Ministrja e Jashtme gjermane flet për dialogun dhe përcjell mesazhin për liberalizimin e vizave

Aktuale

Ministrja e Jashtme gjermane flet për dialogun dhe përcjell mesazhin për liberalizimin e vizave

Më: 10 mars 2022 Në ora: 17:53
Pamje nga takimi

(E plotësuar 21:06) - Ministrja gjermane thotë se po punojnë për liberalizimin e vizave për Kosovën

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock pas takimit me kryeministrin Albin Kurti ka thënë se Gjermania po punon për liberalizimin e vizave për Kosovën.

”Sa i përket liberalizimit të vizave edhe këtë e thash shumë qartë’’.

Image
Annalena Baerbock

‘’Për mua nuk është në pikëpyetje se neve na duhet liberalizimi i vizave për Kosovën dhe paqen e krijojmë vetëm së bashku me njerëzit”, tha Baerbock. 

Ministrja e Jashtme gjermane: Duhet përparim i dialogut Kosovë-Serbi

Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka thënë se Kosova dhe tërë rajoni ballkanik ka perspektivën për integrim në Bashkimin Evropian.

Pas takimit me kryeministrin Kurti, kryediplomatja gjermane tha se vet vizita e saj në Kosovë paraqet këtë vizion.

Ajo tha se Kosova ka plotësuar kriteret për liberalizim të vizave dhe BE-ja duhet të marrë hapin tutje, ndërkohë qw theksoi se duhet përparim i dialogut Kosovë-Serbi.

Ndërsa, kryeministri Kurti tha se përkundër vonesave dhe dëshpërimit në BE-në për shkak të mosliberalizimit të vizave, Kosova s’ka rrugë tjetër përveç BE-së.

Kryediplomatja e Gjermanisë takohet me Osmanin/ “Kosova e gatshme për të strehuar refugjatë ukrainas”

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ministren e Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock. Në takim kanë marrë pjesë edhe zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla- Schwarz, si dhe i dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova i është bashkuar BE-së dhe ShBA-ve, me vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës së Rusisë, e cila ka kryer agresion ushtarak ndaj Ukrainës. Sipas Presidentes Osmani, Republika e Kosovës e mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës dhe është e gatshme për të strehuar refugjatë ukrainas.

Presidentja Osmani kërkoi nga ministrja Baerbock mbështetje nga Gjermania për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës. Ajo theksoi se Kosova është e gatshme të plotësoj të gjitha kriteret për anëtarësim në këtë organizatë, pasi që paraqet shtysë të rëndësishme për zbatimin e standardeve evropiane për të drejtat e njeriut dhe agjendën evropiane të vendit.

Image
Pamje nga takimi

Po ashtu, Presidentja Osmani theksoi se për Kosovën dhe paqen e sigurinë në rajon, është ekzistenciale fillimi i procesit të anëtarësimit në NATO. Agresioni rus në Ukrainë, sipas Presidentes Osmani ka nxitur domosdoshmërinë e integrimit euroatlantik të Kosovës dhe gjithë Ballkanit Perëndimor.

Presidentja Osmani ka potencuar se aspirata e Kosovës për t'u bërë anëtare e NATO-s, synon parandalimin e përpjekjeve për ta destabilizuar vendin tonë dhe rajonin nga përpjekjet e Rusisë dhe aleatit të saj, Serbisë. Më tej, Presidentja Osmani ka përmendur kërcënimin që vjen nga bashkëpunimi i ngushtë ushtarak ndërmjet Rusisë dhe Serbisë, sikurse edhe nga funksionimi i një qendre ruse afër kufirit me Kosovën.

Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka kërkuar mbështetjen e Gjermanisë për anëtarësim në Partneritetin për Paqe, pastaj në NATO, si dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.

Në këtë takim u diskutua edhe për marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve. Presidentja Osmani theksoi se për Kosovën, Gjermania është partner strategjik në aspektin politik, të sigurisë dhe atë ekonomik. Sipas saj, Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë.

Presidentja Osmani vlerësoi se marrëdhëniet me Gjermaninë i bëjnë edhe më të forta një numër i madh i mërgimtarëve nga Kosova, të cilët jetojnë dhe janë të integruar mirë në Gjermani. Prandaj, sipas Presidentes Osmani, Kosova e konsideron Gjermaninë si një forcë lëvizëse për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe rajonit.

Ambasadori gjerman në Kosovë i bën pritjen karakteristike shefes së tij nga Gjermania

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalene Baerbock, sapo ka arritur në Kosovë në vizitën e saj dyditore.

Në aeroport doli ta presë homologja e saj, Donika Gërvalla.

Image
Jorn Rohde dhe Faruk Ajeti

Por, një pritje tjetër me diçka karakteristike e Kosovës ia ka bërë gati ambasadori i Gjermanisë që shërben në Kosovë, Jorn Rohde.

“Bashkë me ambasadorin kosovar në Gjermani, Fauk Ajeti me një makiato kosovare, jemi gati ta mirëpresim ministren e Jashtme të Gjermanisë, Annalene Baerbock në Prishtinë, pas pak minutash”, ka shkruar ai në Twitter.

Pas Gërvallës, Baerbock do ta takojë presidenten e vendit Vjosa Osmani dhe një orë më pas kryeministrin Albin Kurti, me të cilin do të mbajë një konferencë të përbashkët për media.

Kryediplomatja gjermane para nisjes së vizitës zyrtare në Kosovë, Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi ka thënë se disa nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor janë lënë pas dore. Por, ajo tha se shteti i saj e ka në prioritet, sidomos tani pas rrethanave që krijoi lufta në Ukrainë.

***

Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka arritur në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”.

Baerbock u prit në aeroport nga kryediplomatja, Donika Gërvalla-Schwarz.

Baerbock do të qëndrojë në vizitë zyrtare dy ditore në Kosovë.

Ndërsa me presidenten Vjosa Osmani, kryediplomatja gjermane do të takohet në orën 17:30.

Me kryeministrin e Albin Kurti, Baerbock do të ketë konferencë të përbashkët për media në 18:30, në ndërtesën e Qeverisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat