Mercenarët e tregjeve dhe mercenarët e luftës! / Preludi i një lufte speciale i nisur me çmime

Aktuale

Mercenarët e tregjeve dhe mercenarët e luftës! / Preludi i një lufte speciale i nisur me çmime

Nga: Idriz Morina Më: 10 mars 2022 Në ora: 18:17
Foto ilustrim nga protestat kundër shtrenjtimit të rrymës

A kanë ndonjë dallim mercenarët e luftës, që ishin futur si agjentë të Serbisë në luftën në Kosovë, për ta komprometuar jo më luftën, por paqen në Kosovë.

Ata që u treguan mjeshtër të ‘aktrimit’, duke na u shitur si luftëtarë dhe duke marrë statusin e heroit në luftë, nëpërmjet vetëlavdërimit dhe vetëhyjnizimit, janë po ata, që sot na shesin vajin me 3.5 euro (në shumë raste as një litër, por 0.9 l), pa kaluar as 24 orë nga një ditë më parë, ku vaji nuk e kalonte as çmimin prej dy eurove.

Ishte rrjeti i marketeve Viva që kishte nisur ta frynte çmimin e vajit. Që me 8 mars, e kishte paralajmëruar se ngritja e çmimit të vajit do të ishte në 2.25 euro, ndërsa sot kishte bërë një lojë të paturp, duke e çuar çmimin në 3.49 euro për litër.

A duhet të dënohen firmat që u subvencionuan nga shteti

Është e habitshme, se si nga një biznes që konsiderohej i dështuar para një dekade, Viva, jo vetëm u ringrit, por u bë rrjeti më i madh i shitjes në Kosovë. Një rrjet që sot ka mbi një qind shitore të mëdha.

Më e habitshme është se si u bë që ky rrjet më i madhi në Kosovë dhe që përfitoi më së shumti nga shitjet në krizën e pandemisë, përfitoi më së shumti nga shteti, në vetëm një rast, duke marrë rreth 900 mijë euro!

Por, edhe më e habitshme është se si para disa javësh po këtij rrjeti në Ferizaj iu djeg, e iu ba shkrumb e hi qëllimisht një shitore e madhe e tij, nga më të mëdhatë për nga hapësira.

Pse iu dogj dhe askush nuk tha asgjë? Pse dhe asnjë rezultat në hetime ndaj një kompanie kaq të madhe?

Pse asaj iu dogj një pronë, aq e madhe, nuk e bëri as ajo vetë të madhe, të angazhonte hetues privat, t’i financonte mediat (mercenare), që ta ‘zbulojnë’ të vërtetën e krimit aty!

Bazuar se me çfarë ndodhi aty, duke e pasur parasysh se sot është një rrjet gjigant biznesi, mund ta lëvizte edhe vetë shtetin, po ta kishin ndërmend, pronari dhe pronarët që të ndëshkohej krimi ndaj saj.

Pavarësisht, nëse kjo nuk mund të ketë asnjë lidhje me të parën, është e papranueshme, që një biznes, që ka përfituar vetëm në një rast gati një milion euro ndihma, dhe disa herë të tjera ndihma për punëtorë dhe në forma të tjera, që në rastin e parë, ti dyfishojë çmimet, sikurse të vajit.

Pyetja e parë është nëse Viva deshi t’i nxirrte nëpërmjet vajit dhe ndonjë produkti tjetër humbjet nga djegia e një prone në Ferizaj.

E dyta dhe më e vështira, se kush fshihet pas pronave të rrjetit të lulëzuar të “Viva freshit”? A fshihen politikanë dhe të çfarë llojit? A janë politikanë dhe mercenarë apo ish mercenarë të luftës, që nuk dihet se ku e kanë kokën!?

Ta shesësh një artikull me dyfishin e çmimit që e ke shitur dy ditë më parë, nuk është vetëm mëkat, krim, por më shumë, pjesë e luftës speciale, në situatën e në krizën që kemi hyrë.. Nuk është më pak, as e atyre, që e kanë hequr nga raftet vajin, apo që më nuk e kanë nxjerrë, se kinse nuk kanë më vaj, siç ka bërë “Interex”, pjesërisht “Albi” dhe diku duke e mbajtur në 2.19 euro litrën, dhe rrjetet tjera të shitoreve.

A duhet të ndëshkohen edhe Interex, ETC-ja dhe të tjerat rrjete të shitoreve, që u subvencionuan nga shteti, edhe pse që të gjitha kishin fitime të papara gjatë pandemisë.

Kush vendosi dhe si u mor vendimi të ndihmohen kompanitë më përfituese, dhe bizneset e vogla u lanë të varrosen’!

Pse është e mundur që në veri në shitore krejtësisht të vogla, çmimi i vajit, të jetë nga 2.15 euro deri në 2.30 për litër, ndërsa në Viva, më i shtrenjtë për 50%, kur shumica e vajit vjen ende nga Serbia, qoftë si produkt i finalizuar në Kosovë.

Vetë kryetari i nëndegës së LDK-së, me kërkesën tonë, ka dalur në disa shitore në veri, dhe ka nxjerrë disa të dhëna për çmimet.

“Në njërën shitore që shet edhe me shumicë, [mimi i vajit ishte 2 euro për litër, ndërsa në një shitore të pakicës më të afërt që e kisha, çmimi i vajit ishte 2.20 euro, në një shitore pak më larg më rezultoi se një komplet prej 16 shishesh shitet me 34.6 euro apo 2.16 euro, dhe vetëm në një shitore, ishte 2.3 euro. Ndërsa, në Suhadoll në veri, por tek shqiptarët, që duket se furnizohen nga tregtarët serb, një litër arrin deri në 2.7 euro shishja”, thotë Besnik Gjaka për “Bota sot”, njëherazi ekspert i kriminalistikës.

Ndërsa, në shitoren e madhe të rrjetit po ashtu të madh të shitoreve ushqimore në Kosovë, në “Emona center” në lagjen Suhadoll në veri të Mitrovicës, çmimi lëviz nga 2.15 deri në 2.25 euro litra e vajit, varësisht prej llojit, na thotë Gjaka, i cili e ka bërë foton për ne.

Image
Çmimi i vajit sonte në “Emona center” në lagjen Suhadoll në veri të Mitrovicës

Hetime nga prokuroria

Ministria e Drejtësisë më në fund ka reaguar. Por, a do të duhej ta kishim një situatë të këtillë, që së pari të reagojnë mediat, të shkaktohet panik në popull dhe tek bizneset e vogla, dhe të vazhdohet më tej.

Pse inspektorët e disa dikastereve nuk kanë funksionuar, si inspektorët e tregut, të doganave, të ATK-së, të Autoritetit të Konkurrencës etj.?

Mos reagimi i tyre e ka bërë të detyrueshëm, thirrjen për hetim të krimit nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Ditëve të fundit dhe sidomos sot kemi vërejtur një ngritje enorme, aspak normale dhe tërësisht të paarsyeshme të çmimeve të produkteve ushqimore bazike të konsumatorëve nga subjektet tregtare. Kjo tendencë për keqpërdorim të situatës e dëmton jashtëzakonisht xhepin e qytetarëve dhe duhet të marrë fund sa më parë”, ka shkruar ajo, në reagimin e saj në Fb.

Edhe ajo beson, sigurisht mbështetur në informacione zyrtare, se çmimet janë orkestruar, duke arritur një çmim, krejtësisht jonormal, thuajse sapo kemi hyrë në luftë.

“Një kurdisje dhe orkestrim (çmimeve) të të cilit po jemi dëshmitarë, është vepër penale e sanksionuar në mënyrë të dyfishtë, me burgim (1-5 vite) si dhe dënim shtesë me gjobë, bazuar në Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ajo, duke i kërkuar Prokurorisë së Shtetit, “që bazuar në kompetencat kushtetuese dhe ligjore të përcaktuara, të ndërmarrë menjëherë veprime në përputhje me mandatin e tij”.

Manipulimi me çmimin e naftës

Ngjashëm ka ndodhur në fundjavën e shkuar që çmimet e naftës shkuan në qiell, duke arritur nga 1.46 euro deri në 1.65 euro për litër nga e shtuna e kaluar.

Ndërsa, pas dy dite nafta ra në bursa, pas arritjes së rekordit të një dekade, në 139 dollar për fuqi, u ul në rreth 120 dollarë. Ndërsa, sot pasdite ka rënë në 110 dollarë për fuqi, pra për rreth 30 dollarë nga vlera maksimale, por ende në Kosovë, nuk ka ndodhur as zbritja për 20 cent, e lëre më për 30 cent.

Zbritja e çmimit ndodhi pasi prodhuesit kryesor të naftës kanë siguruar që në stoqe ka sasi të mjaftueshme nafte, dhe se kanë gatishmëri për rritje të prodhimit, sipas njoftimeve në mediat kryesore të botës.

Vetëm në natën që shkoi, çmimi i naftës sipas ekspertit të tregjeve Emanuel Bajra, ka rënë për 17 %. “Nafta gjatë natës në tregjet ndërkombëtare ka rënë për 17% në çmimore pasi që vendet arabe i kanë siguruar evropianët dhe amerikanët se naftë ka boll dhe nuk ka nevojë për panikë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat