Kuvendi pritet të miratojë rezolutë për agresionin rus në Ukrainë

Aktuale

Kuvendi pritet të miratojë rezolutë për agresionin rus në Ukrainë

Më: 28 shkurt 2022 Në ora: 07:47
Kuvendi i Kosovës

(E plotësuar 13:36) - Kuvendi i Kosovës shumë shpejt do të miratojë një rezolutë për agresionin rus në Ukrainë.

Përmes saj, pritet t’i kërkohet Bashkimit Evropian që të bëhet dallimi ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor që u rreshtuan pro BE-së dhe NATO-s dhe refuzimit të Serbisë. Për harmonizimin e një rezolute të tillë do të vazhdojë koordinimi i grupeve parlamentare në legjislativ.

Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, se pas agresionit rus në Ukrainë nuk mund të trajtohen njëjtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kusari-Lila: Të prezantohet qëndrimi i unifikuar i Kuvendit për agresionin rus në Ukrainë

“Bashkërisht Kuvendi i Kosovës të miratojë një rezolutë në frymën e ngjarjeve që tashmë kanë përfshirë gjithë botën me agresionin rus në Ukrainë dhe unifikimin e BE-së dhe shteteve të NATO-s ndaj këtij agresioni. Të prezantojmë qëndrimin e Kuvendit të unifikuar në një rezolutë të përbashkët, e cila gjithashtu synon të kërkojë nga mekanizmat e BE-së që të bëhet qartë dallimi midis shteteve që u rreshtuan pro vendeve të BE-së dhe NATO-s dhe vendeve që refuzuan të bëjnë një gjë të tillë, siç është Serbia. Pas ngjarjeve në Ukrainë, nuk mund të vazhdohen të trajtohen njëjtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ky dallim duhet të bëhet. Tash ka mbetur në nivelin e shefave të grupeve parlamentare që të koordinohemi për përmbajtjen e kësaj rezolute dhe të jemi unikë në prezantimin dhe votimin e saj”, tha ajo.

Mirëpo, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri kërkoi debat parlamentar në Kuvend për gjendjen e sigurisë në vend. Ai tha se duhet rishikuar strategjia kombëtare e sigurisë dhe fondi për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Tahiri: Të ketë debat parlamentar për sigurinë në vend

“Njëra prej çështjeve që adresova në Kryesi është kërkesa jonë për një debat parlamentar për siguri. Ajo çka shihet në luftën në Ukrainë, sulmin e Rusisë të drejtpërdrejtë mbi tërësinë territoriale në një shtet demokratik dhe rreshtimin e Kosovës përkrah botës perëndimore është një moment që duhet të reflektohet. Ajo që dua të them është se rrethanat, të cilat janë krijuar në aspektin e sigurisë, si në nivel ndërkombëtar, po ashtu në nivel të Ballkanit Perëndimor, po ashtu kërkojnë një reflektim edhe të Kuvendit të Kosovës. Si AAK kemi adresuar disa çështje të rëndësishme, e para ka të bëjë me strategjinë e re të sigurisë kombëtare të vendit që ndërlidhet edhe me veprimet më të shpejta në anëtarësim e Kosovës në NATO. E dyta ka të bëjë me fondin për forcimin e financimit të ushtrisë sonë që ka qenë një kërkesë e kamotshme e jona. Kjo lidhet drejtpërdrejt edhe me rishikimin e buxhetit për siguri dhe pastaj thënë më troç, nëse një botë u bashkua në ndihmesë të një kauze të drejtë të Ukrainës, pse jo mos të bashkohemi edhe ne si subjekte politike... nuk hyri (në rend të ditës së seancës plenare), jemi duke diskutuar me grupet parlamentare se cila do të jetë qasja e mirë”, tha ai.

Krahas këtyre, Kryesia e Kuvendit mori vendim që të ketë dy seanca gjatë kësaj jave. Të enjten do të mbahet seanca e rregullt, ndërsa të shtunën seancë solemne për nder të Epopesë së UÇK-së.

Kusari-Lila: Më 5 mars seanca solemne për nder të Epopesë së UÇK-së

“Gjithashtu u vendos që më 5 mars për nder të fillimit të ditëve të Epopesë së UÇK-së, Kuvendi i Kosovës të mblidhet në seancë solemne me fillim në orën 12:00”, tha Kusari-Lila.

Në mesin e pikave të rendit të ditës në seancën e së enjtes pritet të jenë vendimi i Qeverisë së Kosovës për vazhdimin e masave emergjente në furnizimin e energjisë dhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar.

Kuvendi mban të enjten seancën e radhës

Kuvendi i Kosovës do të mbajë të enjten seancën e radhës e cila nis në ora 11:00.

Lajmin e ka bërë të ditur shefi i grupit parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri, pas mbledhjes së kryesisë.

Mes tjerash, Tahiri tha se AAK në mbledhjen e kryesisë ka adresuar disa çështje.

“Ndër temat që adresova në kryesi është kërkesa për debat parlamentar për siguri. Strategjia e re e sigurisë kombëtare të vendit që ndërlidhet me veprimet më të shpejta të anëtarësimit në NATO të Kosovës. Me fondin për forcimin e financimit të ushtrisë dhe bashkimi në ndihmë i një kauze të drejtpërdrejt për Ukrainën".

Deklarata pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit

Ka filluar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ku pritet të caktohet seanca e re plenare.

Në rend të ditës për shqyrtim janë disa pika, në mes tjerash vendimi i Qeverisë së Kosovës për vazhdimin e masave emergjente në furnizimin e energjisë dhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar.

Krahas këtyre, pritet shqyrtimi edhe i formimeve të dy komisioneve ad-hoc për përzgjedhjen e një anëtari të Bordit për ankesa të mediave dhe për dy anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Mblidhet sot Kryesia e Kuvendit

Sot do të mblidhet Kryesia e Kuvendit të Kosovës.

Kryesia pritet të mblidhet në ora 11:00.

Në rend ditë përgatitjet për seancë të re plenare.

Rendi i ditës së Kryesisë së Kuvendit:

I. Miratimi i procesverbalit të mbledhjes së mëparshme të Kryesisë së Kuvendit,

II. Përgatitjet për Seancën plenare të re të radhës:

1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,

2. Pyetjet parlamentare,

3. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,

4. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-034 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-049 për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar,

5. Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, nr.14/62 datë 23.02.2022, për vazhdimin e masave emergjente në furnizimin e energjisë,

6. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidateve për një (1) anëtar të Bordit për Ankesa të Mediave,

7. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës nga komunitetet joshqiptare.

III. Shqyrtimi i propozimeve dhe i kërkesave

Vendi: C301

Koha: 11:00

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat