Osmani: Aspirata shekullore e popullit të Kosovës, u materializua me pavarësinë e Kosovës

Aktuale

Osmani: Aspirata shekullore e popullit të Kosovës, u materializua me pavarësinë e Kosovës

Më: 17 shkurt 2022 Në ora: 11:57
Vjosa Osmani

Kuvendi i Kosovës mbajti seancë solemne për nder të 14-vjetorit të shpalljes së pavarësisë.

Pas intonimit të himnit shtetëror të Kosovës, presidentja e vendit, Vjosa Osmani theksoi se po në të njëjtën sallë, 14 vjet më parë Kosova u shpall shtet, duke jetësuar kështu vullnetin e qytetarëve për të jetuar në një vend sovran e të pavarur.

“Aspirata shekullore e popullit të Kosovës, u materializua me pavarësinë e Kosovës, e cila hapi një kapitull të ri jo vetëm për ne, por edhe për globin duke regjistruar në historinë njerëzore të asaj kohe shtetin më të ri në botë. Rruga deri te ky akt nuk ishte e lehtë, populli i Kosovës ka përjetuar kalvarin nën regjimin gjenocidal të Serbisë. U dashtë shumë mund, shumë sakrifica dhe sfida për ta bërë lirinë e po aq shumë për ta bërë shtetin”, u shpreh Osmani.

Presidentja Osmani duke përmendur kontributin e rezistencës paqësore të ish-presidentit Ibrahim Rugova, tha se secila luftë i ka edhe heronjtë e vet, që sipas saj liria e Kosovës e njeh komandantin Adem Jashari, komandantin legjendar, bashkë me familjen e tij, si udhëheqës të kësaj lufte të cilët u flijuan për këtë liri.

“Ishte rezistenca e popullit tonë që trasojë hapat e luftës sonë për liri e për shtet. Nën udhëheqjen e atit tonë themeltar, presidentit Ibrahim Rugova, Kosova në atë kohë i bëri të ditur botës demokratike se synim i saj ishte pavarësia e vendit si një parakusht për paqe e për stabilitet në rajon. Çlirimi nga robëria nuk ishte drama jonë kombëtare me një akt, prandaj për aq sa u rrit shtypja ndaj nesh, me të njëjtin ritëm nisi të transformohet rezistenca jonë paqësore në rezistencë të armatosur. Vajza e djem të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u bën gardian të atdheut, duke vendosur përmbushjen e idealit për liri për lirinë e vendit si aktin më sipëror për Republikën tonë. Secila luftë i la heronjtë e vet, e liria jonë e njeh komandantin Adem Jashari, komandantin tonë legjendar, bashkë me familjen tij, si udhëheqës të kësaj lufte të cilët u flijuan për këtë liri që e gëzojmë sot”, theksoi ajo.

Derisa në këtë seancë kanë munguar deputetët e Listës Serbe, të pranishëm janë ambasadorë e dhe përfaqësues diplomatik të huaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat