Mulliqi: Kështu e realizoi Serbia këtë skenar duke shfrytëzuar minoritetin serb

Aktuale

Mulliqi: Kështu e realizoi Serbia këtë skenar duke shfrytëzuar minoritetin serb

Nga: H.O. Më: 21 janar 2022 Në ora: 09:17
Skënder Mulliqi

Analisti politik, Skënder Mulliqi thotë se Serbia krahas kërcënimeve me luftë, ka futur në funksion tërë arsenalin propagandistik kundër Kosovës dhe të ardhmes të saj.

“Ajo përmes institucioneve të pashuara paralele dhe shërbimeve të tyre sekrete kriminale, ka tentuar që krejt pas luftës, jo vetëm në veri të vendit, por edhe në enklava të krijojë destabilitet politik të shoqëruar edhe me akte të dhunës. Veriu i Kosovës kurrë nuk është kontrolluar sa duhet nga organet tona të shtetit. Është bërë qendra nga po koordinohen të gjitha aksionet antiKosovë. Kohën e fundit ҫetniku Vuҫiq, ka vu në disponim të gjithë arsenalin propagandistik, për të bërë faktike ndarjen e Kosovës mbi baza etnike. Për të realizuar këtë skenar të kamotshëm Serbia me institucionet paralele dhe duke e shfrytëzuar minoritetin serb, ka ble sistemin video-mbikëqyrë të tipit kinez që është nën sanksionet e SHBA-ve, dedikuar shkollave në 12 komunat e Kosovës. Dokumentacioni i këtyre video-mbikëqyrjeve të markës kineze Dahua, të cilat Serbia i ka marrë nga Kina, kanë për qëllim identifikimin e fytyrave”, vlerëson Mulliqi.

Ai thotë më tutje se, dihet se qëllimi kryesor është krejt i karakterit politik dhe vënia nën kontroll e ҫdo institucioni vital të Kosovës dhe të qytetarëve të saj, për të pasur një pasqyrë konkrete lidhur më rrjedhën e të gjitha ngjarjeve në vendin tonë.

“Këto mjete përgjuese sigurisht se kanë edhe qëllime të tjera, që Serbia të krijojë terren të përshtatshëm për subversione edhe të karakterit luftënxitës. Organet tona të rendit dhe ligjit, duhet të jenë më vigjilente, më shumë se kurrë më parë, duke vepruar dhe duke rritur kontrollin lidhur me pajisjet, e instaluara në territorin e Kosovës. Dihet se në këto punë kundër Kosovës dhe pavarësisë së saj është duke marrë pjesë edhe Rusia, e cila me Serbinë janë duke e kërcënuar rajonin dhe Kosovën me një luftë të re. Duhet të pengohet interceptimi i Serbisë brenda Kosovës. Të ndalohet çdo veprimtari e këtyre agjenturave dhe strukturave kriminale të instaluara në Kosovë, edhe nëpërmjet rrjeteve elektronike të spiunimit. Ka ardhur koha që të marrin fund diversionet e ndryshme të këtyre shërbimeve dhe pushtetit fashist të Beogradit në Kosovë”, thekson ai.

Mulliqi duke përmendur rastin e Gjilanit, thotë se dihet edhe veprimi i strukturave paralele, për vendosjen e video përgjimeve në Ranillug, komunë me shumicë serbe.

“Edhe sipas Departamentit të Tregtisë së SHBA-së, Dahua Technology është kompani kineze, e cila që nga viti 2019, gjendet në listën e zezë të SHBA-së për shkak të ndërlidhjes së saj me shkeljet e të drejtave të njeriut dhe fushatën kineze të represionit ndaj ujgurëve në provincën kineze Xinjiang. Kjo na i hapë të gjitha rrugët ligjore për veprim, për të mos lejuar pos tjerash edhe cenimin e të drejtave të njeriut edhe në Kosovë”, thotë Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat