Lufta speciale ruso-serbe kundër Kosovës ka filluar! / Dezinformata dhe qëndrime kundër sovranitetit nga shqiptarët

Aktuale

Lufta speciale ruso-serbe kundër Kosovës ka filluar! / Dezinformata dhe qëndrime kundër sovranitetit nga shqiptarët

Nga: Idriz Morina Më: 18 janar 2022 Në ora: 18:32
Baton Haxhiu për ta mbrojtur Thaçin kërkonte, amnistinë e krimeve serbe, zhbërjen e gjykatës speciale, dhe një marrëveshje për veriun e Kosovës

Lufta speciale e Serbisë dhe qarqeve diplomatike antishqiptare ka filluar me një intensitet të rritur.

Referendumi ishte vetëm një sekuencë, por që zbuloi shumë për lidhjet pro serbe të disa politikanëve dhe të figurave publike. Zbuloi se shumë nga ato që ishin thënë për disa udhëheqës të PDK-së, mund të qëndrojnë të parrëzueshme.

Klubi Haxhiu

Është e habitshme, se janë thuaja po ato grupe që ishin kategorike në përkrahje të Hashim Thaçit për ndarje të Kosovës, që edhe në vazhdim po qëndrojnë ‘stoikisht’ bashkë.

Kështu në të njëjtën vijë me Grupin Parlamentar të PDK-së, u treguan bile si bartës të tij, edhe Baton Haxhiu, Berat Buzhala, që për disa vite kanë qenë të ndarë nga ky lloj grupimi, pastaj eksponentë të LDK-së, si Driton Selmanaj, dhe çuditërisht, megjithëse me një metaligjërim të Rezolutës së Kuvendit, Skender Hyseni.

Skender Hyseni u mundua ta përligjte qëndrimin e tij, si qëndrim opozitar kundër Rezolutës, duke i bërë një metaligjërim atij të Albin Kurtit, se kinse nuk mund ta thirrte Kuvendin Kryeministri për t’i kërkuar Qeverisë që ta obligojë atë në kryerjen e detyrave kushtetuese.

Hyseni sigurisht se nuk bën pjesë në të njëjtën valle me Baton Haxhiun dhe PDK-në, por kur ishte ministër (i Punëve të Brendshme), ai bashkë me Hashim Thaçin – atëherë Ministër i Jashtëm - kanë nënshkruar në Vjenë marrëveshjen në dëm të Kosovës për demarkacion me Malin e Zi, e cila marrëveshje e varrosi qeverinë Mustafa.

Natyrisht që ligjërimin mund ta përdorësh si don t’i, por në raste të trysnisë së madhe ndërkombëtare, Kuvendi është i vetmi institucion pas të cilit mund të fshihesh, apo mund të mos fshihesh! Goditja, ndryshe mund të ishte fatale për çdo qeveri apo kryeministër.

Praktika e çoroditur

Pa një vendim të Kuvendit, nuk këputej dot, praktika e çoroditur antikushtetuese e lejuar nga viti 2012 nga qeveritë e kaluara, në emër të cilave po thirret edhe BE-ja për ta fajësuar Kosovën, duke u munduar ta paraqesë si shkelëse dhe penguese të të drejtave dhe lirive për pakica.

Por është i tmerrshëm tregimi nga ata që e mbështesin Hashim Thaçin, dhe projeksionet që shfaq Baton Haxhiu, se Serbia nuk mund të largohet si problem, nëse ajo nuk merr diçka, dhe se është, sipas Haxhiut e pamundur që “Kosova të fitojë gjithçka dhe Serbia asgjë”!

Sipas logjikës së Haxhiut, Serbia duhet të marrë diçka, e që në pajtim me shefat e tij, kjo diçka është veriu.

E thënë sa thjesht, thuajse po ia jep një pjesë të fitimit të tij, apo thuajse po ua kthen të mirat që ia ka bërë Serbia.

Bashkëpunimi, qoftë edhe në distancë me Haxhiun, patjetër se është i rrezikshëm, edhe në rastin e ‘flirtimit’ si Skenderi.

Baton Haxhiu në prill të vitit 2020, pak kohë para se tw publikohej aktakuza ndaj Hashim Thaçit prej gjykatës speciale, do të kërkonte, amnistinë e krimeve serbe, zhbërjen e gjykatës speciale, dhe një marrëveshje për veriun e Kosovës, më saktë ndarjen e tij.

“Kemi tri elemente që duhet të ketë marrëveshja. E para është Gjykata Speciale dhe zhbërja e saj. E dyta ka të bëj me amnistinë në të dy vendet, pas 20 vitesh s’kanë çfarë dënohen më njerëzit. Dhe e treta është definimi i veriut. Nuk ka probleme të tjera me marrëveshjen”, deklaronte në T7 Haxhiu. Ai me definim të veriut, si e sqaruam më lartë e nënkuptonte ndarjen e tij, ku pritej që pjesën më të madhe ta merrte Serbia.

Ndërsa, për t’i budallallepsur një pjesë të shqiptarëve, Kosova do të merrte në emër të Kosovës Lindore disa fshatra të asaj pjese, që kryesisht kanë qenë nën administrim të Kosovës, por para se ajo të kishte një autonomi të mirëfilltë, dhe mundësisht edhe qytetin e Preshevës. Në këtë të ashtuquajtur ‘shkëmbim’ Kosova do të humbiste së paku 5 % të territorit aktual, dhe në një rishikim të plotë kufiri në emër edhe të delimitimit, do të humbiste në tërësi 7-10 %, ndërsa që rreth 0.8% e ka humbur me Malin e Zi.

Në këtë logjikë të mendimit do të interferohej nganjëherë edhe Lutfi Haziri, një tjetër eksponent me ndikim i LDK-së.

Baton Haxhiu në vazhdimësi është akuzuar se ka bashkëpunuar me serbë, ndërsa gjatë procesit të gjykimit në Hagë, Millosheviçi, serbisht i kishte thënë, “ti njeri i ynë”, pra duke e lënë të kuptohet qartë se ka qenë i angazhuar nga Serbia.

Ka disa vite që ai, është akuzuar publikisht për devijim, aq sa në një moment, e kishin larguar nga TV Klani, por që ishte rikthyer në punë me ndërhyrjen e Hashim Thaçit.

Pa shkuar shumë kohë, siç rezultoi me skandalin e publikimit të të dhënave të pagave dhe përfitimeve në Shqipëri, Haxhiu atje merrte pagë vetëm 250 euro në muaj nga portali i tij, “Albanian Post”, por çuditërisht merrte rreth 15 mijë euro në muaj së paku nga janari i vitit 2021, madje si drejtor i marketingut në Spitalin Amerikan në Tiranë.

Ende pa u zbardhur misteri, se nga mund t’i merrte në një firmë të ‘huaj’ 15 mijë euro në muaj, e në firmën e tija vetëm 250 euro në muaj, plasi skandali tjetër.

Si duket ky i dyti mund ta argumentojë se nga i merr përfitimet tek skandali i parë i publikuar në Shqipëri.

Financimi rus në Kosovë

Një medium në Kosovë, që thirret “Paparaci”, ka shkruar se Baton Haxhiu si botues po shpërndan mashtrime, dhe madje në dukje dezinformata ruse.

“Sipas një përgjigje të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, informata e shpërndarë nga mediumi i botuesit Haxhiu është “trillim i plotë” dhe “duket të jetë dezinformim rus””.

Mediumi i Haxhiut, “Albanian Post”, ka raportuar të enjten që shkoi, se pritet tërheqja e trupave të ushtrisë amerikane nga baza e “Bondsteel”-it në Kosovë, që është baza më e madhe e KFOR-it, dhe ndoshta baza më e madhe amerikane në Europë.

Sipas një studimi amerikan të botuar më parë në “Foreign Affairs”, Moska ka kohë, që ka filluar fushata dezinformimi në Ballkan dhe që rol kyç ka edhe kisha ortodokse, përkatësisht angazhimi i klerit fetar kundër të vërtetës për shqiptarët.

"Moska ka nisur operacione informacioni për të ndezur tensionet etnike dhe për të nxitur protesta, ...Kremlini po e përdor tani Kishën Ortodokse për të destabilizuar vendin dhe më gjerë rajonin. Kisha Ortodokse e Rusisë ka përshkallëzuar mosmarrëveshjet e përsëritura mbi objektet fetare, më së fundi duke shprehur shqetësimin për "fatin e faltoreve të krishtera në Kosovë" pas ndezjes së tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në analizën amerikane.

Po ashtu burime të gazetës “Bota sot”, ditë më parë kanë dëshmuar se si vetëm për luftimin e një institucioni, nga burime financiare ruse, janë zotuar mbi 1.5 milion euro në Kosovë!

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat