A do të nënshkruhet diçka në takimin e radhës Kurti-Vuçiq? Flet Lajçak

Aktuale

A do të nënshkruhet diçka në takimin e radhës Kurti-Vuçiq? Flet Lajçak

Më: 30 janar 2022 Në ora: 19:43
Miroslav Lajçak

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak thotë se kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq kanë shprehur gatishmërinë për t’u takuar sërish në Bruksel.

Lajçak tha se po punojnë për temat që mund të diskutohen dhe disa që mund të finalizohen. Ai nuk e përjashton mundësinë që të nënshkruhet edhe ndonjë marrëveshje.

“Ata të dy e kanë shprehur gatishmërinë për të ardhur, kurdo që ftohen. Ne kemi thënë që ata do t’i ftojmë kur të kemi substancë dhe po punojmë për këtë. Po punojmë në dokumente të ndryshme, që mund të diskutohen apo finalizohen përgjatë atij takimi. Kjo vizitë do të jetë shumë e rëndësishme për mua, që të dëgjoj nga z. Kurti, z. Bislimi dhe z. Vuçiq se çfarë progresi është bërë dhe se cilat çështje duhet të diskutohen. Mendoj se pas një jave do të jemi më të qartë se kur mund ta kemi takimin e radhës, sepse një takim sa për t’u takuar është nivel shumë i ulët i ambicies. Kjo është ajo për të cilën jemi pajtuar dhe duam që takimi i radhës të prodhojë një substancë konkrete dhe jemi duke punuar për këtë”, ka thënë Lajçak.

I pyetur se a mund të jetë diçka e nënshkruar “substanca konkrete” që e përmend ai, Lajçak tha se kjo nuk do të jetë kusht.

“Është e mundshme, por nuk është kusht. Por, sigurisht, ata duhet të pajtohen për diçka. Mund të kemi mënyra të ndryshme të marrëveshjes, duke nënshkruar, duke deklaruar, por duhet të jetë diçka për të cilën pajtohen”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat