​Mehaj takohet me ambasadorin amerikan Hovenier

Aktuale

​Mehaj takohet me ambasadorin amerikan Hovenier

Më: 24 janar 2022 Në ora: 17:39
Foto nga takimi

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, priti sot në takim ambasadorin e ri të SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier me të cilin ka biseduar për intensifikimin e bashkëpunimit bilateral në mes dy vendeve partnere në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale dhe më gjerë.

Mehaj tha se mbështetja e deritashme e SHBA-së ka qenë jetike në zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale me forcat aleate të vendeve partnere dhe anëtare të NATO-së, që u kurorëzua me pjesëmarrjen e kontingjentit të parë të FSK-së në misionin e parë jashtë vendit së bashku me forcat ushtarake amerikane.

Gjithashtu, ai e njoftoi ambasadorin Hovenier edhe me objektivat kryesore të tij duke shprehur vullnetin për realizimin e tyre në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me SHBA-në dhe vendet tjera partnere.

Mehaj theksoi se FSK është dhe do të jetë forcë profesionale me vlera dhe standarde të vendeve të NATO-s nën kontrollin civil demokratik dhe gjithnjë në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim.

Ndërsa, ambasadori Hovenier premtoi se SHBA, përmes bashkëpunimit me Gardën Kombëtare të Ajovës dhe programeve tjera, sikur edhe deri më tash, do të vazhdojë partneritetin e fuqishëm me Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat