Isa Mustafa ka një mesazh për Kurtin e Osmanin - i del në mbështetje Thaçit

Aktuale

Isa Mustafa ka një mesazh për Kurtin e Osmanin - i del në mbështetje Thaçit

Më: 18 shkurt 2022 Në ora: 18:13
Isa Mustafa

Në ceremoninë e shënimit të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, gjatë adresimeve të tyre në Kuvend para deputetëve, nuk e kanë zënë fare me gojë ish-kryeministrin Hashim Thaçi dhe as ish-presidentin Fatmir Sejdiu. 

Lidhur me këtë në një intervistë për Kanal 10 ka folur ish-kreu i LDK’së, Isa Mustafa, i cili thotë se në ditë të tilla duhet t’iu njihet kontributi të gjithëve, përfshirë edhe Thaçin që kishte lexuar deklaratën e pavarësisë së Kosovës. 

“Unë mendoj se në raste të tillë duhet të vlerësohet kontributi i çdo njërit, edhe kontributi i presidentit Thaçi, përkatësisht Thaçit si kryeministër i vendit sepse ai atëherë e ka lexuar deklaratën e pavarësisë. Edhe kontributi i presidentit Fatmir Sejdiu, edhe kontributet e të gjithë atyre që kanë punuar dhe ndihmuar për pavarësi, sepse historia nuk mund të rishkruhet mbi bazën e një mandati, apo të qenunit në një moment të caktuar në qeveri apo presidencë. Askush nuk mund ta zhbëjë faktin që në aktin e shpalljes së pavarësisë ka qenë edhe z. Thaçi, ka qenë edhe z. Krasniqi, z.Fatmir Sejdiu si president, prandaj unë mendoj që meritat e tyre janë aty”, ka thënë Isa Mustafa. 

Ish-kryeministri Mustafa ka deklaruar se askush s’mund ta shlyejë atë çfarë ka ndodhur në të kaluarën dhe se të gjithëve duhet t’iu njihet kontributi.

“Për raste të tilla unë vlerësoj se duhet të ketë protokolle strikte. Sa i përket asaj se çfarë duhet të thuhet dhe të prezantohet në një rast të tillë edhe të asaj se si duhet të zhvillohet ceremonia. Dhe në këtë rast unë mendoj se edhe çështjet e protokollit edhe  ndoshta edhe çështjet e njerëzve që janë në krye të institucioneve, nuk kanë qenë në nivel. Por unë mendoj se duhet të kemi kujdes në raste të tilla, duhet të vlerësojmë punën e cdo njërit. Çështje të tjera janë situatat me të cilat po ballafaqohen tani edhe ish-presidenti i vendit, në fakt dy kryetarët z. Krasniqi dhe z. Veseli. Kjo është situatë tjetër. Kjo që është sot nuk mund ta fshijë atë që ka qenë dje, as kontributin e tyre në luftë. Gjykata do ta bën punën e vet, por ne duhet vlerësojmë veprat dhe kontributin e çdo njërit”, ka thënë Mustafa tutje i pyetur nëse presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti, qëllimshëm nuk e përmendën Thaçin në fjalimet e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat