KOSTT-i: Pagesa për rrymën në veri na solli në prag të falimentimit

Aktuale

KOSTT-i: Pagesa për rrymën në veri na solli në prag të falimentimit

Më: 28 janar 2022 Në ora: 20:16
Ilustrim

Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) është ankuar se pagesat që po i bën për energjinë elektrike që shpenzohet në veri të Kosovës e kanë çuar kompaninë në prag të falimentimit.

Kështu kanë thënë nga KOSTT-i në komentet që i kanë dërguar në raportin konsultativ të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për propozimin për tarifa të reja të energjisë.

Sipas KOSTT-it, në pjesën veriore përgjatë vitit 2021 është shpenzuar rrymë në vlerë prej 40 milionë e 849 mijë e 659 euro.

“Nga Qeveria e Kosovës janë mbuluar rreth 7,673,462 milionë euro, pjesa tjetër prej 33,176,197 euro është mbuluar nga buxheti i KOSTT sipas udhëzimeve të Parlamentit të Kosovës. Si rrjedhojë, Bilanci i Suksesit të kompanisë me 31 dhjetor 2021, paraqitet negativ, pra me humbje rreth 25 milionë euro”.

“Të gjitha parashikimet financiare për vitin 2022 me skenarët ku obligimi i mbulimit të humbjeve në pjesën veriore i mbetet KOSTT pa të hyra për këtë kosto, e sjellin kompaninë në prag të falimentimit në tremujorin e parë të vitit 2022”.

KOSTT ka kërkuar nga ZRrE-ja që urgjentisht t’ia largojë obligimin e mbulimit të humbjeve në pjesën veriore të Kosovës nga Licenca për Operatorin e Sistemit të Transmetimit ose të gjejë një mekanizëm tjetër të mbulimit të kësaj kostoje.

KOSTT mes tjerash ka thënë se gjendja financiare në kompani është jashtëzakonisht e rënduar.

“Nëse vazhdohet ky trend, parashikimet financiare e vendosin kompaninë në prag të falimentimit në tremujorin e parë të këtij viti. KOSTT kërkon nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë që gjatë procesit të vendosjes së të hyrave dhe kostove për këtë vit të merret parasysh ndër të tjera edhe likuiditeti i kompanisë”, thuhet ndër të tjera në komentin e KOSTT dërguar ZRrE-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat