Konflikti ruso-ukrainas, paralajmërohet shtrenjtim i bukës e vajit në Kosovë

Aktuale

Konflikti ruso-ukrainas, paralajmërohet shtrenjtim i bukës e vajit në Kosovë

Më: 28 janar 2022 Në ora: 20:32
Foto ilustrim

Kosova mund të përballet me krizë të dyfishtë ekonomike. Krahas energjisë, barrë mund të jetë edhe rritja e çmimit të disa produkteve të konsumit, nëse kris konflikti mes Rusisë e Ukrainës.

Kjo e fundit është vend transit, por edhe prodhues i disa rendimenteve bujqësore, andaj mund të ndikojë në shtrenjtimin e bukës, vajit e sheqerit.

Ekonomisti Safet Gërxhaliu tregon se nëpërmjet Ukrainës, importohen në Evropë drithërat, panxharsheqeri e luledielli.

Alarmin për këtë po e ndez edhe opozita. Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, tha se çmimi i bukës mund të shkojë deri në një euro, nëse nuk ndërmerr masa qeveria.

Ndryshe mendon Muhamet Farizi nga Shoqata e Mullistëve, që thotë se konflikti ruso-ukrainas nuk ndikon në drithëra.

Por Gërxhaliu thotë se kjo situatë duhet të merret seriozisht nga qeveria e cila duhet t’i shtojë rezervat shtetërore.

Ministria e Tregtisë nuk u përgjigj të premten nëse shteti ka mjaftë rezerva për të mos e lejuar këtë krizë. Veçse ditë më parë, ministrja Rozeta Hajdari pranoi se gjatë pandemisë nuk e tha të vërtetën për stoqet, pasi në të vërtetë, shteti ka pasur rezerva vetëm për tri ditë.

Sipas saj, qeveria Kurti 2 ka planifikuar 10 milionë euro rezerva shtetërore.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat