Nëse një budalla e ka shkelur Kushtetutën nuk mund ta shkelim të gjithë, z.Lajçak!

Aktuale

Nëse një budalla e ka shkelur Kushtetutën nuk mund ta shkelim të gjithë, z.Lajçak!

Nga: Idriz Morina Më: 30 janar 2022 Në ora: 20:44
Mirosllav Lajçak ndërmjetës në bisedimet Kosovë-Serbi

Duket se misionari i “antikrishtit” Lajçak, nuk do të vijë për së mbari në Kosovë. Në kohën që ne presim ogure të mira nga ‘konflikti’ Rusi-Ukrainë, më saktë NATO-Ukrainë, ku do të donim t’i shihnim rusët e dorëzuar, ai vjen me thirrjen për të përmbushur ‘dëshirat e fundit serbe’.

Ai ka deklaruar se Kosova duhet t’i përmbushë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara me Serbinë, dhe madje këtë duhet ta bëjë edhe Serbia.

Z.Lajçak pse po i shkelni parimet e larta të frymës së demokracisë europiane

Por, pse nuk i ka përmbushur Serbia deri më tash marrëveshjet ai nuk ka asnjë përgjigje.

Por, kur flet për asociacionin, ai e shmang tani mesazhin e fjalëpërfjalshëm se Kosova duhet ta zbatojë marrëveshjen si është nënshkruar në Bruksel, pavarësisht që është antikushtetues.

Duhet t’ia rikujtojmë sërish zotit Lajçak, se demokracia europiane, parimin themeltar e ka zbatimin e rendit ligjor: rule of law!

Në maje të kësaj piramide (pra të rendit ligjor) të çdo shteti është Kushtetuta e një vendi, dhe në shtetet demokratike nuk mund të hamendësohet një kushtetutë jo demokratike. Përkundrazi Kosova, përveç që e ka Kushtetutën nga më demokratiket, më të rejat, ajo është shëlbim i vetë demokracisë perëndimore, sepse janë ata vetë, që e kanë bërë jo vetëm kornizën, por edhe mishërimin e saj.

Përveç se në procesin e hartimit të Kushtetutës, ku fjalën kryesore e kanë pasur të huajt (perëndimor), ajo është krijuar paraprakisht në bisedimet në Vjenë, të cilat në thelb e kanë pasur përfshirjen e të drejtave të pakicës serbe, ekskluzivisht, duke i dhënë të drejta, që nuk i ka asnjë pakicë në botë.

Po ashtu, sistemi juridik europian i kushton po aq rëndësi edhe barazisë para ligjit.

Çka do të thotë kjo për ne: Që ne shqiptarët nuk mund të trajtohemi në mënyrë të ndryshme, para Kushtetutës dhe ligjit në Kosovë, në atë mënyrë që serbët të kenë më shumë të drejta se vetë shumica, dhe njëkohësisht në pushtetin politik, juridik, policor etj., shqiptarët dhe të tjerët që jetojnë në ato komuna të jenë të përjashtuar nga e drejta për t’i drejtuar institucionet përkatëse.

Standardi i juaj i dyfishtë

Pra, kjo është e papranueshme dhe e pashembulltë.

Dhe për më tepër kërkesat dhe trysnia e Lajçakut është në kundërshtim me këto parime bazë të rendit dhe ligjit në Europë, e që ju i nderuar emisar po i shkelni në vazhdimësi.

Standardi i juaj i dyfishtë dhe fryma që ju përzgjidhni ta përfaqësoni, të organizatës që nuk është as shtet, as institucion, nuk iu jep shpresë botës së paqytetëruar që ju jeni modeli që duhet ndjekur.

Shembulli juaj është irritues për njerëzit që duan drejtësi dhe barazi.

“Pozicioni ynë është shumë i qartë – që ne presim që Kosova dhe Serbia duhet t’i përmbushin të gjitha marrëveshjet e kaluara. Pacta sunt servanda (nga latinishtja: “aktet duhet të mbahen”)”.

Kjo paradigmë e Lajçakut rrëzon në tërësi ato që thotë më vonë, se në bisedime Kosova duhet të dërgojë disa propozime të saja!

Pra, objektivi nuk janë propozimet e reja, por afrimi i një gjendje të ‘re’, të propozimeve me gjendjen paraekzistuese tanimë, të aktit të nënshkrimit në Bruksel të dy marrëveshjeve për asoaciacionin, marrëveshjen bazë të vitit 2013 dhe atë të parimeve të vitit 2015.

Këto janë shpallur antikushtetuese në 23 pika. Pra, Lajçka po kërkon pikërisht atë që po kundërshtohet tani, dhe që është kundërshtuar në vazhdimësi, prej gati 7 vitesh, bazuar edhe në vendimin e kushtetueses.

E kuptojmë vullnetin tuaj të mirë për serbët, që ta keni dikë, që ua plotëson dëshirat, dhe nuk bëhet merak për kushtetutshmërinë dhe barazinë para ligjit. Por, ju tashmë i keni arrestuar disa prej atyre që e shkelnin Kushtetutën nga mëngjesi në darkë, dhe që siç tregon edhe bilanci vjetor i shpenzimeve ne Presidencë, më shumë kanë qenë të zënë me udhëtime private, se sa me bërjen e demokracisë dhe realizimin e projekteve shtetërore.

Prandaj, nëse ju po kërkoni që ne ta shkelim sot Kushtetutën, sepse disa mjeranë shqiptarë e kanë shkelur atë, e keni shumë gabim. Nëse një apo dy budallenjë e kanë shkelur atë, ne nuk do ta bëjmë këtë!

Ajo Qeveri që e shkel Kushtetutën nga ndryshimet e mëdha politike të nisura me arrestimin e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, dy figurave më përgjegjëse për të gjitha të ligat në Kosovë, do të rrëzohet sikurse janë rrëzuar të tjerat.

Vendosje e rrethojave' në ndarjen e veriut të Kosovës!

Serbët nuk mund të vazhdojnë të marrin çdo gjë nga shqiptarët, sikurse na kanë marrë gjakun, tokën, jetën, bukën, kulturën, frymën...

Dhe për ta bërë ata këtë realitet iu është dashur ndihma e madhe e jashtëzakonshme europiane dhe ruse në dy shekujt e fundit, veçmas në Kongresin e Berlinit dhe në Konferencën e Londrës.

Dëmet për shqiptarët janë të pariparueshme, veçmas për shkak të dëbimit të shqiptarëve myslimanë nga atje dhe të asimilimit të shqiptarëve ortodoks po atje.

Prandaj, ajo që thotë më pas Lajçak, se nuk duan një “republikë serbe, duke e parë se çfarë po bën ajo në Bosnje, është vetëm një shprehje eufemizmi, për vendosjen e rrethojave në ndarjen e veriut të Kosovës!

“Ne po themi së pari, nuk duam një tjetër “Republika Srpska”. Askush me mendje të shëndoshë, veçanërisht duke e shikuar situatën aktuale në Bosnjë e Hercegovinë, nuk do të propozonte diçka të tillë”.

Të thuash të zbatohen marrëveshjet e nënshkruara se nuk bën, dhe të thuash se nuk e dëshiron një Republikë serbe në Kosovë, është një mashtrim. Ju vërtetë nuk po e doni një republikë serbe në Kosovë, sepse po dëshironi t’i krijoni kushtet që veriu t’i bashkangjitet Serbisë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat