Kush do ta paguajë çmimin e dëbimit të mbi 12 mijë shqiptarëve për një natë!?

Aktuale

Kush do ta paguajë çmimin e dëbimit të mbi 12 mijë shqiptarëve për një natë!?

Nga: Idriz Morina Më: 3 shkurt 2022 Në ora: 21:17
Shtëpi shqiptare në veri

Sonte, janë bërë 22 vite, kur strukturat paralele serbe, nën komandën e regjimit të Beogradit, e zbrazën veriun e Mitrovicës nga shqiptarët.

Më shumë se 12 mijë veta, në më shumë se 24 orë terrori, mbetën të pambrojtur nga UNMIK-ut dhe KFOR-i. Askush më nuk u angazhua për kthimin e tyre.

Shqiptarët u dëbuan dy herë, njëherë në paqe!

Herën e parë Mitrovica u zbraz nga shqiptarët gjatë luftës, në kohën e bombardimeve të NATO-s, kur si shumicën e qyteteve dhe komunave që Serbia i zbrazi duke i dëbuar me forcë, drejt Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Por, pas hyrjes së KFOR-it, serbët nga frika e krimeve që kishin kryer në veri dhe në gjithë Kosovën, ia mbathën së bashku me forcat kriminale, që kishin kryer mijëra krime.

Atëherë shqiptarët hyn në gjithë qytetin dhe në fshatra, aty ku mund të flinin e rrinin, pasi mijëra shtëpi u ishin djegur, si fshati Qabër, masivisht.

Më pas, ngadalë serbët u kthyen. Por, kthimi i tyre ishte i trazuar, sepse jo pak nga ta kishin marrë pjesë në krime, dhe i frikësoheshin drejtësisë.

Por, jo të gjithë shqiptarët ishin kthyer në veri pas luftës. Shumë prej tyre, në pamundësi të rindërtimit të shtëpive, nuk u kthyen më dhe u shpërndanë, disa zunë vend në jug të Mitrovicës, disa në Prishtinë dhe vende të tjera.

Sipas disa të dhënave të mbledhura nga shumë aktivistë shqiptarë, besohet se shifra e shqiptarëve të dëbuar është mbi 20 mijë.

Kjo sepse edhe disa shqiptarë që i kishin mbijetuar në disa lagje, dëbimit nga forcat serbe, me kohë e braktisën atë pjesë, përfshirë edhe skandalin e shitjes së shtëpive Serbisë.

Edhe presidentja e vendit Vjosa Osmani, e ka bërë një deklaratë të fuqishme, emocionale, duke e shpjeguar historinë e asaj nate.

“Mitrovica nuk do ta harrojë kurrë tmerrin e 3-4 shkurtit të vitit 2000, kur u vranë 10 qytetarë të saj, në mesin e të cilëve edhe pleq, gra e fëmijë.

Kujtimi për ta do të rëndojë ende mbi ndërgjegjet tona, derisa autorët, pjesë të bandave kriminale të nxitura nga Serbia, të dalin para drejtësisë.

25 të plagosur nga ajo natë dhe 1664 familje të dëbuara me gati 12 mijë anëtarë nga ajo pjesë janë dëshmi e natës së trishtë, kur ata pësuan vetëm pse ishin shqiptarë por edhe dëshmi se spastrimi etnik ndaj shqiptarëve në veri të vendit vazhdoi edhe pas luftës.

Ngjarje të tilla mos u përsëritshin kurrë, teksa kujtimi për të vrarët qoftë i përhershëm!”, ka shkruar ajo.

Zbardhja e krimit

Por, unë mendoj se përtej rrëfimit të qartë e korrekt, dhe dhembshurisë që tregon presidentja, unë do të doja, që ajo të kishte kërkuar të paktën sonte, një hetim, dhe arrestim të atyre bishave që kryen krimin më të dhembshëm, mbi 12 mijë të dëbuar, që edhe sot nuk mund të kthehen në shtëpitë e tyre, e madje me qindra, kanë vdekur, pa pasur mundësi të kthehen në shtëpitë dhe tokat e tyre, ku kanë lindur dhe janë rritur.

“Kujtimi për ta do të rëndojë ende mbi ndërgjegjet tona, derisa autorët, pjesë të bandave kriminale të nxitura nga Serbia, të dalin para drejtësisë”, thotë presidentja e vendit. E thëna është korrekte, por duhet veprim, madje edhe urdhërim!

Të njëjtën gjë duhej ta bënte kryeministri i vendit Albin Kurti, urdhërim të hetimeve të menjëhershme.

Mbi 12 mijë veta, jetojnë muhaxhir, në shtetin e tyre, rast i paprecedent, ndërsa vetë shteti ka vite e vite, që po i rivendos serbët në Kosovë, edhe kur ata kanë kryer krime makabre, gjenocid.

Po ashtu duhet të hetohen, edhe ata që tradhtuan, sepse kishte bashkëveprim, të shqiptarëve me serbët dhe madje me KFOR-in francez!

Ky rast është i paprecedent në botë, vërtetë sui generis. Shqiptarët në shtetin e tyre nuk kanë përkrahje të kthehen në shtëpitë e tyre, të dëbuara me dhunë, tashmë 20 vjet!

Kthimi i shqiptarëve në veri, e zgjidh të paktën çështjen e Mitrovicës veriore. Ajo më nuk do të ishte qytet i serbëve, ku ka pak shqiptarë dhe boshnjak, e fare pak të tjerë.

Nëse atëherë kanë qenë 12 mijë shqiptarë, për 20 vite, këta do të duhej të ishin mbi 13 mijë shqiptarë, duke llogaritur shtimin e popullatës.

Hetimi i shpopullimit të Mitrovicës, do të zbulojë bashkëpunëtorët e Serbisë!

Të përzier

Disa nga autorët serbë pjesëmarrës në krim, edhe kanë vdekur, si Oliver Ivanoviq, që komandonte me “Rojat e urës”. Pjesë e asaj nate të ankthshme për shqiptarët, besohet të kenë qenë të përfshirë edhe kriminel si Millan Radojçiq, i cili është shpallur non grata nga SHBA-të, së bashku me organizatën ndërkombëtare serbe të krimit të organizuar!

Informacione të besueshme, i kanë thënë gazetës, se pas luftës forcat e UÇK-së të Brigadës 138, kishin kërkuar të vendoseshin në veri, duke e ditur se veriu duhej të mbrohej nga skenarët e papritur. Por, epror të krahut tjetër, kishin refuzuar t’ua lejonin të vendoseshin.

Një ditë këto informacione do të zbulohen nga protagonistët e së mirës, por kthimi i shqiptarëve atje, do të mbetet një sfidë tepër e madhe!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat