Nushi: Pjesëmarrja e qytetarëve do të jetë sa çmimet e energjisë elektrike – e madhe

Aktuale

Nushi: Pjesëmarrja e qytetarëve do të jetë sa çmimet e energjisë elektrike – e madhe

Më: 29 janar 2022 Në ora: 12:08
Nol Nushi

“Presim që pjesëmarrja e qytetarëve në protestë të jetë sa çmimet e energjisë elektrike”- kështu është shprehur sekretari i Partisë Socialdemokrate, Nol Nushi derisa ka folur për pritshmëritë e tij për pjesëmarrje në protestë.

PSD ka organizuar protestë kundër propozimit të Zyres së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtim të energjisë elektrike.

Në këtë protestë, nuk janë shprehur të gatshëm të marrin pjesë dy partitë opozitare të Kuvendit të Kosovës.

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi derisa protestën si fenomen e ka vlerësuar si mjet demokratik, ka thënë se “kjo nuk do të thotë që ne duhet ta mbështesim atë protestë, por nuk jemi as kundër saj”.

Edhe nga Aleanca për Ardhmërine e Kosovës e kanë bërë publik të njëjtin qëndrim nëpërmjet një komunikate për medie.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk është pjesë e organizmit të protestës së të shtunës, kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike. Ne kuptojmë shqetësimin e secilit për këtë çështje, njëherësh prapë i bëjmë thirrje Qeverisë që të tërhiqet nga shtrenjtimi i rrymës. Gjithashtu, ne respektojmë vullnetin e secilit për pjesëmarrje në këtë protestë dhe apelojmë që të respektohen masat anticovid”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, zyrtarisht nuk janë deklaruar rreth kësaj çështje.

Në anën tjetër, Nushi vazhdon të shpresojë se simpatizantët e këtyre partive do të jenë të pranishëm protestën që do të mbahet të shtunën më 29 janar.   

“Ashtu siç kanë thënë, bashkëorganizatorë nuk janë, por secili prej liderëve opozitar kanë thënë se aktivistët, anëtarët dhe simpatizantët e tyre janë të lirë të marrin pjesë në protestën tonë dhe realisht pres shumë  protestues të vijnë nga partitë opozitare. Faturat e rrymës nuk po i zgjedhin partitë, ato do të shtrenjtohen për të gjithë”, deklaroi Nush.

ZRRE-ja ka dalë me propozimin për rritje të faturave më 17 janar, pasi çmimet e energjisë elektrike janë rritur edhe në tregjet evropiane, duke i ndikuar kështu edhe çmimet e importeve të Kosovës.

Ajo i ka ndarë konsumatorët në pesë kategori: A, B, C, D, E.

Nëse jeni në kategorinë A, pra nëse gjatë një muaji shpenzoni 300 kilovatë orë energji elektrike, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 18.87 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 20.40 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të mbetet e njëjtë: 18.87 euro. Nëse jeni në kategorinë B, apo gjatë një muaji shpenzoni 450 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 27.37 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 29.66 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të mbetet e njëjtë: 27.37 euro.

Nëse jeni në kategorinë C, që do të thotë se për një muaj shpenzoni 600 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 35.86 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 38.92 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj mbetet e njëjtë: 35.86 euro.

Nëse jeni në kategorinë D, pra nëse gjatë muajit shpenzoni 800 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 47.19 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 74.17 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të jetë: 59.50 euro.

Nëse jeni në kategorinë E, që do të thotë se gjatë muajit shpenzoni 1000 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 58.52 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 109.42 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të jetë: 83.14 euro.

ZRRE-ja po ashtu ka thënë se gjatë vitit 2021 është shënuar rritje e ndjeshme e kërkesës për energji elektrike – gjë që ka cenuar sigurinë e furnizimit dhe, javë më parë, ka çuar në reduktime.

Propozimi i ZRRE-së aktualisht është në konsultim publik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat