PSD kërkon lirimin e Molliqajt: Arrestimi i tij ishte orkestruar “nga lart”

Aktuale

PSD kërkon lirimin e Molliqajt: Arrestimi i tij ishte orkestruar “nga lart”

Më: 1 shkurt 2022 Në ora: 22:25
Konferenca per media

Partia Socialdemokrate ka akuzuar Qeverinë Kurti se me arrestimin e kreut të kësaj partie Dardan Molliqaj po tenton të frikësojë opozitën.

Në një konferencë për media, Dren Kukaj anëtar i Kryesisë së PSD-së, njëherësh anëtar i ekipit mbrojtës të Molliqaj, tha se Policia e Kosovës nuk ka pasur ftesë dhe as fletarrest për Dardan Molliqajn.

Kukaj: Dardan Molliqaj është ndaluar për 48 orë

“Gjatë arrestimit nuk janë treguar arsyet e arrestimit, nuk i është prezantuar as fletarresti, as në momentin e arrestimit dhe as brenda stacionit policor. Ajo që kemi kuptuar është se fleatrresti është lëshuar pasi është realizuar operacioni policor, 15 minuta pasi ka shkuar në stacionin policor që ka nisur të përpilohej dhe është lëshuar fletarresti. Neve na është treguar një screen-shot i tij dhe kemi parë se është lëshuar pas momentit të arrestimit të tij. Kemi të bëjmë me një aksion policor me mbi 60 policë me armë që është realizuar brenda hapësirave të një televizioni ku ai kishte planifikuar të merr pjesë sonte. Atij i është shqiptuar masa e mbajtjes 48 orë, nga prokuroja e rastit Ajshe Ferati. Aktvendimi nuk na është dhënë si ekip i mbrojtjes, por as Dardanit, që përmban shkelje të procedurës penale. Një masë e tillë mund t’iu shqiptohet personave kur plotësohen disa kushte. Ato kushte nuk janë përsëritur, përsëritja e veprës, fshehja e fakteve. Janë tri kushte themelore që kjo masë t’i shqiptohet një personi. E kuptojmë këtë si abuzim me kompetenca nga prokurorja së rastit”, tha Kukaj.

Kukaj tha se mbajnë përgjegjës të gjithë ata që kanë qenë pjesë e zinxhirit komandues brenda sistemit të drejtësisë, pasi që sipas tij kanë tejkaluar kompetencat e tyre gjatë arrestimit të Molliqaj dhe ndaj tyre do të iniciojnë mjetet ligjore.

Kukaj: Gjithçka ishte e motivuar politikisht

“Fakti që kemi një operacion të organizuar pa një fletarrest, tregon se gjithçka ka qenë e motivuar dhe orkestruar politikisht, dhe me një orvatje të shtetit të Kosovës, partisë në pushtet kundër Molliqaj për shkak të incidentit që ka ndodhur të shtunës dhe fushatës linçuese që është prej atij incidenti nga ai moment që të pasojë ky operacion sonte... Mënyra si është vepruar me Dardanin, me sjellje arrogante, tregon se gjithçka ka qenë e orkestruar nga lart, ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla dhe besoj edhe nga kryeministri Albin Kurti...Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tij”, ka thënë Kukaj.

I pyetur nëse kanë pasur kontakte me Molliqaj pas arrestimit të tij, Dren Kukaj ka thënë se ka qenë në stacionin policor për ta vizituar atë.

Kukaj: Arroganca ishte e panevojshme

“Kam qenë në stacionin policor dhe kanë kërkuar që të largohem. Nuk ka pasur ndërhyrje fizike, por sjellja nuk ka qenë profesionale nga policët dhe hetuesit dhe ka qenë arrogante. Arroganca ka qenë e panevojshme. Kanë pasur detyrë të sillen në mënyrë profesionale, por kemi parë një sjellje arrogante prej të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në këtë rast”, ka thënë Kukaj.

Ndërsa Natyra Kuçi nga PSD-ja ka thënë se arrestimi i Molliqajt nuk do ta frikësojë këtë parti.

Kuçi: Qëllimi i gjithë kësaj shfaqjeje është frikësimi i opozitës

“Qëllimi i gjithë kësaj shfaqjeje është frikësimi i opozitës dhe oponentëve politikë, ne nga këtu themi se nuk do të frikësohemi, nuk do të zmbrapsemi, nuk do të harrojmë kauzën dhe gjithë rrethanat pse nisi kjo shfaqje, sepse mblodhëm tre mijë vetë për të kundërshtuar shtrenjtimin e rrymës, kjo sigurisht e tmerroi Albin Kurtin dhe pushtetin i cili ka nisur të kapë shtetin në duart e veta”, tha Kuçi

Pas arrestimit të Molliqajt, PSD me konferencë në ora 23:00

Dardan Molliqaj u arrestua sot para se të hynte në një studio televizive.

E, për këtë veprim të policisë, PSD do mbaj një konferencë për medie.

Këtë gjë e ka konfirmuar Natyra Kuçi, përmes një statusi në Facebook.

“Konferenca e paralajmëruar më herët do të mbahet në ora 23:00 në zyret e PSD-së, rruga Bajram Kelmendi, Nr 68. Ju ftojmë ta ndiqni konferencën” tha Kuçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat