Këta janë policët e lënduar, Molliqaj e Megjuani u arrestuan për sulm ndaj tyre/ Emrat

Aktuale

Këta janë policët e lënduar, Molliqaj e Megjuani u arrestuan për sulm ndaj tyre/ Emrat

Më: 1 shkurt 2022 Në ora: 21:28
Dardan Molliqaj

Katër zyrtarë të Policisë së Kosovës janë sulmuar gjatë protestës të së shtunës, derisa tre prej tyre kanë marrë lëndime. Protesta ishte organizuar nga PSD-ja për të kundërshtuar shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Për sulmin ndaj tyre, Policia e Kosovës ka arrestuar kryetarin e PSD-së, Dardan Molliqaj, si dhe anëtarin e kësaj partie, Adem Megjuanin.

Media ka raportuar drejtpërdrejt nga momenti i arrestimit të Molliqajt, duke hyrë në intervistë. Po ashtu, media ka raportuar sot ekskluzivisht edhe për arrestimin e anëtarit të PSD-së, Adem Megjuani.

Ndaj tyre, Prokuroria kishte nisur hetimet për “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Media i ka mësuar edhe emrat e policëve ndaj të cilëve të lënduar, të cilët cilësohen si viktima të sulmit të aktivistëve të PSD-së.

Berat Ramaj, Valon Braha, Valon Kastrati dhe Fatlum Mehmeti janë zyrtarët policorë që u sulmuan në ditën e protestës te shkallët e Qeverisë së Kosovës.

Lëndime morën vetëm policët Berat Ramaj, Valon Braha dhe Valon Kastrati, jo edhe polici Fatlum Mehmeti.

Dardan Molliqaj është parë në incizimet e mediave, duke e goditur me shuplakë në fytyrë njërin prej zyrtarëve policorë.

Ndërsa, Megjuani është parë duke e goditur me kokë një nga policët e sipërpërmendur.

Policia e Kosovës të shtunën ka lëshuar një komunikatë pas mbajtjes së protestës, ku ka thënë se tre zyrtarë policorë janë lënduar dhe lidhur me këtë policia ka filluar hetim për rastin “Sulm ndaj personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare”.

Po ashtu, policia ka bërë të ditur se disa nga pjesëmarrësit kanë shpërfillur urdhrat e zyrtarëve policorë, ku kanë hedhur gjësende të ndryshme dhe u kanë shkaktuar lëndime tre policëve.

“Disa nga pjesëmarrësit kanë shpërfillur urdhrat e zyrtarëve policor, të cilët përtej hudhjes së gjësendeve të ndryshme, me veprimet dhe sjelljet e tyre u kanë shkaktuar lëndime të lehta tre zyrtarëve policor që ishin në kryerje të detyrës zyrtare. Aktualisht policia po trajton rrethanat që karakterizojnë ngjarjen përderisa po koordinon veprimet me mekanizmat e tjerë për zbatim të ligjit, duke iniciuar edhe një hetim për rastin “Sulm ndaj personit zyrtar në kryeje të detyrës zyrtare”, thuhej në njoftimin e policisë.

Media raportoi se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetim edhe ndaj kreut të Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqajt.

Këtë e ka konfirmuar dje edhe zëdhënësja e prokurorisë, Laureta Ulaj. Ajo ka thënë se Molliqaj është nën hetime në drejtim të veprës penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.

“Rastit të cilit i referoheni ju njoftojmë se prokurori i shtetit ka iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” dhe se në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dedikuar kësaj çështjeje”, ka thënë Ulaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat