A e ka përfshirë Putini Kosovën në një kod sekret dhe në një plan sekret? / A jemi ne në shënjestrën e Putinit!?

Aktuale

A e ka përfshirë Putini Kosovën në një kod sekret dhe në një plan sekret? / A jemi ne në shënjestrën e Putinit!?

Idriz Morina Nga Idriz Morina Më 6 mars 2022 Në ora: 20:12
Imazhi i Putinit të përhumbur nga ndjenja e madhështisë!

A e ka përfshirë Putini Kosovën në një kod sekret dhe në një plan sekret të pushtimeve dhe luftërave të tija?

Që nga zbarkimi i forcave pushtuese të Rusisë në Ukrainë, fillimisht me pseudomisionet “paqeruajtëse” në Luhan dhe Donjets, të cilat i kam deklaruar si nisja e pushtimit të Ukrainës, dhe veçmas me fillimin e pushtimit masiv të saj nga të tri anët (me 24 shkurt), Putini nuk ka pushuar së përmenduri Kosovën dhe shqiptarët.

Kosova kompleks i Putinit?!

Njëherë duke e marrë si shembull ngjashmërie, dhe herën tjetër duke e shënjuar si armiqësi të shqiptarëve ndaj tij apo Rusisë.

Çfarë po përpiqet të thotë Putini, kur po e përmend se shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe kroat nga Kroacia po shkojnë vullnetarë të luftojnë në Ukrainë kundër Rusisë?!

Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar thuaja në çdo deklarim të tij, duke e pasur parasysh se nuk janë shenja të rastësishme reagimet nga një diktator si Putini, që po cilësohet nga shumë media perëndimore si i çmendur, diktator, autoritarist dhe shenja të qarta të çrregullimeve psikologjike etj.

Fakti që ai në vazhdimësi e përmend Kosovën, përbën për të një rast psikologjik, të cilin qoftë se nuk e tejkalon emocionalisht, qoftë se atij i është kthyer në fiksim, se pse po dështon dhe nuk po ia del si Perëndimi!? Për këtë të dytën ai mund të jetë i vetëdijshëm se po e synon artificialisht, pasi e din, se Kosova dhe shqiptarët ishin tradicionalisht viktima të Serbisë dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, ku Rusia ishte vendimtare, që trojet shqiptare të copëtoheshin.

Po ashtu ai simbolikisht mund ta gjejë veten në hisorinë tonë, se si një vend dhe popull i vogël kurrë nuk u dorëzuan dhe po fitojnë, ndërsa ai po dështonte, sepse nuk ishte i përkrahur sa duhet nga njerëzit e mëdhenj (shtatgjatë të Rusisë), që e bënin të ndihej gjithmonë i vogël, për shkak të trupit të tij të shkurtër, që rrjedhimisht nënkupton edhe kompleksin e inferioritetit që vet Putini e ka. Në përpjekje për të mposhtur këtë kompleks në luftë me veten e tij, dëshiron t’ua dëshmojë ndjenjat e madhështisë së tij, nëpërmjet gjërave (historisë, territorit të dikurshëm, lavdisë...) që sipas tij janë shumë të rëndësishme për rusët dhe Rusinë, dhe rrjedhimisht t’ia tregojë botës supremacinë ruse.

Po ashtu fokusimi i tij deri në obsesion për pamjen e tij, imazhin e vetes, që e projekton tek Rusia, duke shfaqur në vazhdimësi në publik një vetëbesim të tepruar të madhështisë, e kanë bërë të humb lidhjen me realitetin dhe të shkojë drejt veprimeve më të pa matura dhe më impulsive (pasi e kaluara e tij, është mjaft e inkriminuar si në Çeçeni edhe brenda Rusisë në përndjekjen e kundërshtarëve dhe ekzekutimin e tyre).

Të gjithë e dinë, se nëse ka ndonjë shqiptarë në luftë në Ukrainë, nuk bëhet fjalë për më shumë se disa individ, të cilët më parë kanë mundur të shkojnë nga shtete të huaja, pra që nuk jetojnë më këtu, dhe të cilët aspak nuk paraqesin rëndësi në përcaktimin e fatit të luftës atje. Putini e di më mirë thuaja se çdo kush tjetër se ashtu është.

I përmend shqiptarët atje, duke u dhënë konotacionin se janë agresor, e përmend Kosovën, sepse e sheh si objektiv të përcaktuar, që duhet goditur nga Serbia apo bashkërisht.

Putini po i përmend gjithashtu kroatët, sepse i sheh si armiq në luftën e pritshme për ndarje të Bosnjës, përkatësisht të bashkimit të Republikës serbe me Serbinë. Dhe gjithashtu duke qenë një vend në NATO, ai mund ta shoh konfliktin në Bosnje, si pikë strategjike, për ta përfshirë NATO-n në luftë.

Sipas pikës 5 të Kartës së Atlantikut, nëse sulmohet një vend i NATO-s, ai vend apo aleancë është tashmë në lufte me vendet anëtare të Traktatit të Atlantikut të Veriut.

Neni 5

Palët bien dakord se një sulm i armatosur kundër një apo më shumë prej tyre në Evropë apo në Amerikën e Veriut do të quhet si sulm kundër të gjitha atyre dhe si pasojë bien dakord që, nëse ndodh një sulm i tillë, secila nga ato, në ushtrim të të drejtës së vetëmbrojtjes kolektive apo individuale të njohur nga Neni 51 i Kartës së Kombeve të Bashkuara, do të ndihmojë Palën apo Palët e sulmuara në këtë mënyrë duke ndërmarrë menjëherë, individualisht dhe në bashkërendim me Palët e tjera, ato veprime që i vlerëson si të nevojshme, përfshirë këtu përdorimin e forcave të armatosura, për të rivendosur dhe ruajtur sigurinë në zonën e Atlantikut të Veriut.

Çfarëdo sulmi i tillë i armatosur dhe të gjitha masat e marra si rrjedhojë e tij do t’i njoftohen menjëherë Këshillit të Sigurimit. Masa të tilla do të përfundojnë kur Këshilli i Sigurimit të ketë marrë masat e nevojshme për të rivendosur dhe ruajtur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Skenare dhe rreziqe

Por, një sulm ndaj Kosovës, mund të ndodhë edhe në një fazë tjetër, atëherë kur vendet e NATO-s të jenë futur tashmë në luftë me Rusinë, për ta shpëtuar Ukrainën nga një gjenocid tronditës apo kur Rusia do ta sulmojë ndonjë vend anëtar të NATO-s në fqinjësi me Ukrainën, me akuzën për futje të armëve.

Në këtë situatë, Rusia, sipas marrëveshjeve paraprake, mund ta godasë Kosovën, duke e parë si një vend që po mbahet nën kontrollin e NATO-s, dhe të cilin Serbia nuk është e gatshme ta sulmojë vetë.

Kosova ndodhet para një skenari të vërtetë lufte, ndodhin e së cilës nuk e ka në dorë ta përcaktojë NATO-ja, nëse po e synon vërtetë Putini.

Putini duke përmendur pjesëmarrjen e shqiptarëve të Kosovës në luftë në Ukrainë, ai po e shpall Kosovën dhe Shqipërinë si vende armiqësore të Rusisë. Ai nuk po i përmend qindra gjerman, francez, holandez, danez apo të tjerë që po marrin pjesë shumëfish më shumë në luftë dhe në shumë mënyra, se sa një grim shqiptarësh.

Po i përmend shqiptarët, Kosovën dhe Shqipërinë si pika, të cilat ai i ka projektuar për t’u goditur!

Nuk ka reaguar krejtësisht kot Ministria e Jashtme e Kosovës, ndaj deklarimeve të përsëritura të Putinit.

Putini vazhdimisht e ka motivuar dhe arsyetuar pushtimin e Ukrainës, të Krimesë, më pas të Luhanit dhe Donetskit, me rastin e Kosovës.

Përpjekjet e autoritaristëve për të gjetur gurët provues shkojnë deri në marrëzi, kështu që lidhja, që ai e ka krijuar veçanërisht me Kosovën, përbën rrezik të madh potencial, për shkak të angazhimit psikologjik të tij, dhe të përpjekjeve për imponim diplomatik, të shpjegimit të tij.

Kjo do të thotë se ne jemi në shënjestrën e Putinit.

Këtë e argumentojnë marrëveshjet historike serbo-ruse, dhe marrëveshjet e fshehta të Serbisë me Rusinë, të bëra kryesisht gjatë regjimit të Vuçiqit.

Po ashtu edhe paralajmërimet nga Josip Borell dhe nga autoritete të tjera, dhe informacionet që i shpërndajnë shërbimet inteligjente.

Prandaj, Kosova duhet ta merrë më seriozisht se çdo shtet tjetër, jashtë Ukrainës, rrezikun e shpërthimit të një lufte.

Varrosja e ekspansionit rus dhe serb?!

Varrosja e ekspansionit rus dhe serb në Kosovë do të ishte plotësisht fatlume, pasi Rusia dhe Putini vërtetë kanë vendosur të humbin, në përpjekjen e tyre të marrë për ta sunduar botën, ani pse Rusia, ka 1/6 e territorit të rruzullit nën sundim dhe okupim. Rreth 146 milionë shtetas rus jetojnë në më shumë se 17 milionë km katror (apo 8.4 veta në një kilometër katror) apo 1.87% e popullsisë botërore, ndërsa gati 7.8 miliardë njerëz në 5/6 e territorit, nga 7 miliardë e 931 milionë banorë sa ka bota aktualisht!

Po, vjen koha, që një Rusi hiper e madhe, të kthehet në një shtet normal, duke krijuar edhe disa shtete të reja, dhe duke mbetur vetëm një Rusi moskovite, sikurse që duhet të copëtohet edhe Serbia, duke ia ndarë Vojvodinën dhe Sanxhakun, në përpjekjet e saj ekspansioniste për t’u zgjeruar drejt tokave shqiptare, pavarësisht që ka okupuar territore sa tri Kosova së paku, dhe mbi 50% e popullsisë së saj është krijuar mbi substratin iliro-shqiptar.

Sidoqoftë kjo analizë është e bazuar në analizimin e kodeve gjuhësore, përkatësisht të informacioneve publike të përdorura nga Putini, dhe që mund të parashohin diktimin e rrjedhës së ngjarjeve, për aq kohë sa nuk ka një marrëveshje për dhënie fund të luftës.

Po ashtu duke bërë dekodimin e informacionit primar, i vendosur në kontekstin gjeopolitik, të qëndrimeve të formësuara që më parë dhe të kërkimit konotativ të informacionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat