Ministri Latifi tregon masat e reja anti-Covid që do të ndërmerren

Aktuale

Ministri Latifi tregon masat e reja anti-Covid që do të ndërmerren

Më: 20 janar 2022 Në ora: 10:44
Rifat Latifi

(E plotësuar 11:34) - Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka deklaruar se për shkak të situatës pandemike do të ketë rishikim të masave anti-COVID, por siç u shpreh ai masat do të jenë në proporcion për mbajtjen hapur të shkollave dhe ekonomisë.

Latifi kështu bëri të ditur pas takimit të Komitetit për koordinim dhe vlerësimin e situatës epidemiologjike lidhur me COVID-19 në Kosovë.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka bërë thirrje për vaksinim, ku edhe ka siguruar qytetarët e Kosovës se vaksinave nuk iu ka skaduar afati.

Latifi: Natyrisht do ketë ndryshim të masave por do të jenë në proporcion me mbajtjen e shkollave dhe ekonomisë hapur

“Natyrisht që do të ketë ndryshim të masave, këto masa do të jenë në proporcion me zhvillimet dhe përhapjen e rasteve përhapjen e COVID-19 dhe do të jenë në proporcion me nevojat e zhvillimit të fëmijëve në shkolla mbajtjen e shkollave hapur, me mbajtjen e ekonomisë hapur[...]Secili prej neve duhet të vaksinohet secili fëmijë duhet të vaksinohet, ata që kanë marr vaksinën e parë duhet ta marrin të dytën dhe të tretën. Ne kemi vaksina mjaftë, vaksinave tona nuk iu ka skaduar afati, të gjitha i kemi të rregullta, prandaj është me rëndësi të jashtëzakonshme që ne të vaksinohemi”, theksoi ai.

Duke mos dhënë shumë detaje për rekomandimet, Latifi shtoi se mund të ndodh që funksionimi i gastronomia të lejohet vetëm deri në orën 22:00.

E këto rekomandime për rishikim të masave, ministri Latifi tha se do i dërgojnë në Qeveri sot apo nesër në mëngjes.

Latifi: Është shumë e mundshme që lokalet duhet të mbyllen në orën 22:00

“Ne kemi diskutuar këtë është shumë e mundshme që lokalet duhet të mbyllen në orën 22:00 të mbrëmjes por këtë do ta vendosim bashkarisht të gjithë[...]Ne do ta dërgojmë këtë në Qeverinë e Kosovës sot pasdite apo nesër në mëngjes”, u shpreh Latifi.

Ndërsa, rishikimi i masave anti-COVID pritet të ndodh për shkak të rritjes së madhe të rasteve me koronavirus. Vetëm gjatë ditës së djeshme janë regjistruar 2 mijë e 50 raste pozitive. Ndërsa, aktualisht në vend janë 7 mijë e 228 raste aktive me koronavirus.

Përfundon takimi i komitetit për menaxhim të pandemisë, këto janë masat e reja që pritet të ndërmerren

Gjatë ditës së sotme, është mbajtur mbledhja e Komitetit për koordinim dhe vlerësimin e situatës epidemiologjike lidhur me COVID-19 në Kosovë.

Siç ishte paralajmëruar, në këtë takim ishte planifikuar diskutimi i mundësisë për vendosjen e masave të reja pas rritjes enorme të rasteve me COVID-19.

Nga objekti i Qeverisë të enjten në mëngjes pas mbledhjes janë parë duke dalë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ai i Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Ky i fundit në një adresim për medie pas takimit ka thënë se masat do të rishikohen dhe se ende janë duke u diskutuar.

Ai nuk ka dhënë detaje duke thënë se kanë diskutuar të mbyllen lokalet në orën 22.Vetëm të mërkurën u regjistruan 2050 raste të reja pozitive, duke e vazhduar trendin ngritës. Aktualisht janë mbi 7200 raste aktive me COVID-19.

Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se shteti ka interesim që t’i mbajë shkollat hapur, pavarësisht rritjes së rasteve pozitive te fëmijët. Ajo ka bërë të ditur se sot gjatë ditës do të mblidhet task-forca e kësaj ministrie për të diskutuar për situatën e krijuar dhe nesër prapë do të ketë takim.

Ndryshe, ditën e mërkurë në Kosovë janë konfirmuar 2050 raste të reja me koronavirus.

MSH u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat antiCOVID, duke njoftuar se varianti Omicron i koronavirusit tanimë është bërë variant dominues në qarkullim.

Aktualisht në Kosovë vlejnë masat kufizuese të ndërmarra gjatë vitit 2021, ku pas orës 24:00 deri në ora 05:00 vlen ora policore, ndërsa, nga 3 janari në Kosovë mund të hyjnë vetëm qytetarët që kanë marrë dy dozat kundër koronavirusit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat