Veprimtari në SHBA: Është koha që Ukraina ta njohë pavarësinë e Kosovës

Aktuale

Veprimtari në SHBA: Është koha që Ukraina ta njohë pavarësinë e Kosovës

Më: 26 janar 2022 Në ora: 16:59
Ukrainë

Veprimtari i çështjes kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Uk Lushi ka thënë se është koha që Ukraina ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Lushi ka shkruar në Twitter se ukrainasit sot po e përjetojnë të njëjtin kërcënim sikur shqiptarët e Kosovës në vitet ’90.

“Koha që Ukraina ta njohë pavarësinë e Kosovës. Tani ukrainasit duke e përjetuar të njëjtin kërcënim dhe dhimbje të agresionit rus duhet të kuptojnë pse shqiptarët e Kosovës duhej të çliroheshin nga korniza e Serbisë”, shkroi ai, duke e përmendur Ministrinë e Punëve të Jashtme të Ukrainës dhe presidentin e vendit, Volodymyr Zelensky.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka thënë të dielën se qëndron me Ukrainën, e cila është në pritje të një sulmi nga Rusia.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani të shtunën përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Twitter të shtunën, ka treguar se cili është pozicioni i Kosovës rreth konfliktit që mund të ndodhë në mes të Ukrainës dhe Rusisë.

“Republika e Kosovës qëndron me Ukrainën”, ka shkruar Osmani, duke shpërndar një “tweet” të MPJ-së së Ukrainës, ku tregohet se si forcat ruse janë mbledhur rreth kufijve.

SHBA-ja ka paralajmëruar se Rusia mund ta pushtojë Ukrainën, ndërsa tashmë ka shtuar numrin e forcave ushtarake pranë kufirit dhe ka rreshtuar shumë automjete ushtarake, gati për luftë.

Ukraina ka qenë pjesë Bashkimit Sovjetik deri më 1991 kur edhe u shpërbë shteti në të cilin ndodhi Revolucioni i Kuq i Tetorit.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se ukrainasit dhe rusët janë një popull, ndërsa liderët e shtetit të Ukrainës, sipas Putinit, po drejtojnë një projekt “anti-rus”.

Këto dy shtete kanë pasur konflikt edhe më herët. Në vitin 2014, Rusia e aneksoi Krimenë – Krahinë e Ukrainës deri në atë kohë.

Presidenti i SHBA-së, Joseph Biden, lidhur me konfliktin që mund të ndodhë së shpejti – sipas situatës aktuale – ka thënë se nëse Rusia e sulmon Ukrainën do të ketë sanksione të mëdha, megjithatë ka bërë me dije se SHBA nuk do të përfshihet ushtarakisht në këtë konflikt.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat