Pse “Omicron” po prek fëmijët? Flet infektologu

Aktuale

Pse “Omicron” po prek fëmijët? Flet infektologu

Më: 24 janar 2022 Në ora: 12:54
Foto ilustrim

Lidhur me numrin e madh të fëmijëve të infektuar por edhe nevojën e vaksinimit ka folur Infektologu Hamdi Ramadani.

Ai  tha se fëmijët që nuk janë të vaksinuar janë të cenuar nga varianti i ri i COVID-19 “Omicron”.

Infektologu Ramadani tha se fëmijët janë duke u prekur më shumë nga varianti “Omicron”, për shkak të kontakteve të cilët ata kanë në shkollë.

“Administrimi i dozës së vaksinës edhe të fëmijët është tash e disa muaj që në nivel botëror jepet vaksina edhe të fëmijë e moshës 12 vjeç e tutje. Ndërsa tash me paraqitjen e valës së re “Omicron” shumë shkencëtarë kanë paraparë që mundë të shfaqet edhe një formë më agresive, që mundë të prek edhe moshat më të vogla se 12 vjeç, dhe kjo grup moshë të futet në programin e vaksinimit dhe imunizimit. Pasi që ky variant është duke sulmuar edhe fëmijët shkollor edhe ata parashkollor. Shumë vende kanë aprovuar që edhe te moshat nën 12 vjeç të administrohet vaksina kundër COVID-19”, tha ai.

Infektologu Ramadani tha se administrimi i dozës edhe për fëmijët nën moshën 12 vjeçare është i pashmangshëm.

“Përhapja e Omicron ka bërë që të sulmohet me të madhe edhe mosha e të rriturve, por paralel me këtë janë duke u prekur edhe fëmijët. Prandaj në këtë kuptim mësimi në distancë (mësimi online) do të jetë një metodë e mirë, që fëmijët të mos jenë në kontakt me personat që e bartin virusin. Dhe do të jetë edhe një hap më i mirë që të zvogëlohet mundësia e përhapjes së virusit, dhe paralel me këtë nuk duhet të harrojmë që fëmijët nga 12 vjeç e tutje duhet që të vaksinohen”, tha Ramadani.

Ai tregoi më tej edhe simptomat që ky variant është duke i shfaqur të fëmijët.

“Për vetë faktin që ky virus gjendet te personi që është infektuar apo është pozitiv, ai në familje në shkollë sa është në kontakt e përhap virusin te fëmija i vogël, dhe “Omicron” e ka këtë fuqi më të madhe ngjitëse. Prandaj normalisht që po e atakon më shumë edhe këtë moshë. Mirëpo tash për tash fatmirësisht fëmijët në aspektin klinik nuk janë duke paraqitur ndonjë ndërlikim të rëndë, serioz apo me komplikime. Por e vërteta është se po paraqitet infeksion, po shkakton simptomatologji, siç janë temperaturë, ethe, humbje të oreksit e të tjera”, tha Ramadani.

Infektologu tregoi më tej arsyet se pse Omicron ka filluar të prek edhe fëmijët, duke pas parasysh që në fillimet e përhapjes së COVID-19 fëmijët ishin më imun ndaj sëmundjes.

“Çështja e pandemisë COVID-19 që tashmë po hynë në vitin e tretë, është dhe do të jetë edhe më tej problem edhe në nivel vendi por edhe global. Fakti që koronavirusi e ndërron formën, ambientin dhe strukturën e vet, po synon të gjitha moshat edhe moshat e minore edhe moshat e rritura. Por në fillim synonte moshat 30-35 vjeç kur aktiviteti i saj ishte më i madh, ndërsa “Delta”, tash edhe “Omicron” ka shkaktuar dhe po shkakton infeksione edhe të fëmijët”, tregoi Ramadani.

Infektologu Ramadani tha më tej se vaksinimi mbetet i vetmi mjet që na siguron mbrojtje dhe do të ndikojë në uljen e intenzitetit të përhapjes së variantit “Omicron”.

Bazuar në raportin e Ministrisë së Shëndetësisë në 24 orët e fundit janë dhënë 6 mijë e 806 doza të vaksinës kundër COVID-19.

“Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.745.9 doza të vaksinës. Deri më sot 801.281 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë. Deri më sot janë dhënë 44.143 doza përforcuese dhe 10.781 doza të treta të vaksinës kundër COVID-19”, thuhet në njoftim.

Ndërsa nga 11 mijë e 913 testime, 2 mijë e 957 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19, prej tyre 1 mijë e 48 fëmijë nga mosha 0-19 vjeç.

Sipas OBSH-së, vaksinimi i fëmijëve kundër koronavirusit është i domosdoshëm në luftën kundër pandemisë. Vaksinat, sipas studimeve, ndikojnë në rritjen e imunitetit ndaj virusit dhe evitimin e hospitalizimit dhe pasojave të rënda nga ky virus.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në disa vende të tjera është miratuar vaksinimi edhe i fëmijëve 5-11 vjeç.

Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA (CDC), fëmijët kanë gjasa aq sa të rriturit për t’u infektuar me koronavirus. Ata po ashtu mund të sëmuren rëndë dhe të kenë pasoja afatshkurtra ose afatgjata.

“Fëmijët që infektohen me koronavirus mund të kenë gjithashtu komplikime serioze, si sindroma inflamatore e shumë sistemeve (MIS-C) – një gjendje ku pjesë të ndryshme të trupit inflamohen, duke përfshirë zemrën, mushkëritë, veshkat, trurin, lëkurën, sytë ose organet gastrointestinale”, thotë CDC-ja.

Vaksinimi mund të ndihmojë që fëmijët të mos sëmuren rëndë edhe nëse e kapin koronavirusin, thekson CDC-ja

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat