​Kurti mori pjesë në ekspozitën kushtuar veprimtarëve Gërvalla, Zeka, Mala e Berisha

Aktuale

​Kurti mori pjesë në ekspozitën kushtuar veprimtarëve Gërvalla, Zeka, Mala e Berisha

Më: 17 janar 2022 Në ora: 23:37
Kryeministri Albin Kurti

Pas ceremonisë së hapjes së manifestimit “Flaka e Janarit 2022”, që kësaj here iu kushtua veprimtarëve të çështjes kombëtare Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, kryeministri Albin Kurti vizitoi ekspozitën e hapur “Rezistenca”, ku janë ekspozuar pikturat e 61 artistëve kosovarë.

Në fjalën e rastit, kryeministri Kurti e vlerësoi të qëlluar hapjen e ekspozitës, duke e pasur parasysh që veprimtarët Gërvalla, Zeka, Mala e Berisha, përveçse veprimtarë të çështjes kombëtare ishin edhe krijues artistikë.

Kurti tregoi se gjatë vizitës që i bëri kullës së Gërvallajve në fshatin Dubovik dhe te varret e tyre te një bli i cili, siç tha ai, është aq i vjetër sa që askush nuk e di as është i vjetër, ka parë orenditë dhe gjësendet e tjera të Jusufit e Bardhoshit, në mesin e të cilave ka shumë instrumente artistike.

“Aty ka kitarë, por ka gjithashtu edhe ditarë, ka prozë e poezi, por ka edhe këngë. E shumë mirë që pas akademisë përkujtimore që u bë në përkujdesjen time sot në Prishtinë e kësaj që u bë sot në Gjilan, bashkë me kryetarin e Gjilanit Alban Hyseni erdhëm në këtë galeri, meqenëse të gjithë veprimtarët kanë qenë jo vetëm krijues shoqërorë, por edhe artistikë”, tha kryeministri Kurti.

Kurti tha se përveç shkrimeve, fjalimeve që ata i kanë prodhuar, përveç këngëve që i kanë kompozuar e kënduar, është e domosdoshme që ta kemi edhe pikturën e vizatimin, të gjitha këto krijime që janë shprehje e shpirtit krijues të brezit aktual, në mënyrë që përvojat tona në këtë formë t’ia paraqesim njëri-tjetrit. 

“Besoj që e kam parë gjysmën e kësaj ekspozite. Po pres që ta shoh edhe gjysmën tjetër në këtë anë, por mund të them se këtu ka talent, ka shumë entuziazëm, i cili duhet të mbështetet edhe nga institucionet lokale edhe ato qendrore për shkak se njerëzit, të cilët prodhojnë, krijojnë e ndërtojnë që ta bëjnë vendin tonë edhe më të dashur”, tha Kurti.

Kurti falënderoi pjesëmarrësit në ekspozitë, duke thënë se galeria nuk është vetëm bashkësi e punimeve artistike, por edhe komunitet i njerëzve artdashës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat