Policia e Kosovës e konfirmon: Arrestohen 13 zyrtarë të PSD-së në ZRRE

Aktuale

Policia e Kosovës e konfirmon: Arrestohen 13 zyrtarë të PSD-së në ZRRE

Më: 14 shkurt 2022 Në ora: 11:42
Dardan Molliqaj

(E plotësuar 14:39) - Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në protestën e organizuar nga PSD në zyrën e ZRRE-së janë arrestuar arrestohen 13 persona, ku sipas tyre e kanë penguar detyrën e tyre.

“Duke parë që kanë dështuar të gjitha përpjekjet tjera, në përputhje me autorizimet policore dhe urdhrin e prokurorit të shtetit, janë arrestuar 13 nga ta dhe aktualisht po vijon ndërmarrja e veprimeve në këtë fazë preliminare hetimore”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Njoftimi i plotë:

Për pengim të personave zyrtar në kryerje të detyrës, arrestohen 13 persona

Sot rreth orës 15:00, në rrugën “Bekim Fehmiu” në Prishtinë, saktësisht në objektin e ZRrE-së, me urdhër të prokurorit të shtetit, janë arrestuar 13 persona.

Megjithëse policia vazhdimisht u ka bërë thirrje që të dalin nga objekti dhe të vazhdojnë aktivitetin e tyre, duke mos penguar zyrtarët e institucionit në fjalë, të njëjtit nuk janë bindur.

Duke parë që kanë dështuar të gjitha përpjekjet tjera, në përputhje me autorizimet policore dhe urdhrin e prokurorit të shtetit, janë arrestuar 13 nga ta dhe aktualisht po vijon ndërmarrja e veprimeve në këtë fazë preliminare hetimore.

Pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore, konform rekomandimit të prokurorit të shtetit për cilësimin e veprës për të cilën dyshohen, personat e arrestuar do të procedohen më tej.

Policia hyn në ZRrE, arrestohen Dardan Molliqaj, Frashër Krasniqi e Nol Nushi

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, zyrtari Frashër Krasniqi, Nol Nushi dhe të tjerë, janë arrestuar nga Policia e Kosovës në ambientet e ZRRE-së.

PSD ka deklaruar se kushti për ta lëshuar hapësirën e Zyrës së Rregullatorit për Energji është publikimi i vendimin për shtrenjtimin e rrymës.

Molliqaj i tha kryesuesit të bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahut se s’mund t’i lënë të punojnë, pasi sipas tij, ata po mashtrojnë.

PSD ua merr çelësat zyrtarëve të ZRrE-së, ua pamundëson hyrjen në zyra

Pas pauzës është kthyer në ambientet e punës, kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), Ymer Fejzullahu, por jo edhe tek zyra e tij, kjo pasi nuk po gjendet çelësi i zyrës së tij.

Aktivistët e Partisë Socialdemokrate (PSD) janë duke protestuar brenda zyrave të ZRrE-së ku po kërkojnë publikimin e vendimit të ZRrE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Derisa zyrtarët e ZRrE-së shkuan në pauzë, anëtarët e PSD-së ia vunë drynin disa prej zyrave të këtij institucioni.

Ku kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj bashkë me disa aktivistë vazhduan të qëndrojnë në hapësirat e ZRrE-së.

Aktivistët kanë ndalë edhe siguresat e këtij institucioni.

Paraditen e kësaj të hëne anëtarët e PSD-së ia mësynë zyrave të ZRrE-së, duke kërkuar nga kryetari i Zejnullahu që të publikojnë vendimin për ZRrE-së, madje ata krijuan edhe zhurmë, duke mos pranuar që të lirojnë ambientet e këtij institucioni.

Aty kanë shkuar më herët edhe zyrtarët policorë.

***

Anëtarët e Partisë Socialdemokrate ka arritur t’ua marrë çelësat e zyrtarëve të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Një zyrtar i këtij institucioni, i cili ka tentuar të futet në zyrën e tij por që e ka pasur të pamundur.

Ndërkohë, PSD po vazhdon protestën me fishkëllima duke kërkuar dorëheqjen e kryetarit të Bordit të ZRrE-së dhe publikimin e vendimit për shtrenjtimin e rrymës.

PSD ushqehet në ZRrE, s’largohen pa u publikuar vendimi për shtrenjtimin e rrymës

Anëtarët e PSD-së që nga ora 11:00 po zhvillon aktivitet në Zyrat e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), të cilët kanë kërkuar publikimin e vendimit për shtrenjtimin e rrymës.

Se ky aktivitet pritet të zgjasë edhe më tej, tregon fakti se anëtarët e PSD-së kanë porositur ushqim në ambientin e ZRrE-së.

Kryetari i PSD-së tha se nuk do ta lënë ZRrE-në të punojë pa e publikuar vendimin për shtrenjtimin e rrymës.

Molliqaj e Krasniqi ia ndalin siguresat e rrymës ZRrE-së

Një punonjës i ZRrE-së është ankuar se aktivistët e PSD-së po e ndalin siguresën e rrymës në Zyrën e Rregullatorit për Energji.

Nga ato hapësira, PSD thotë se nuk do të dalin pa e parë vendimin e ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës.

“Ti je tu e ndalë komplet sistemin. A ke ardhë me e dëmtu buxhetin?”, i tha punonjësi kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqaj.

“Dardan të lutem”, vazhdoi ai.

Në diskutim e sipër, njëri prej aktivistëve të PSD-së iu vërsul punonjësit.

Aty ndërhyri Molliqaj, duke ia vënë dorën përpara, ndërsa kryesuesi i bordit të ZRRE-së, Ymer Fezullahu u mundua ta relaksojë situatën.

“A doni me ua qitë nga një gotë ujë”, tha ai duke qeshur.

***

Derisa disa zyrtarë të ZRrE-së tashmë kanë dalë në pauzë, në këto momente, aktivisti i PSD-së, Nol Nushi ka mbyllur nën dry dy zyra të ZRrE, duke i marrë pastaj çelësat e këtyre zyrave.

Kryetari i PSD-së me disa aktivistë po vazhdojnë të qëndrojnë në hapësirat e ZRrE-së, e siç kanë deklaruar vet, deri në publikimin e vendimit.

Pas ndaljes së disa siguresave nga protestuesit, serverët e kësaj Zyre janë jofunksionalë.

***

Kryetari i PSD-së, Daradan Molliqaj është përplasur me një zyrtarë të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), pasi aktivistët e kësaj partie kanë ndalur rrymën në siguresa të kësaj zyre.

Pas kërkesës, së Molliqajt për publikimin e vendimit për shtrenjtimin e rrymës, kryetari i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu ka thënë se brenda 30 ditës publikohet vendimi.

“Nuk jemi duke fshehur asgjë”, tha ai.

Po ashtu Molliqaj kërkoj përgjigje nga kreu i ZRrE-së se a ka ngritje të çmimit të rrymës për konsumatorët që shpenzojnë deri 800 kilovatë?

Për këtë Molliqaj nuk mori përgjigje, por shtoi se ZRrE dhe Fejzullahu janë duke i mashtruar qytetarët.

Aktivistët e PSD po vazhdojnë protestën, duke trokitur dritaret e zyrave të ZRrE.

***

Partia Socialdemokrate (PSD) po proteston tek zyrat e ZRrE-së për të kërkuar publikimin e vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj pas takimit me kryetarin e Bordit të ZRRE, thotë se nuk do të largohen nga zyrat deri në publikimin e vendimit.

Ai tha se vendimi për shtenjtimin e energjisë është i dëmshëm dhe i padrejtë.

***

Aktivistë të PSD-së, bashkë me kryetarin e këtij subjekti politik, Dardan Molliqaj kanë shkuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji. Aty, kryesuesi i bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu ka dalë të flasë me ta duke i lutur që të mos i pengojnë.

Nol Nushi nga PSD kërkoi që ZRRE-ja ta publikojë vendimin, ndërsa Dardan Molliqaj pyeti se sa është subvencionimi nga Qeveria për konsumin deri në 800 kWh rrymë. Molliqaj tha se s’do të largohen nga aty dhe se do ta pengojnë ZRRE-në, pasi siç tha, po bën punë të keqe.

Nushi: Ku është vendimi?

Fejzullahu: Tash publikohet

Molliqaj: Sa është subvencionimi i Qeverisë deri në 800 kWh?

Fejzullahu Do ta bëjmë publik vendimin.

Molliqaj: Ti nëpër emisione po merr pjesë.

Kryetari i PSD-së e akuzoi kryesuesin e bordit të ZRRE-së se po manipulon në llogari të KEDS-it.

“Fakti që s’ke përgjigje, je tu i shërby KEDS-it”, tha ai. “Është marre”, shtoi Molliqaj.

Fejzullahu kërkoi që ata ta lirojnë hapësirën.

“Nëse kenii mundësi me na e liru hapësirën”, tha ai.

“Jo s’ka mundësi”, iu përgjigj Molliqaj. “Pse po del në emisione, a po del me e mbrojtë vendimin? Pse s’po jep informatë? Sa është subvencionimi?”, tha kryetari i PSD-së.

Ai i kërkoi Fejzullahut që të japë dorëheqje.

“Marre duhet me të ardhë. Jep dorëheqje dhe në rregull jemi. Je në siklet. Po të vjen marre”, tha Molliqaj.

“Në siklet? Asnjë fije. Prej teje a?”, iu përgjigj Fejzullahu, duke i thënë se mund ta apelojë vendimin.

“Na paguajmë pa e ditë sa na jep shteti dhe sa paguajmë ne. Po e presim vendimin”, tha Molliqaj.

Edhe kërkesa e Fejzullahut që përfaqësuesit e PSD-së të mos pengojnë, nuk gjeti mirëkuptim.

“Nëse bën mos me na pengu”, tha Fejzullahu.

“Ju jeni duke bë punë të keqe dhe ne duhet me ju pengu”, i tha Molliqaj atij,

Kryetari i PSD-së tha se nuk do ta lënë ZRRE-në të punojë pa e publikuar vendimin për shtrenjtimin e rrymës.

Molliqaj dhe anëtarët e tjerë të PSD-së shkojnë tek zyrat e ZRrE-së kërkojnë të flasin me dikë nga bordi

Anëtarët e Partisë Socialdemokrate janë duke zhvilluar një aktivitet tek zyrat e ZRrE-së.

I pranishëm në këtë aktivitet është edhe kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj.

Me këtë rast Molliqaj dhe anëtarët e tjerë kanë drejtuar pyetje të njëpasnjëshme ndaj ZRrE-së lidhur me çmimet e faturave.

Ndër të tjerash ata kanë kërkuar që të vie dikush nga Bordi i ZrrE-së që t’u jap detaje shtesë lidhur me pyetjen që kishin të bënin me ngritjen e çmimit të faturave.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat