Arrestohet njeriu i NISMA-s për trafikim droge

Aktuale

Arrestohet njeriu i NISMA-s për trafikim droge

Më: 15 shkurt 2022 Në ora: 15:34
Burim Rreci

Ish-sekretari i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Burim Rreci, është arrestuar nga autoritetet në Mal të Zi.

Rreci është arrestuar nën dyshimin se po transportonte marihuanë.

Sipas raportimeve Rreci ishte në veturën e sekuestruar me pakot e marihuanës kur është arrestuar nga policia malazeze.

Ndërkohë qe mediat në Mal të Zi raportojnë  se policët dhe doganierët malazezë kanë sekuestruar pothuajse 50 kilogramë marihuanë në terminalin e pikës kufitare Debeli Brijeg.

“Policët, së bashku me anëtarë të Drejtorisë së të Hyrave dhe Doganave, në orët e hershme të mëngjesit kanë gjetur shtatë pako me përmbajtje të lëndës narkotike marihuanë”, thuhet në njoftimin e policisë malazeze

Në mëngjesin e sotëm rreth orës 03:30 kanë parandaluar, siç thonë ata, kontrabandën e lëndës bimore që dyshohet se është droga narkotike marihuanë me peshë rreth 48.2 kilogramë.

“B.R është privuar nga liria për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale të prodhimit, posedimit dhe shpërndarjes së paautorizuar të narkotikëve. Masat dhe veprimet e mëtejshme policore-prokuroriale për këtë rast janë në vazhdim e sipër”, thuhet në njoftimin e policisë malazeze.

Burim Reci ishte rikthyer në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë më 2020-ën, me anë të një vendimi që mban nënshkrimin e shefit të ekzekutivit të atëhershëm, Avdullah Hotit.

Rreci në tetor të vitit 2020-të ishe pezulluar nga puna nga ministri i atëhershëm i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi.

Ai ishte rikthyer në punë më 24 nëntor të 2020-ës për tu suspenduar sërish 24 orë pas rikthimit të tij në punë.

Rreci ishte zgjedhur në postin e sekretarit të Përgjithshëm nga qeveria Haradinaj përkundër faktit që ekspertet Britanik të BDO-së kishin vlerësuar se ai nuk i plotëson kushtet të emërohet sekretarë i përgjithshëm.

Gjatë kohës sa Rreci ishte sekretar i përgjithshëm i MTI-së ishin punësuar të afërm të Fatmir Limajt dhe Jakup Krasniqi, krerët e Nismës Socialdemokrate.

Rreci ishte shkarkuar në vitin 2018 nga Bajram Hasani, një ish-anëtar i partisë Nisma Socialdemokrate, që atë kohë drejtonte ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Ish-ministri kishte ngritë dyshime për keqpërdorime në MTI nga Burim Rreci.

Por, Burim Rreci ishte rikthyer shpejt në postin e sekretarit nga ushtruesja e ministres së MTI-së në atë kohë, Arbreshë Krasniqi.

Burim Rreci ishte përfshirë edhe në një rrahje gjatë vitit 2019 me nipin e zyrtarit të lartë të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat