Rexha: Qeveria Kurti, më racionale se qeverisjet e kaluara në paranë publike

Aktuale

Rexha: Qeveria Kurti, më racionale se qeverisjet e kaluara në paranë publike

Më: 26 janar 2022 Në ora: 22:39
Albana Rexha

Albana Rexha, nga Demokracia Plus, i ka komentuar të dhënat e raportit “Realizimi i planit të punës së qeverisë për periudhën mars-dhjetor 2021”, që është punuar nga Lëvizja “Fol” dhe PIPS.

Ajo ka theksuar se një raport i tillë shërben shumë mirë si një mekanizëm për të kërkuar llogaridhënie te qeveria.

“Nëse i shohim të dhënat në lidhje me përmbushjet e objektivave të kabinetit qeveritar, e shohim se disa nga dikasteret kanë punuar më mirë e disa më keq. Kjo mund të ndikojë në rritjen e konkurrueshmërisë mes domeneve të ndryshme. Për mua, nga të gjitha ministrisë, më shqetësuese është Ministria e Financave, e cila pati përqindje shumë të ulët të implementimit. Duke e pasur parasysh që MF-ja është pjesë e tri institucioneve të qendrës së qeverisë, është me rëndësi që t’i kushtohet më shumë vëmendje”, ka thënë Rexha.

Sipas saj, matja e punës së Qeverisë Kurti duhet të krahasohet me periudhën e njëjtë edhe të qeverive të kaluara, që e drejtonin vendin. Rexha shton se ekzekutivi i tanishëm qëndron më mirë në disa aspekte.

“Kjo qeveri qëndron më mirë në integritetin e figurave publike sesa qeverisjet e kaluara. Po ashtu, kemi një standard më të mirë të asaj se si është shfrytëzuar paraja publike. Sipas vlerësimit tim, kjo qeveri është shumë më racionale sesa qeverisjet e kaluara. Gjithashtu, kemi përmirësim të punës së administratës, duke përfshirë këtu edhe zgjedhjen e bordeve të reja. Qeveritë e kaluara kishin kriter nepotizmin për zgjedhje në kuadër të bordeve, me këtë qeveri tash kjo ka filluar të ndryshojë”.

“Duhet të vlerësojmë edhe planprogramin e ekzekutivit dhe realizimin e tij. Dua të përmend COVID-19, kjo është prioritet, kanë thënë, vlerësoj se është menaxhuar mirë situata. Por, ka një problem me masat momentale që janë në fuqi”, ka thënë Rexha.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat