Sot pritet të nis gjykimi për korrupsion ndaj ish-ministres Dhurata Hoxha dhe të tjerëve

Aktuale

Sot pritet të nis gjykimi për korrupsion ndaj ish-ministres Dhurata Hoxha dhe të tjerëve

Më: 17 mars 2022 Në ora: 09:26
Dhurata Hoxha

Sot pritet të nis gjykimi për korrupsion ndaj Dhurata Hoxhës, ish-ministre e Integrimeve Evropiane, Kushtrim Cukajt, ish-sekretar dhe tre të tjerëve, Fitim Mustafa, Demush Shasha e Nuhi Osmani.

Gjykata e Apelit në dhjetor të vitit 2021 ka konfirmuar aktakuzën për korrupsion ndaj Hoxhës Cukaj, Mustafës, Shashëse Osmanit.

“Gjykata e Apelit e Kosovës- Departamenti Special, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore në ankesa, gjeti se ankesat janë të pabazuara”, thuhej në vendim të Apelit.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special në tetor të këtij viti, kishte refuzuar kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave të ushtruar nga mbrojtësit e të akuzuarve.

Në vendimin e Apelit thuhet se e njëjta ka vlerësuar që gjykata e shkallës së parë në vendimin e saj ka vlerësuar në mënyrë të drejtë kërkesat e paraqitura nga mbrojtësit dhe ka dhënë arsye të mjaftueshme se aktakuza e ngritur nga PSRK-ja ekziston dyshimi bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Kjo gjykatë ka gjetur si të pabazuara pretendimet ankimore të mbrojtësve të pandehurve, sa i përket elementit të dashjes, motivit, dijenisë.

Kjo pasi sipas saj në këtë fazë ekzistimi i provave të siguruara gjatë procedurës hetimore ka krijuar dyshimin e bazuar mirë edhe për aspektet subjektive të veprave penale.

“Po ashtu në aktin akuzues përshkruhen qartë natyra e pozitës, funksionit e detyrave të kryera nga ana e të pandehurve nga të cilat derivojnë edhe aspektet e rëndësishme për të provuarit e tipareve jo objektive të veprave penale që janë objekt i aktakuzës”, thuhet në vendim.

Apeli ka vlerësuar se në këtë fazë vlerësohen provat vetëm sa i përket standardit procedural të ekzistimit të dyshimit të bazuar mirë, i cili sipas saj në rastin konkret plotësohet dhe rrjedh se të pandehurit janë të përfshirë në veprime inkriminuese të theksuara në aktakuzë.

Andaj sipas Apelit, pretendimet tjera lidhur me fajësinë apo pafajësinë do të trajtohen në shqyrtim gjyqësor pas vlerësimit gjithëpërfshirës të provave në tërësi.

Ndryshe, të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar, të mbajtur më 1 shtator të vitit të kaluar.

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik 2021, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, Kushtrim Cukaj dhe Fitim Mustafa po akuzohen se në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me nenin 77 paragrafi 1 të KPRK-së.

Kurse, Demush Shasha dhe Nuhi Osmani po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414, paragrafi 2 të KPRK-së.

Në aktakuzë thuhet se Hoxha në cilësinë e ministres së MIE-së, kishe tejkaluar kompetencat e saj me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore personit tjetër, respektivisht operatorëve ekonomik “Majorelle PR & Events” dhe “Madison StrategiesLLC”.

Siç thuhet në aktin akuzues, Hoxha më 11 maj 2018 kishte kërkuar nga Sekretari i Përgjithshëm i MIE-së, Demush Shasha nisjen e procedurave të prokurimit për aktivitetin e prokurimit “Shërbime të konsulencës për nevojat e MIE-së”, duke përcaktuar procedurën që duhej aplikuar dhe emrin e “MajorellePR & Events” me të cilin duhej lidhur kontrata.

Sipas aktakuzës, e njëjta e bëri këtë edhe pse e kishte ditur se sipas ligjit këto nuk ishin në kompetencë të ministrit, me ç’rast ata i kanë mundësuar këtij operatori lidhjen e kontratës në vlerë 180 mijë euro dhe si rrjedhojë edhe përfitimin e dobisë pasurore në këtë vlerë.

Më pas, në aktakuzë thuhet se më 21 shkurt 2019, Hoxha kishte kërkuar nga UD i Sekretarit të Përgjithshëm të MIE-së, Kushtrim Cukaj vazhdimin e kontratës së lartcekur në bazë të procedurës së njëjtë, me këtë rast ia ka mundësuar “MajorellePR & Events” që të vazhdojë kontratën në vlerë prej 168 mijë euro dhe përfitimin e dobisë pasurore në këtë vlerë.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se Hoxha më 24 prill 2019, kishte kërkuar nga i akuzuari Cukaj që për aktivitetin e lartcekur të nis procedurat e prokurimit, duke përcaktuar procedurat që duhej aplikuar dhe emrin e operatorit ekonomik, “Madison StrategiesLLC”, ku më 17 qershor 2019 është lidhur kontrata me këtë kompani në vlerë prej 152 mijë e 232 euro.

Mustafa akuzohet se në cilësinë e drejtorit të Divizionit të Prokurimit në MIE, i ishte drejtuar me kërkesë të akuzuarve Cakaj dhe Shasha, me anë të së cilës kishte kërkuar që kërkesat e parashtruara nga Hoxha për miratimin apo vazhdimin e këtyre kontratave të miratoheshin edhe pse i njëjti e dinte se janë në kundërshtim me ligjin.

Demush Shasha, në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm të MIE-së dhe Kushtrim Cukaj e Nuhi Osmani në cilësinë e UD-ve të kësaj pozite akuzohen nga PSRK-ja, se kishin aprovuar kërkesat e parashtruara nga i akuzuari Mustafa dhe kishin lejuar zbatimin e procedurës së prokurimit edhe pse e dinin se kërkesa e parashtruar ishte në kundërshtim me ligj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat