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Aleksandër Lumezit, i cili aktualisht ushtron këtë pozitë, i përfundon mandati me 21 prill 2022.

KPK-ja në këtë takim ka themeluar edhe Panelin Vlerësues për poentimin e kandidatëve që aplikojnë për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Emri i Aleksandër Lumezit në vazhdimësi ka qenë pikë reference për mosfunksionimin e sistemit të akuzës në Kosovë.

Problemet e shumta me të cilat është përballur ndër vite sistemi i drejtësisë në Kosovë, kanë ngritur shqetësimet se procesi i zgjedhjes së Kryeprokurorit të ri nuk do të jetë transparent.

Lidhur me këtë, Ehat Miftaraj, Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi(IKD), thotë për gazetën “Bota sot”, se nëse procesi do të jetë transparent, i pavarur dhe i paanshëm nga ky proces do të dal një Kryeprokuror i Shtetit me integritet, edhe mund të ketë shpresë për këndelljen e sistemit prokurorial.

“Varësisht nga fakti nëse KPK-ja do të zhvillojë proces transparent dhe mbi bazën e meritës së kandidatëve që aplikojnë do të varet edhe roli dhe ndikimi i Kryeprokurorit të Shtetit. Nëse procesi do të jetë transparent, i pavarur dhe i paanshëm dhe nga ky proces do të dal një Kryeprokuror i Shtetit me integritet edhe mund të ketë shpresë për këndelljen e sistemit prokurorial ose një hap drejt kthimit të besimit në këtë institucion kaq të rëndësishëm në një shoqëri demokratike. Se sa do të ndodh kjo në realitet do të jetë lehtësisht e kuptueshme varësisht se kush do të propozohet për dekretim tek Presidenti i Republikës”, ka deklaruar Miftaraj.

Tutje ai ka thënë se propozimi i njerëzve të ricikluar nëpër pozita të ndryshme në sistemin prokurorial do të jetë sinjal i vazhdimit të qasjes së njëjtë.

Kështu, sipas Miftarajt, për ta fituar besimin për një proces transparent atëherë në këtë pozitë duhet të emërohet një kandidat i panjohur për publikun.

“Nëse do të propozohen emra të cilët në 10 vitet e fundit janë ricikluar në pozita të rëndësishme brenda sistemit prokurorial, qoftë në kapacitet të anëtarëve të KPK-së apo kryeprokuror të prokurorive përkatëse, do të jetë sinjal i vazhdimit të qasjes së njëjtë.

Përderisa, nëse nga ky proces do të dalë ndonjë kandidat, i cili nuk është i njohur për publikun për afera që kanë ndodhur në vitet e fundit apo që ka raste të dëshmuara suksesi, mund të fitojmë besimin për një proces të bazuar në meritë”, përfundon Miftaraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat