Protestohet në solidarizim me Ukrainën, Osmani: Do të triumfojë liria dhe demokracia

Aktuale

Protestohet në solidarizim me Ukrainën, Osmani: Do të triumfojë liria dhe demokracia

Më: 7 mars 2022 Në ora: 13:24
Foto nga vendi i ngjarjes

(E plotësuar 13:53) - “Paqe për Ukrainën” dhe “Qëndrojmë me Ukrainën”, ishin disa nga mesazhet që u panë në duart e protestuesve në solidarizim me popullin ukrainas. Presidentja e vendit, përfaqësues të ambasadave të huaja në Kosovë, organizata jo-qeveritare dhe shumë qytetarë kanë marshuar nga sheshi “Skënderbeu”, në drejtim të sheshit “Zahir Pajaziti”. Me pankartat me ngjyra të flamurit të Ukrainës, është shprehur mbështetja për këtë popull i cili është pushtuar nga Rusia që nga data 24 e muajit të kaluar.

Presidentja Vjosa Osmani theksoi se ajo çfarë po përjeton populli i Ukrainës, rikthen kujtimet e plagëve të rëndëve që janë shkaktuar mbi secilin qytetarë të Kosovës nga regjimi gjenocidal i Serbisë.

Osmani: Jemi bashkuar për të kërkuar përgjegjësi për krimet që po i kryen diktatori Putin

“I jemi bashkuar botës demokratike, i jemi bashkuar aleatëve tanë. Jo vetëm për ta dënuar agresionin rus mbi Ukrainën, por në të njëjtën kohë për të kërkuar përgjegjësi për krimet që po i kryen krimineli i luftës, diktatori Putin. Do të qëndrojmë të bashkuar, do të bashkojmë zërin dhe veprimet tona, sikurse deri më tani. Jam e bindur që sikurse edhe në rastin e Kosovës në vitin 1999 edhe tani në Ukrainë në vitin 2022, do të triumfoj liria dhe demokracia”, ka deklaruar Osmani.

Më tej, Osmani shtoi se është me rëndësi të dëgjohet zëri se çfarë ndodhë kur “diktatorët ledhatohen”.

Ajo është pyetur edhe nëse ka pasur ndonjë telefonatë me presidentin e Ukrainës, Volodymyur Zelensky.

Osmani: Kemi dërguar mesazhet tona te institucionet qendrore të Ukrainës

“Jo shumica, ka qenë një numër i vogël që kanë arritur që të kenë telefonata të drejpërdrejta. Ne natyrisht që kemi komunikuar me ambasadat e Ukrainës anë e kënd botës. Sidomos në shtetet ku edhe Kosova ka ambasada, kemi dërguar mesazhet tona edhe te institucionet qendrore të Ukrainës. Natyrisht që ata janë të vetëdijshëm për të gjitha masat që e i ka ndërmarrë Republika e Kosovës në përkrahje të popullit të Ukrainës, si dhe sovranitetit dhe integritetit territorial të këtij shteti. Dhe sigurisht janë të vetëdijshëm se cili është shteti në rajonin tonë i cili po vazhdon të qëndrojë përkrah Putinit dhe Rusisë, e natyrisht ajo është Serbia”, ka vijuar ajo.

Kryetarja e shtetit ka përsëritur gatishmërinë e Ukrainës për të pritur qytetarë ukrainas dhe gazetarë nga ky vend. Sipas saj, përveç që këta të fundit do të vendosen në Kosovë, do të kenë mundësinë edhe të vazhdojnë të raportojnë.

Drejtoresha ekzekutive e Forumit për Iniciativa Qytetare, Dajana Berisha u shpreh se me shumicën e ambasadorëve të vendeve të BE-së, po shprehin vlerat demokratike, zhvillimore e jo të atyre autokratike.

Berisha: Jemi këtu për tu përcaktuar për pozicionin me vlerat perëndimore

“Është një aktivitet në vazhdën e aprovimit të rezolutës prej Qeverisë së Kosovës, prej Kuvendit të Kosovës, në mbështetje të popullit të Ukrainës. Ne jemi sot këtu nëpërmjet një gjesti simbolik qytetar për të shprehur mbështetjen dhe solidaritetin e Kosovës në rrafshin njerëzor, institucional, të organizatave jo-qeveritare ndaj popullit të Ukrainës. Jemi këtu për tu përcaktuar për pozicionin me vlerat perëndimore mbarë perëndimore në momentet shumë të vështira që po kalon populli i Ukrainës si pasojë e invazionit dhe agresionit të federatës ruse”, ka thënë ajo.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 150 mijë euro për të mbuluar shpenzimet e gazetarëve, por që ende nuk dihet se kur do të arrijnë ata. Ndërkohë që nga data 24 shkurt, janë vrarë qindra njerëz dhe mbi 1,5 milion janë zhvendosur.

​Osmani në marshin protestues: Kërkojmë përgjegjësi për krimet që po i kryen diktatori Putin në Ukrainë

Qytetarë të shumtë, ambasada të huaja, shoqëria civile dhe presidentja Vjosa Osmani i janë bashkuar marshit protestues në solidarizim për popullin e Ukrainës.

Osmani tha se ajo çfarë po përjeton populli i Ukrainës, rikthen memorien dhe plagët tek popullit të Kosovës

"I jemi bashkuar botës demokratike, i jemi bashkuar aleatëve tanë edhe për të kërkuar përgjegjësi për krimet që po i kryen diktatori i luftës, Putin. Do të qëndrojmë të bashkuar dhe jam e bindur që edhe si në rastin e Kosovës, do të triumfojë liria dhe drejtësia", ka thënë ajo.

Ajo edhe një herë ka shprehur gatishmërinë për pritjen e gazetarëve dhe qytetarëve ukrainas në Kosovë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat