Hasani: S’është antikushtetuese mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë

Aktuale

Hasani: S’është antikushtetuese mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë

Më: 18 shkurt 2022 Në ora: 19:49
Enver Hasani

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të 3 prillit të Serbisë edhe në Kosovë nuk është shkelje e kushtetutës tonë.

Ai ka sqaruar se këto zgjedhje, ndryshe nga referendumi kushtetues serb, që u tentua të mbahet edhe në Kosovë, në janarin e këtij viti, nuk e cenojnë sovranitetin e Kosovës.

“Është çështje e vullnetit reciprok të dy qeverive dhe nuk është një çështje rreth së cilës mund të spekulohet, sepse është proces i pastër politik. Ne jemi në një proces të dialogimit me Serbinë me qëllim të zgjidhjes së çështjeve të mbetura siç ka kërkuar Asambleja e Përgjithshme e OKB-së pas vendimit të GJND-së, që e ka legalizuar ose konfirmuar Pavarësinë e Kosovës. Pjesë e këtyre çështjeve është edhe çështja e vendimit të shtetasve të Kosovës që kanë njëkohësisht edhe shtetësinë serbe dhe ky votim nuk mbahet për çështje që cenojnë sovranitetin e Kosovës, siç ishte referendumi kushtetues, dhe është çështje e konsolidimit të organeve politike të një shteti fqinj dhe me marrëveshje politike këto çështje edhe mund të tolerohen pa asnjë problem”.

Ish-kryetari i kushtetueses ka treguar se mbajtja e referendumit kushtetues të Serbisë është shkelje e Kushtetutës së Kosovës, për shkak se ndërlidhet me sovranitetin shtetëror, ndryshe nga zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale, ku zgjidhen organet politike.

“Në referendum kushtetues çdo herë flet sovrani dhe formohet vullneti politik nacional rreth çështjeve që kanë të bëjnë me identitetin shtetëror, kurse çështjet që kanë të bëjnë me formimin, konsolidimin apo procesin kushtetues të votimit për organe të reja politike gjatë cikleve zgjedhore janë çështje krejtësisht politike dhe nuk janë çështje që lidhen me sovranitetin e shtetit. Te referendumi kushtetues bëhet çdo herë fjalë për sovranitet”.

Hasani ka deklaruar se është çështje e qeverisë kosovare nëse e lejon ose jo mbajtjen e tyre, por ripërsërit se nuk është antikushtetuese edhe nëse serbët e Kosovës do të votojnë në Kosovë për zgjedhjet e 3 prillit të Serbisë.

“Kjo është çështje e ekzekutivit që të lejojë ose moslejojë një gjë të tillë, për shkak se këto janë zgjedhje që nuk kanë implikacione në çështjen e sovranitetit shtetëror të Kosovës dhe është thjesht ushtrim i të drejtës së votës së një qytetari që ka dy shtetësi. Ajo çka eventualisht do të mund të kushtëzojë në të ardhmen mund të jetë me votimin e shqiptarëve të Luginës, të cilët në të njëjtën kohë e kanë edhe shtetësinë e Kosovës. Kjo mund të jetë pjesë e marrëveshjes së përbashkët politike, por prapë po e përsëris se këto zgjedhje janë të ndryshme me referendumin kushtetues”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat