Kosovës i kërkohet të gjejë zgjidhje për Asociacionin

Aktuale

Kosovës i kërkohet të gjejë zgjidhje për Asociacionin

Më: 5 shkurt 2022 Në ora: 10:08
Ndertesa e Qeverise

IInstitucioneve në Kosovë po iu kërkohet të gjejnë zgjidhje për formimin e Asociacionit të komunave serbe. Mesazhet e dy emisarëve, Escobar dhe Lajçak se askush nuk është i interesuar të krijojë një “Republikë Serbe” në Kosovë, po shihen si mundësi për të dhënë alternativa për formimin e Asociacionit pa kompetenca ekzekutive. Megjithatë, sipas njohësve të procesit të dialogut, kjo duhet të bëhet pasi të ketë një unifikim të të gjithë spektrit politik që pozicioni i Kosovës të jetë i qartë në Bruksel.

Arbër Fetahu, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë se pas vizitës së përfaqësuesit të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, qeveria duhet të jetë më e qartë në temën e Asociacionit.

Sipas tij, ekzekutivi ose duhet të jep propozimet për Asociacionin dhe ta mënjanojë këtë temë për marrëveshjen finale, ose ta rrëzojë tërësisht në Kuvend.

Image
Arbër Fetahu

Fetahu: Të gjendet një modalitet për Asociacionin ose të refuzohet tërësisht

“Kjo është çështje e komplikuar marrë parasysh se është votuar nga Kuvendi, ashtu është nënshkruar në Bruksel dhe statuti i saj është ende i paqartë. Në këtë drejtim Kosova duhet të shkojë në dialog me opsione alternative për të gjetur zgjidhje të mënjanojë këtë temë dhe ta lë në fund nëse vjen njohja reciproke si pjesë finale e marrëveshjes. Të shkohet hap pas hapi me marrëveshje që lehtësojnë marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe krijojnë rezultate të prekshme në teren. Por në këtë moment duhet të krijohet një lloj platforme dhe opsioni se si Kosova e sheh këtë zgjidhje. Pasi vetëm refuzimi apriori nuk po mjafton për BE-në, duhet t’i jepet një zgjidhje përfundimtare kësaj marrëveshjeje, të refuzohet ose të gjendet një modalitet tjetër. Por për këtë duhet konsultime shtesë me partitë parlamentare dhe tw krijohet një unitet dhe konsensus që pozicioni i Kosovës kur të negociohet në Bruksel të jetë i qartë dhe kristalizuar”, thotë Fetahu.

Propozime të reja për Asociacionin pret njohësi i procesit të dialogut, Gazmir Raci, por shton se nuk duhet të lëvizet nga marrëveshja e vitit 2013 dhe nga vendimi i Kushtetueses për parimet e Asociacionit.

Raci: S’duhet lëvizur nga parimet e Kushtetueses për Asociacionin

Image
Gazmir Raci

“Të gjitha modelet (e Asociacionit) duhet të diskutohen në takimet trepalëshe në Bruksel. Aty palët mund të ofrojnë zgjidhje dhe opsione. Por kryesorja është marrëveshja e vitit 2013 nga e cila ne nuk mund të lëvizim dhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për parimet e Asociacionit të vitit 2015. Këto mund të jenë orientimet kryesore dhe brenda tyre delegacionet varësisht prej përgatitjes profesionale mund të ofrojnë zgjidhje dhe të mbrojnë qëndrimet e palëve në takime”, thekson Raci.

Ndërkohë, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi kërkon proaktivitet dhe zgjuarsi nga qeveria për të dal nga ngërçi i Asociacionit.

Arifi: Duhet të tregohemi më të zgjuar dhe proaktiv për Asociacionin

“Duhet të tregohemi më të zgjuar dhe proaktiv që të ndryshojmë narracionin dhe të mos jemi pala që nuk po dëshirojmë të arrijmë një marrëveshje... Duhet të definojmë se cili është ai kompromisi ynë dhe çka arrijmë në këmbim të atij kompromisi. Kjo duhet të jetë çështja dhe jo të jemi këmbëngulës dhe kokëfortë që mos të lëvizim tutje. (Përmes) status-quo-sw po vërehet se Kosova është e izoluar dhe dihet kush do të del fituesi në fund”, deklaron ai.

Image
Dritëro Arifi

Në fillim të kësaj jave qëndruan në Kosovë, përfaqësuesi i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe emisar i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Të njëjtit thanë se asnjë zgjidhje nuk do t’i imponohet Kosovës që cenon integritetin territorial, kushtetutshmërinë dhe sovranitetit.

Pavarësisht kësaj, kreu qeveritar, Albin Kurti vazhdimisht po shprehet kundër themelimit të çfarëdo Asociacioni njëetnik

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat