A është ish-zyrtari i lartë, i arrestuar me drogë, imazhi NISMA-s dhe qeverisjes së AAK-së?

Aktuale

A është ish-zyrtari i lartë, i arrestuar me drogë, imazhi NISMA-s dhe qeverisjes së AAK-së?

Nga: Idriz Morina Më: 16 shkurt 2022 Në ora: 17:04
Burim Rreci, i shkarkuar disa herë nga detyra e sekretarit në ish-Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë

Askush nuk po e pyet Fatmir Limajn, se si mund ta mbante për bashkëpunëtorë, një zyrtar shteti, që përveç se e kryente funksionin në mënyrë skandaloze, rezultoi i arrestuar, madje nga policia e një vendi fqinjë.

I arrestuar në Mal të Zi është Burim Rreci një ish-zyrtar në partinë Nisma Socialdemokrate. Nuk është se ai u zu thjesht me kontrabandë, më e zeza ishte se u zu me drogë.

Rrjet trafikues

Drogën se trafikon gjithkush. Ai pra, kishte besueshmëri tek mafiozët, dhe ky besim nuk ishte fituar dosido. Ai sigurisht se kishte kryer shërbime të ngjashme dhe herë të tjera, ose punë të ngjashme, që udhëhiqeshin nga kriminelët.

Me shumë gjasë, ai rezulton të jetë një ndërlidhës, ndërmjet mafiozëve dhe figurave të rëndësishme politike, të sotme apo edhe të mëparshme.

Ajo që bie në sy, mediat që i “qepojnë” Presidencës e Kryeministrisë, nuk po e godasin fare as NISMA-n as AAK-në, të cilave u ka shërbyer ky zotëri.

Disa vite ai ishte me detyra qendrore në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, gjatë qeverisjes së Ramush Haradinajt dhe më pas, në qeverinë Kurti 1 dhe qeverinë Hoti.

Në vitin 2018 Rreci qe suspenduar nga MTI-ja, nga ministri i partisë së tij, Bajram Hasani. Por, siç duket tani, fuqia e Rrecit ishte aq e madhe, sa që ai e kundërgoditi, ish shefin e tij, e cila menjëherë pat çuar në shkarkimin e ministrit, nga kryeministri i asaj kohe Ramush Haradinaj, kërkesë e bërë kjo nga Nisma.

Nuk është që z.Hasani pat shkëlqyer me menaxhimin e ministrisë, por koha po e dëshmon, se me kë ka pasur të bëjë Bajrami. Pra, nëse ka pasur, dhe ne besojmë se ka pasur argumente për shkarkim të Hasanit, sikur thuaja për shumicën e ministrave të asaj kohe, atëherë nuk duhej kthyer në punë Rreci.

Një vit më vonë, në nëntor të 2019-ës, Rreci ishte përfshirë në një incident që kishte ndodhur në atë ministri, kësaj here ishte sulmuar në zyrën e tij fizikisht nga Arian Krasniqi, djali i vëllait të Jakup Krasniqit, ish-zyrtar i lartë në NISMA.

Ky incident kishte çuar në pezullimin nga puna të Krasniqit, dhe Rreci kishte vazhduar ta mbante detyrën më të lartë administrative në Ministri, të Sekretarit të MTI-së.

Por, gjërat do të përmbyseshin shpejt, në Qeverinë Hoti, ministër i Tregtisë dhe Industrisë do të emërohej një Krasniqi tjetër, Veseli, i cili do të vendoste më 9 shtator 2020 ta shkarkonte sekretarin Rreci. Por, ky edhe njëherë do t’ia dilte ta ruante pozitën e vet, dhe ta prishte vendimin e ministrit Krasniqi, dhe të rikthehej në punë në nëntor të vitit 2020, por, menjëherë pas 24 orësh nga rikthimi, ai menjëherë do të shkarkohej po nga ministri Krasniqi.

Agresiviteti i Rrecit

Në ndërkohë, Rreci, do të bëhej agresiv dhe do ta sulmonte ministrin Krasniqi më 27 nëntor të vitit 2020, dhe për këtë kishte filluar hetimet policia.

Është e habitshme, se sa herë është shkarkuar nga puna dhe ia ka dalur të rikthehet.

Kjo të bën të besosh se Rreci, ishte një “arrë e fortë”, që fare pak politikan mund ta ‘thyenin’.

Ka jo pak politikan që përmenden se kontrollojnë trafikun e drogës në Kosovë, njëri nga ata është eminenca gri e një partie të dalur nga lufta.

Por, hetimi i Rrecit mund të çojë në zbulimin e një superskandali më të madh.

Edhe në vendimin e Ministrisë së Thesarit të SHBA-vë, që shpalli non grata grupin ndërkombëtar kriminal serb, në krye me Zvonko Veselinoviçin dhe Millan Radojçiqin, përmendet trafikimi i paligjshëm.

Aktualisht nuk ka indikacione se ky rast mund të jetë i lidhur me grupin kriminal serb, por bartja e mbi 48 kg drogë, apo kapja e tyre, vetëm në një bartje, të bën të besosh se edhe në këtë rast bëhet fjalë për një grup kriminal ndërkombëtar, ku domosdoshmërisht duket se janë të përfshirë edhe malazezët.

Është rasti i institucioneve të drejtësisë, që të zbulojnë një rrjet të madh kriminal, ku janë të përfshirë edhe politikanë.

Lufta antimafi, është nga më kryesorët. Bashkë me të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni në shtet, të cilat zhvillohen e fuqizohen kryesisht nga mafia.

Edhe mesazhet kryesore të miqve më të mëdhenj, SHBA-së, Britanisë, Gjermanisë etj, që i janë dërguar presidentes së vendit Vjosa Osmanit me rastin e 14 Vjetorit të Pavarësisë, konvergjojnë në një pikë, luftimin e krimit nga institucionet shtetërore!

Të tilla mesazhe sollën edhe dy të dërguarit, së fundi, Ndihmës Sekretari i Shtetit Escobar dhe emisari i BE-së, Lajçak.

Destinacioni?!

Pra, është urgjente që Kosova ta luftojë krimin e organizuar!

Burim Rreci, nuk ishte vetëm në këtë trafikim droge. Atë e kishte nisur dikush në Kosovë, dhe e priste dikush jashtë Kosovës, në Mal të Zi apo më tej, varet se ku e kishte destinacionin përfundimtar droga.

Mediat mbështetëse të partive të përfshira në krime të rënda në 20 vjet, po heshtin. Ramush Haradinaj, nuk u distancua, as Fatmir Limaj.

Askush nuk tha që krimet e tilla duhet të zbardhen në gjithë zinxhirin e tyre!

Pse gjithë kjo heshtje për një krim kaq të rëndë. I rëndë sepse ai në Mal të Zi dhe kudo është shpërndarë ky lajm, prezantohet si një ish-zyrtar i lartë i shtetit! Pra, si dikush që ka shërbyer në zinxhirin më të lartë administrativ në Qeverinë e Kosovës.

Nuk mund të lejohet njollosja e Kosovës, në emër të ruajtjes së ‘sekretit’ se kush nga ‘peshqit e mëdhenj’ ishte i përfshirë!

Mbase ai është vetëm viktima e një rrjeti të fuqishëm kriminal!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat