Alon Ben-Meir: Bideni ka afinitet me Kosovën, Kurti duhet të ndjekë këshillën e SHBA-së

Aktuale

Alon Ben-Meir: Bideni ka afinitet me Kosovën, Kurti duhet të ndjekë këshillën e SHBA-së

Më: 18 janar 2022 Në ora: 13:04
Alon Ben-Meir

Eksperti i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, Alon Ben-Meir ka folur për ngecjen e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, për mundësinë e njohjeve të reja e po ashtu edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se për t’i arritur synimet e veta, Kosova, përkatësisht Qeveria Kurti, duhet të fokusohet në çështje të brendshme.

“Edhe pse është e rëndësishme që Kosova t’i bashkohet organizatave ndërkombëtare dhe të kërkojë njohje të mëtejshme nga vendet e tjera, duhet të kujtojmë se Kosova tashmë është njohur nga mbi 100 vende, duke përfshirë shumicën e shteteve anëtare të BE-së dhe SHBA-në. Ajo ku qeveria Kurti duhet të fokusohet janë çështjet e brendshme, veçanërisht zhvillimet ekonomike, çështjet e të drejtave të njeriut, eliminimi i korrupsionit dhe sigurimi i një gjyqësori të pavarur. Statusi i Kosovës matet dhe do të matet me fuqinë e saj të brendshme dhe marrëdhëniet e saj të mira fqinjësore, pavarësisht nga mosmarrëveshjet e vazhdueshme me Serbinë. Vetëm një Kosovë e fortë brenda vendit do të çonte në njohje më të mëdha, do të hapte derën për anëtarësim në organizata të tjera ndërkombëtare dhe do të dobësonte pretendimet e Serbisë ndaj vendit”, tha Ben-Meir.

Ai shton se përderisa Rusia vazhdon të bllokojë njohjen e Kosovës nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dhe përderisa Moska dëshiron ta pengojë Serbinë të anëtarësohet në BE, do të jetë e vështirë të arrihet një marrëveshje ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

“Marrë parasysh këtë, Prishtina duhet të jetë e hapur që të krijojë transaksione me Serbinë në çdo nivel përderisa një bashkëpunim i tillë nuk rrezikon pavarësinë e saj. Kosova nuk duhet ta lejojë veten të bëhet peng i mungesës së zgjidhjes me Serbinë, gjë që është pikërisht ajo që duan Beogradi dhe Moska”, tha Ben-Meir.

Profesori Ben-Meir foli edhe për rolin e presidentit Joe Biden në raport me Kosovën.

“E dimë se Biden ka një afinitet të fortë me Kosovën, por duke pasur parasysh preokupimin e tij me çështjet kryesore të brendshme në SHBA, veçanërisht pandeminë dhe legjislacionet e ndryshme që ai dëshiron të miratojë, ai padyshim që do t’i kushtojë më pak vëmendje çdo çështjeje të marrëdhënieve me jashtë, që nuk është urgjente. Siç e theksova edhe më herët, Kurti duhet të ndjekë këshillën e SHBA-së për “normalizimin” e marrëdhënieve me Serbinë, vetëm deri në një masë të mundshme pa iu nënshtruar kërkesave të Serbisë”, u shpreh ai. 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat