Të blejmë raketa, Irone Dome, Javelin e Stinger, ta mundim Serbinë/ Fondi për ushtrinë, kur do të bëhen një miliard euro!?

Aktuale

Të blejmë raketa, Irone Dome, Javelin e Stinger, ta mundim Serbinë/ Fondi për ushtrinë, kur do të bëhen një miliard euro!?

Nga: Idriz Morina Më: 2 mars 2022 Në ora: 19:27
Ushtarë të Kosovës, të cilët kanë nevojë për armatim shumë ma të mirë për ta mbrojtur Kosovën

Që në ditën e parë të themelimit të Fondit për siguri, në 24 orët e para zotimi i mjeteve ka shkuar në disa qindra mijëra euro.

Nuk është një trend i dobët, duke pasur parasysh se ende fondi nuk është funksional, dhe që u ndesh me kritika që në fillim nga skeptikët.

Por, nëse situata përshkallëzohet, rriten tensionet dhe gjasat për një konflikt të hapur me Serbinë shtohen, atëherë edhe një e dy milionë euro po të derdhen në ditë në fond janë pak, madje shumë pak, për ta siguruar lirinë.

Tensionet e luftës në Ukrainë po rriten, dhe situata nuk do të përshkallëzohet përtej saj, për aq kohë, sa ushtria e saj do të arrijë ta mbajë të ngujuar brenda territori të saj.

Por, edhe për sa kohë ushtria ‘e kuqe’ ruse nuk përparon, rreziku serioz ekziston, që Putini të hap vatra të tjera lufte në Europë, në shenjë hakmarrje ndaj Perëndimit, dhe po ashtu që ta ndajë atë, përkatësisht ushtritë e tij, në mënyrë, që të pakësohen ndihmat për Ukrainën.

Në atë rast Kosova mund të ishte një caqet apo vatrat e luftës.

Ndërsa, sipas informacioneve zyrtare të Kosovës, Serbia ka filluar që të mobilizojë rezervistët e saj. “Kemi informacione të cilat flasin se Serbia madje edhe po mobilizon pjesën rezervë dhe po telefonon dhe po thërret pjesën që e ka në Kosovë. Kemi raste konkrete që po i thërret qytetarët serbë që janë rezervë këtu, por që duhet të lajmërohen në Leskoc, Nish, Vrajë”, ka thënë sot zëvendësministri i Mbrojtjes Shemsi Syla.

“Mërgatë - vendi yt Kosova, ka nevojë për ty!”

Por, si po rrjedh operacioni i mbledhjes së fondeve për armatim, për të cilin sot u publikua xhirollogaria ku mund të kontribuojnë shqiptarët, nga Perëndimi dhe e gjithë bota, si dhe bizneset.

Një ekonomist shumë i zoti, dhe i mirinformuar, ish-bankieri Emanuel Bajra, pohon se me paratë e zotuara sot mund të blihen disa plumba, por nesër disa armë, dhe pas një viti, mund të përballemi pa frikë me Serbinë.

“Sot blihen disa plumba, deri në fund të vitit një batalion i tërë, dhe nëse vazhdojmë kështu për një vit e diçka do ta kemi një ushtri të gatshme për tu përballur me hekurin e ndryshkun t’SerboRusisë, prapambetjet e Milloshit - nëse duan ta provojnë fatin e ta sulmojnë Kosovën!

Mërgatë - vendi yt Kosova, ka nevojë për ty!”, shkruan Bajra në faqen e tij në fb.

Sikurse kemi shkruar ne, edhe Bajra, kërkon që të bëhet një miliard euro për një vit.

“Ta kalojmë sivjet €1 miliardshin e remintancave, e krejt çka kemi t’i investojmë në hekur, barot, dronë e antitanksë, snajper e Stingers, uniformë e flamur, ushtarë të denjë, çika e djem. Në Kosovë, për Kosovën!”, është thirrja e Bajrës, njëherazi bashkë-projektues edhe i Fondit Sovran, të themeluar nga Qeveria e Kosovës një javë më parë.

Sipas disa raportimeve kompania “Devolli” është zotuar t’i jap 500 mijë euro, që lë të kuptohet se shuma vetëm në ditën e parë mund ta ketë kaluar një milion euro –zotimesh.

Unë kam qenë ndër të parët dhe ndoshta i vetmi, që kam bërë një shkrim të veçantë, dhe më pas në vazhdimësi, që nga fillimi i krizës së Ukrainës, dhe pas fillimit të luftës atje, ku kam ftuar Qeverinë që ta krijojë një fond të tillë, duke u nisur nga rritja e kërcënimit të Serbisë, pengimi apo nënçmimi që i bëhej Kosovës në bisedime, duke na përshkruar nën rrogoz si një vend të pafuqishëm dhe të pamjaftueshëm për vetveten, duke ia rritur kështu ambiciet Serbisë.

Mbi të gjitha që ne të mund të armatosemi me kohë, në rast të ndonjë sulmi të Serbisë apo serbo-rus!

Image
Stingerat amerikan

Funksioni dhe emërtimi

Fondi për siguri, mendoj se është emëruar gabimisht. Ai do të duhej të quhej Fond për mbrojte (nga lufta).

Emërimi fond për siguri është problematik, dhe jep mundësi të keqkualifikimit të tij, dhe më tej të angazhojë njerëz, të cilët në një mënyrë apo tjetër mund të manipulojnë pjesërisht me të.

Fondi duhet të jetë transparent, sa i përket shpenzimeve, dhe se aktualisht ai nuk mund të paramendohet ndryshe, përveçse si fond për blerje armatimi.

Nëse roli i fundit keqinterpretohet dhe i jepen funksione që nuk duhet t’i ketë, në mënyrë automatike nënkupton, se bëhet fjalë për abuzim dhe keqpërdorim të tij, që në fillim.

Image
Projektilet Javelin

 

Historia trembëse

Shqiptarët kanë pasur së paku dy fonde kryesore, dhe me një jetëgjatësi relative, dhe me shuma që ende duken marramendëse.

Asnjëri prej tyre nuk është mbyllur në mënyrë transparente. I ashtuquajturi fondi i 3%, që ishte fond shtetëror, për mbajtjen në këmbë të strukturave të tij, i themeluar nga Qeveria e Kosovës në mërgim, ende vazhdon të debatohet dhe të kërkohet llogari, nga vetë ata të cilët ishin të përfshirë në të, pra nga ish zyrtarë të dikurshëm të LDK-së, që e njohin jo pak historinë e mbledhjes së mjeteve.

Natyrisht, që ka qenë e vështirë të kontrollohej fondi, nga një Qeveri në mërgim, nga një pamundësi e funksionimit të Parlamentit, përveç nëpërmjet komisioneve, dhe në mungesë të hetimit në kohë reale, për shkak të pamundësisë së krijimit të institucioneve të tjera shtetërore, nën okupimin serb.

Sidoqoftë, pakënaqësitë dhe hijet e vrugëta kanë mbetur pas. Ndërsa, institucionet e drejtësisë nuk kanë treguar vullnet ta zbardhin atë as sot. Sipas zyrtarëve të fondit, ai nuk ka pasur më shumë se 300 milionë Dm, gjatë gjithë ekzistencës më se 10 vjeçare. Por, sipas kritikëve të tij, shumat kanë qenë së paku dyfish më të mëdha.

Ndërsa, fondi tjetër, “Vendlindja thërret”, është mbyllur pa asnjë llogari, i udhëhequr nga ish krerë të LPK-së, dhe më pas nga ish drejtues të UÇK-së, krahut të majtë. Nga ai fond janë marrë para apo janë ndarë siç kanë dashur e mundur ata, nga qindra miliona të mbledhura vetëm minimalisht janë shpenzuar në armatim, dhe kurrë asnjë raport nuk është bërë, për dallim nga fondi i 3% të Qeverisë, që në janar të vitit 2000 e ka dhënë një raport publik, nga ish-kryeministri Bukoshi, para Presidentit Rugova dhe Kuvendit, që do të shpërndaheshin po atë ditë të gjitha institucionet.

Kjo histori e trishtë nuk duhet të përsëritet, nëse një gjë e tillë ndodhëm, keqpërdoruesit do të gjykohen!

Image
Kontoja ku mund t'i derdhni paratë për ushtri

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat