Shyqri Nimani: Propozova flamur tjetër për Kosovën

Aktuale

Shyqri Nimani: Propozova flamur tjetër për Kosovën

Më: 17 shkurt 2022 Në ora: 17:28
Shyqri Nimani

Kosova sot shënon 14-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Kurse, 14 vite më parë kaligrafisti Shyqri Nimani, kishte punuar 16 orë për ta shkruar deklaratën e pavarësisë, e cila kërkohej të ishte gati në orën 15:38 minuta.

Shyqri Nimani, ka rrëfyer kujtimet e tij të 14-viteve më parë, ku u përzgjodh që të shkruante deklaratën e pavarësisë së Kosovës.

“Një javë ditë para shpalljes së pavarësisë më ftuan nga Qeveria, ish kryeministri Hashim Thaçi dhe unë kërkova që t’i kem një javë ditë që ta shkruajë këtë tekst në pergamenë. Por, kur shkova unë atë ditë e pash që ishin tre faqe të formatit A4 dhe e pata vetëm 16 orë për ta kaligrafuar. Isha në tension, por megjithatë ia dola”, tha ai.

Tutje ai ka shtuar se për shkruarjen e deklaratës së pavarësisë ka punuar shumë ngadalë në mënyrë që të mos bënte gabime.

“Unë kam punuar sipas parimit latin; ‘nxito ngadalë’. Unë kam punuar shumë ngadalë që të mos bëjë asnjë gabim, mos të kalojë ndonjë rreth, ndonjë fjalë, apo asnjë nga 36 shkronjat e gjuhës shqipe dhe mendoj që ia kam arritë në fund”, shtoi Nimani.

Nimani ka theksuar se ka përdorur stilin italik për të shkruar deklaratën e pavarësisë. Sipas tij me këtë stil është shkruar edhe formula e pagëzimit e Palë Ëngjëllit.

Kur është pyetur për flamurin e Kosovës, Shyqri Nimani, ka thënë se flamuri shtetëror ishte imponim i padrejtë nga pakoja e Ahtisarit.

“Me ju thanë të drejtën ai [flamuri] ka qenë një imponim i padrejtë. Ky Ahtisari ai e ka bërë atë dhe ka qenë diçka krejtësisht e padrejtë se artistin nuk mundesh me ia imponu që ai të mos me i përdorë shëmbëllesat kombëtare për arsye se Kosova është 92% për qind”, tha Nimani.

Nimani ka shtuar se ka propozuar një flamur tjetër për Kosovën.

“Unë e kam pas punu një zgjidhje ideore. E kam pas marrë flamurin kombëtar shqiptar dhe kam ndarë një diagonale edhe njërën diagonale e kam bërë me të kuqe, njërën me të bardhë. Kjo do të thotë që Kosova është një krah i trungut natyral shqiptar që quhet Shqipëri”, theksoi Nimani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat