PDK: Jemi kundër rritjes së çmimit të rrymës, Qeveria të mos e ngarkojë xhepin e familjeve

Aktuale

PDK: Jemi kundër rritjes së çmimit të rrymës, Qeveria të mos e ngarkojë xhepin e familjeve

Më: 18 janar 2022 Në ora: 14:16
Blerand Stavileci

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci përmes një konference për media ka shprehur shqetësimin e kësaj partie lidhur me propozimet për shtrenjtimin e energjisë elektrike, gjë që do ta godas rëndë xhepin e qytetarëve të e Kosovës, tashmë të rënduar nga përballja me pandeminë.

Stavileci duke thënë se pak më shumë se një dekade shtet, Qeveria po instalon pabarazi dhe diskriminim dhe me vetëdije të plotë po e kthen vendin tek subvencionimi i tarifave dhe te reduktimet, ka theksuar se është tërësisht e padrejtë dhe thellësisht diskriminuese që 30% e konsumatorëve të bartin koston shpenzimit të 70% të konsumatorëve të tjerë.

Kjo pritet të jetë rritja më madhe e çmimit të energjisë elektrike në historinë e vendit dhe PDK e kundërshton fuqimisht këtë veprim.

Fjalimi i plotë i Blerand Stavilecit:

Partia Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin më të thellë për gjendjen e krijuar në vendin tonë, sidomos pas propozimeve për shtrenjtimin e energjisë elektrike, të cilat do t’i godasin rëndë qytetarët e vendit tonë në cilësinë e konsumatorëve të rregullt, amvisëritë dhe bizneset.

Paralajmërimet tona të shumta ndaj Qeverisë për të ndërmarrë hapa adekuatë për zgjidhjen e problemeve me kohë, në mënyrë që edhe të ketë furnizim të sigurt me energji e edhe të mos ketë ngritje të çmimeve, sot janë bërë realitet dhe masat e propozuara nuk përkojnë aspak me gjendjen ekonomike të familjeve kosovare.

Propozimi për rritjen e tarifave të energjisë pas një periudhe të rëndë ekonomike si rezultat i pandemisë, e cila po vazhdon të jetë e tillë, madje edhe më e rënduar, është njëra nga goditjet më të ashpra që po i bëhet qytetarëve të vendit tonë sot, të cilët, fatkeqësisht dhe padrejtësisht, do të përballen me pasojat e shtrenjtimit më të madh të rrymës në historinë e Kosovës.

Kjo rritje do të rëndojë edhe më shumë mirëqenien sociale të qytetarëve dhe pabarazinë sociale, veçanërisht në kohën kur edhe ashtu të gjitha çmimet e produkteve primare të konsumit janë rritur dhe kjo rritje do të vazhdojë me efekte zingjirore edhe më të mëdha.

Përmes kthimit te blloktarifa po tentohet të zhvendoset piku i konsumit dhe të stimulohet kursimi, por në të njëjtën kohë kjo rritje po përcillet me një diskriminim të drejtpërdrejtë për konsumatorët të cilët energjinë elektrike e kanë si burim të vetëm të ngrohjes, e në anën tjetër nuk po shohim asnjë masë të mbështetjes së mirëfilltë nga Qeveria qoftë në ofrimin e burimeve alternative qoftë në efiçencën e energjisë.

Thënë ndryshe në qoftë se të hyrat maksimale të lejuara nga 314 milionë Euro kanë shkuar në 446 milionë Euro, kosto shtesë e sistemit është 132 milionë Euro. Nën supozimin se Qeveria subvencionon me 75 milionë euro atëherë kosto shtesë për konsumatorët e goditur është 57 milionë Euro apo mesatarisht 285 Euro mbi vlerën aktuale të faturës vjetore.

Rritja reale totale është 42%, por për shkak të blloktarifave, rritja te konsumatorët 800 dhe 1000 kW/h është 57% dhe 87%.

Pra, përsërisim se është tërësisht e padrejtë dhe thellësisht diskriminuese që 30% e konsumatorëve të bartin koston e rritjes të krejt sistemit apo të 70% të konsumatorëve të tjerë. E në fakt kemi të bëjmë me më shumë se 50% nëse llogariten amvisëritë reale ku jetohet dhe punohet çdo ditë e të cilat shpenzojnë më shumë se 600 kW/h në muaj.

Për më keq, kjo rritje mund të adresojë nevojat për koston e sistemit në periudhën para nesh, por nuk ka asnjë përgjigje se si do të trajtohen borxhet aktuale mes palëve të sektorit të cilat kalojnë shifrën e 100 milionë eurove. Për më shumë, sot rrjeti ynë i transmisionit KOSTT, si shtylla kryesore e sigurisë së furnizimit, është para kolapsit financiar.

Absurdi më i madh në gjithë këtë konfuzion dhe pasiguri të krijuar nga ana e Qeverisë, është se kjo rritje nuk po ndodhë si rezultat i investimeve të reja në funksion të sigurisë së furnizimit, por si rezultat i zhvendosjes së sigurisë sonë të furnizimit në tregun rajonal të importit.

Pra, pas pak më shumë se një dekade shtet, Qeveria po na kthen me vetëdije të plotë tek subvencionimi i tarifave dhe te reduktimet. Qeveria po instalon pabarazi dhe diskriminim.

Sipas planeve të paralajmëruara Qeveria ka premtuar subvencionim të sektorit për periudhën e ardhshme me rreth 75 milionë euro, por nga ana e saj nuk kemi asnjë informacion se cili do të jetë burimi i këtyre mjeteve, pasi që nuk kemi pozicion të tillë të paraparë me buxhetin e vitit 2022, edhe pse periudha në të cilën është draftuar dhe miratuar buxheti ka qenë periudhë e krizës së filluar dhe të paralajmëruar energjetike nga të gjitha qarqet.

Po ashtu nuk kemi asnjë transparencë se si dhe cili do të jetë mekanizmi shpërndarës i këtij subvencionimi dhe mekanizmi monitorues i implementimit.

Njëkohësisht nuk po shohim asnjë masë se si të ndihmohen konsumatorët e parregulluar (Trepça, Sharrcemi dhe Ferronikeli), të cilat janë në gjendje të rëndë e ku me mijëra familje punëtorësh rrezikohen për të ardhmen e tyre.

Dhe, më e rënda nga të gjitha, në 1 vjet qeverisje, nuk kemi fillimin e asnjë projekti kapital që do të adresonte nevojën për kapacitetet e reja gjeneruese në periudhën afatmesme edhe përkundër gatishmërisë së agjencive donatore dhe institucioneve financiare ndërkombëtare për të mbështetur Kosovën në këtë aspekt, e lëre më të flasim për vizion afatgjatë të sektorit.

Një qasje e tillë e paviziontë, e papërgjegjshme karshi sfidave kaq të mëdha të sektorit, e padrejtë dhe diskriminuese karshi qytetarëve, familjeve dhe bizneseve, e paaftë për gjetjen e zgjidhjeve, po e vështirëson edhe më shumë gjendjen ekonomike, sociale dhe shëndetsore në vendin tonë.

Prandaj përsëri i bëjmë thirrje Qeverisë që të tregohet e përgjegjshme, të dëshmojë aftësi dhe kompetencë, e jo padrejtësi dhe diskriminim, që qytetarëve t’u sigurojë energji të mjaftueshme pa ngritje të çmimeve.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat