Kamberi ftohet në gjykatën në Nish: Sulm ndaj figurës dhe punës sime

Aktuale

Kamberi ftohet në gjykatën në Nish: Sulm ndaj figurës dhe punës sime

Më: 28 janar 2022 Në ora: 00:22
Shaip Kamberi

Prokuroria në Serbi ka ngritur një propozim akuzë ndaj deputetit shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Ai, në lidhje me këtë, ka folur duke sqaruar veprën, me të cilën ai ngarkohet.

“Ka ngritur një propozim akuzë, që është një hap juridik, të cilin prokuroria e ngrit për veprat penale deri në 5 vjet. Në këtë rast, për veprën, me të cilën më ngarkojnë, dënimi i kërcënuar është deri në 1 vit burg ose me të holla. Bëhet fjalë për periudhën, në të cilën unë kam qenë në krye të komunës së Bujanovcit, ku më 2018 kam nënshkruar kontrata për investime në infrastrukturë në vlerë më të madhe. Kjo është për faktin se për një periudhë të gjatë komuna e Bujanovcit realizon projekte me vlerë më të madhe, në pamundësi që brenda një viti buxhetor t’i përmbushë obligimet që mund të sjellë një projekt, i cili ka vlerë më të madhe, u shpreh ai.

Ai tregoi arsyen pse mendon se kjo propozim akuzë ka ndodhur pikërisht në këtë kohë.

“Mendoj se është pikërisht situata që është zgjedhur, në prag të zgjedhjeve parlamentare, që të ndikojë në figurën time dhe për të ndikuar që unë të mos mund të kandidoj sërish për deputet. Kam argumente, dëshmi e kontrata, do të përballem edhe me drejtësi, nëse është nevoja”, tha ai.

Tutje, Kamberi këtë e quajti sulm ndaj figurës dhe punës së tij.

“Zgjedhjet janë paralajmëruar më 3 prill, ndërsa unë më 17 mars jam i ftuar në gjykatën në Nish, juridikisht kjo nuk pengon në kandidimin tim. Është drejtpërdrejt një sulm në figurën dhe punën time”, u shpreh Kamberi.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat