Rasti ku gruaja rrahu me shuplaka burrin, policia dhe spitali me deklarata kontradiktore

Aktuale

Rasti ku gruaja rrahu me shuplaka burrin, policia dhe spitali me deklarata kontradiktore

Më: 20 janar 2022 Në ora: 17:32
Pamje nga vendi i ngjarjes

Deklaratat e Drejtorit të Spitalit të Gjakovës, Ardian Isufit dhe e Policisë së Gjakovës për rastin ku një grua me probleme shëndetësore ka ushtruar dhunë ndaj burrit të saj, i cili është pjesërisht i palëvizshëm, janë kontradiktore mes vete.

Përderisa nga Policia e Gjakovës kanë thënë se për rastin janë njoftuar nga një video që është përcjellë në emailin e Policisë, Isufi thotë se rasti është proceduar sipas të gjitha rregullave.

Sipas tij, burri është ende duke u trajtuar në spital dhe gjendja e tij është e mirë.

“Rasti është proceduar sipas të gjitha rregullave. Gjatë kohës sa jam unë në këtë detyrë, s’ka pasur raste të tjera të tilla. Burri është ende në spital, por gjendja e tij është e mirë. Ndërsa gruaja është liruar, meqenëse ajo ka qenë vetëm përcjellëse”, ka thënë Isufi.

Rastin e ka konfirmuar Drejtori i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta.

“Po, rasti është raportuar më datë 18.01.2022 por që dyshohet të ketë ndodhur më datë 14.01.2022 rreth orës 03:00.  Një videoincizim është pranuar në adresën zyrtare të PK-së ku një person i dyshuar (femër) shihet duke e goditur viktimën (burrë, pacient i shtruar në spitalin rajonal në Gjakovë). Pas identifikimit të personave në videoincizim, policia në Gjakovë ka arrestuar të dyshuarën dhe e njëjta me urdhër të prokurorit ndalohet për 48 orë por për shkak të probleme shëndetësore të natyrës emocionale, e njëjta vendoset në repartin e neuropsikiatrisë në spitalin rajonal në Gjakovë”, ka thënë Graishta.

Detaje të tjera rreth rastit ka dhënë zëdhënësi i Policisë për këtë rajon, Nysret Xhurkaj.

“Me datë 14.01. 2022 rreth orës 03:00 , e dyshuara kishte sulmuar fizikisht viktimën (burrin e saj), i cili është pjesërisht i pa lëvizshëm. Rasti ka ndodhur në repartin e neurologjisë në spitalin “Isa Grezda” – Gjakovë. Viktima ka pësuar lëndime trupore”, ka thënë Xhurkaj.

Ai ka bërë me dije se e njëjta është arrestuar, por se shkaku i problemeve shëndetësore të natyrës emocionale, e njëjta është dërguar në repartin e neuropsikiatrisë në spitalin rajonal në Gjakovë.

“Viktimës i është ofruar ndihma mjekësore, si dhe mbrojtësi i viktimave është njoftuar për rastin e ndodhur, po ashtu prezent ka qene dhe punëtori qendrës sociale. E dyshuara ( bashkëshortja) është shoqëruar në Stacionin policor, është intervistuar dhe në konsultim me prokurorin kujdestar, e njëjta mbahet në ndalim policor, por për shkak te gjendjes se saj mendore, me udhëzim te mjekut psikiatër, e njëjta është hospitalizuar në repartin e psikiatrisë, nën shoqërimin e zyrtarëve policor”, ka thënë Xhurkaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat