Kërkohet të mblidhet Këshilli i Sigurisë së Kosovës për situatën në Ukrainë

Aktuale

Kërkohet të mblidhet Këshilli i Sigurisë së Kosovës për situatën në Ukrainë

Më: 22 shkurt 2022 Në ora: 11:51
Ilustrim

Kriza në Ukrainë është bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka kërkuar mbledhjen e institucioneve të sigurisë për të monitoruar situatën që mund të ballafaqohet Kosova, pas ndërhyrjes së mundshme ruse në Ukrainë. Ndërsa, ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, kërkoi vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Në seancën plenare, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Haki Abazi tha se efektet e para të krizës në Ukrainë janë vërejtur në Kosovë dhe rajon.

Abazi: Institucionet tona të sigurisë të mblidhen dhe të monitorojnë situatën në Ukrainë

“Efektet e para janë vërejtur edhe në Kosovë dhe rajon, çmimet janë ngritur pasi jemi të varur nga importi dhe kapacitet tona prodhuese janë në minimum. Rrjedhimisht në këtë situatë kërkohet solidaritet i plotë dhe bashkëveprim i të gjithë neve këtu në parlament por edhe shoqërinë tonë. Po ashtu edhe koordinim i plotë me NATO-n dhe aleatët tanë perëndimorë. Në anën tjetër, duke pasur një fqinj si Serbia që përdor taktikat e njëjta të kërcënimit të integritetit territorial dhe kopjon metodën e Rusisë është urgjente që institucionet tona të sigurisë të mblidhen dhe të monitorojnë me kujdes situatën me të cilën po ballafaqohemi. Kërkesa ime është që në këtë situatë delikate ku ne bëjmë historinë ndonjëherë edhe pa e ditur se po e bëjmë që të jemi të bashkuar përballë një krizë që mund të prek gjithë neve dhe rajonin. Jemi me fat që jemi bashkë me aleatët perëndimor në ballafaqimit me këtë sfidë”, tha ai.

Ndërsa, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, theksoi se në rast të nevojës, Kuvendi duhet të miratojë rezolutë për tensionet në kufirin e Ukrainës që mund të përfundojnë me luftë, derisa kërkoi edhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse.

Hoxha: Qeveria e Kosovës t’i vendosë sanksione Federatës Ruse

“Ne si deputetë, për shkak të historisë dhe kauzës tonë të drejt, duhet të jemi solidarë me popullin e Ukrainës që po e mbron lirinë dhe pavarësinë e saj. Kuvendi në një të ardhme të afërt ta miratojmë edhe një rezolutë, I ftoj të gjitha partitë politike të bëjnë një gjë të tillë. Hapi i dytë, është që Ukraina është fronti i parë, e Ballkani i dyti dhe ne jemi vija e parë e këtij fronti në Ballkan. Qeveria duhet ta mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për situatën, dhe së treti, sot nëse SHBA-ja dhe BE-ja vendos sanksione, sot Qeveria e Kosovës duhet të vendosë sanksione ndaj Federatës Ruse sikurse kemi bërë në vitin 2014 kur është aneksuar Krimea. Ky Kuvend nuk duhet të jetë i shkëputur me atë se çka po ndodhë në Ukrainë”, u shpreh Hoxha. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat