​Radiot lokale funksionojnë mes vështirësive të shumta financiare

Aktuale

​Radiot lokale funksionojnë mes vështirësive të shumta financiare

Më: 13 shkurt 2022 Në ora: 13:53
Foto ilustrim

Radiot lokale në Kosovë përballen me vështirësi financiare që i pamundëson të jenë në hap me kohën sa i përket pajisjeve tekniko-teknologjike. Punën në këtë aspekt ua ka vështirësuar edhe më shumë pandemia COVID-19. Në Ditën Ndërkombëtare të Radiove, drejtuesit e radiove lokale në vend ngrenë zërin edhe për pagesat e ulëta si dhe për interesimin e pakët të të rinjve për të punuar në radio.

Drejtori i Radio Gjakovës, Skënder Gola, deklaroi për KosovaPress se radiot lokale vazhdojnë të kenë probleme financiare, sidomos pas pandemisë, duke qenë se një pjesë e tyre janë vetëfinancim.

Sipas tij, Radio Gjakova, e cila shënon mbi katër dekada punë, mundohet t’ia dalë për hir të dëgjuesve të cilëve iu ka qëndruar besnik prej ditës së parë të punës.

Gola: Vështirësia për mbijetesën e radiove është shumë evidente

“Sa i përket vështirësive, posaçërisht atyre të viteve të fundit, janë shumë evidente, kësaj i është shtuar edhe një barrë tjetër, siç është pandemia, sepse pjesa dërrmuese e radiove janë vetëfinancim. Burimet kryesore te të ardhurave i kanë prej marketingut. Ndërkaq viteve te fundit e kemi ndjerë dukshëm edhe mungesën e të rinjve për të qenë pjesë e radios”, theksoi Gola.

Radiot e kanë ndjerë më shumë se kushdo pandeminë që ua zvogëloi dukshëm të hyrat, këtë e pohojnë edhe në një tjetër radio lokale në Gjilan.

Redaktori i Radio Gjilanit, Nijazi Selimi tha për KosovaPress se para pandemisë mediat qëndronin pak më mirë.

Selimi: Nga ana financiare radiot janë në gjendje të mjerueshme

"Radiot lokale në aspektin financiar mbijetesën e kanë shumë të vështirë. Është edhe një medium që financohet nga komuna, e ka tenderin, por të tjerat mjerisht i kanë punët shumë keq. Para pandemisë kemi qenë mesatarisht mirë, ndërsa tash që dy vite mediat janë në gjendje shumë të keqe", tha Selimi.

Çështje tjetër që shqetëson mbetet edhe pagesa që marrin punonjësit e radiove lokale e që janë shumë të ulëta. Kjo ka bërë që të ketë edhe interesim nga të rinjtë të përfshihen në këtë media.

Kryeredaktori i radios lokale në Pejë, Radio 1, Fitim Behluli tha se radio mbetet njëri prej mediumeve më të dashur, por për fat të keq ka shumë pak interes nga të rinjtë për inkuadrim në këtë medium.

Behluli: Punëtoret nuk paguhen aq sa e meritojnë

“Është fat i keq që gjenerata që po e dëgjon radion po plaket bashkë më të edhe njerëzit që e duan dhe punojnë në radio dhe për fat të keq në këto kohë ka shumë pak interesim të te rinjve për inkuadrim në radio. [...] Fat tjetër i keq është se nuk paguhen mirë, është një punë vetëmohuese”, tha Behluli.

Profesori i gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Alban Zeneli, tha se radiot janë transformuar që nga koha kur janë shpikur duke ju përshtatur ndryshimeve teknologjike.

Përpos vështirësive të tjera që lidhen me financat, Zeneli thotë se për radion klasike është bërë më e vështirë të mbetet në treg pasi që rëndësi më të madhe kanë marrë rrjetet sociale, interneti, telefonat.

Zeneli: Radiot klasike e kanë të vështirë të mbesin në treg

“Radiot janë transformuar që nga koha kur janë shpikur gjithmonë duke ju përshtatur ndryshimeve teknologjike, por sot me përdorimin e rrjeteve sociale dhe telefonave mobil është e vështirë për radion klasike që të mbetet në treg" tha Zeneli .

UNESCO e ka shpallur 13 shkurtin si Ditën Ndërkombëtare të Radios për të promovuar radion si medium dhe të gjitha mundësitë që ajo ofron. 13 shkurti është zgjedhur pasi në këtë datë, në vitin 1946, Radio e Kombeve të Bashkuara ka emetuar programin e parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat