Stano: Afër ujdia mes Kosovës e Serbisë për energjinë në veri dhe personat e pagjetur

Aktuale

Stano: Afër ujdia mes Kosovës e Serbisë për energjinë në veri dhe personat e pagjetur

Më: 6 mars 2022 Në ora: 13:22
Stano

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se në takimin e 22 shkurtit mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Beslimit dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviç është diskutuar edhe për përgatitjen e terrenit për takimin e radhës të nivelit të lartë të dialogut Kosovë-Serbi, pasi këto shtete pritet të arrijnë marrëveshje për energjinë në veri dhe për personat e pagjetur.

“Pas 11 orësh negociata intensive, palët iu afruan gjetjes së gjuhës së përbashkët për disa çështje me rëndësi thelbësore për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë, siç është rryma për veriun e Kosovës dhe zgjidhja e fatit të personave të pagjetur”, tha Stano për KP.

“Ne presim që palët të arrijnë shpejtë një marrëveshje për këto çështje, për të lejuar fillimin e diskutimeve mbi tema të reja të rëndësishme për normalizimin e marrëdhënieve”.

Më 25 shkurt, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohej për dialogun Kosovë-Serbi, ka deklaruar se Qeveria e ka trajtuar me seriozitet këtë temë dhe u është përmbajtur principeve të saja.

“Këto janë nën një me Serbinë diskutojmë vetëm për çështjet e mbetura, edhe atë në një kuadër të një marrëveshjeje të tërësishme që synon normalizimin e plotë me raportin fqinj”, pati thënë Bislimi.

Ai shtoi se, “tema e të pagjeturve është biseduar gjatë secilit rang të negociatave”.

Ndërsa, për çështjen e targave të veturave, sqaroi se janë duke punuar akoma për një zgjidhje.

“Tema e targave të veturave është trajtuar jashtë kornizës, për shkak të përfundimit të marrëveshjes paraprake dhe mundësisë së parë që kjo temë do të rezultonte me një zgjidhje permanente, që do të mundësonte lëvizjen e qytetarëve”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat