Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, z.Nagip Krasniqi, i cili në media ka prezantuar ndërtimin e një parku solar, ku edhe në këtë vit KEK paska planifikuar projekte pa konsultime me komunën ku operon kjo korporatë.
Sipas drejtorit të KEK, z.Nagip Krasniqi, i cili edhe e paska bërë publike një gjë të tillë, mes tjerash, ka theksuar rëndësinë që duhet kushtuar projekteve për energjinë, por askund nuk qenka kujtuar të theksoj rëndësinë e shëndetit të banorëve të Obiliqit dhe të pakten ta ndjej obligim përmirësimin e gjendjes mjedisore e ambientale në Obiliq.
Përmes reagimit të tij Kryetari Gashi, ka bërë të ditur se KEK-u, nuk respekton e as nuk realizon asnjë obligim ndaj qytetarëve të Obiliqit që përcakton Ligji për Obiliqin, lidhur me këtë gjatë ditës sotme komuna e Obiliqit ka drejtuar shkresat si në Qeverinë e Republikës së Kosovës ashtu edhe në ministritë e atakuara me Ligjin për Obiliq, e po ashtu edhe në menaxhmentin dhe bordin drejtues të KEK, prandaj për mos përfillje, do të ndjekim rrugët ligjore.
Reagimi i plotë i kryetarit Gashi:
Në deklaratën e tij të dhënë, z.Krasniqi paska bërë të ditur ndërtimin e një parku solar, si kryetar i komunës së Obiliqit, jam shumë i interesuar të dije se ku do ndërtojë një park të tillë, pa realizuar asnjë takim të vetëm që nga marrja e mandatit me institucionet e nivelit lokal, respektivisht në komunën ku operon Korporata Energjitike e Kosovës, e që si institucion nuk respekton e as nuk realizon asnjë obligim ndaj qytetarëve të Obiliqit që përcakton Ligji për Obiliqin.
Komuna e Obiliqit, mirëpret projekte e planifikime, por nuk lejon në asnjë formë realizimin e projekteve pa njoftuar të gjithë komunitetin. Komuna e Obiliqit, është institucion i vënë në shërbim të qytetarëve dhe në mbrojtjen e të drejtave të tyre, prandaj mirëpret dhe kërkon bashkëpunim nga Korporata Energjitike e Kosovës për këtë çështje si dhe gjatë ditës së sotme kemi adresuar një kërkesë për obligimet e tyre të papërfunduara karshi qytetarëve të Obiliqit që i obligojnë ligjet në fuqi, ne jemi në pritje të një përgjigjeje brenda afateve në të kundërten do ndjekim veprimet dhe rrugët tjera ligjore.
Xhafer Gashi”